Lajme

Lajçak tregon se çfarë dokumente i dha Kurtit

Autori: Gazeta inFokus 21:22 | 05 March 2021

Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, qëndroi në Kosovës tri ditë, por nuk tregoi detaje rreth takimit të tij me kandidatin e VV’së për kryeministër, Albin Kurtit.

Por, kur shkoi në Beograd, Mirosllav Lajçak, konfirmoi se përveç fjalëve, njeriut që pritet të bëhet kryeministër të hënën e 1 marsit i dha edhe materiale të shkruara midis të cilave ka dëshmi se palët tashmë i kanë finalizuar ujditë për temat e personave të pagjetur, atyre brenda të zhvendosur e për bashkëpunimin ekonomik.

“Këtë dokument dhe disa dokumente tjera ia kam dorëzuar Albin Kurtit, sepse ai duhet të ketë informacione të plota. Për mua ishte e rëndësishme që ai të formulojë tani platformën, programin dhe prioritetet e tij duke u informuar për krejt ato që duhet ditur kur është dialogu në pyetje”, tha mes të tjerash Lajçak në intervistë për televizionin serb N1.

-Advertisement-

Lajçak arsyetohet se dokumentet në fjalë nuk janë publike, meqë këto ujdi janë pa vlerë deri në momentin kur arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse.

Nga Lëvizja Vetëvendosje as nuk mohojnë e as pohojnë pranimin e dokumenteve nga emisari i BE-së, ani se konfirmojnë informimin e tij mbi procesin e dialogut në përgjithësi dhe zhvillimet e deri tanishme në këtë proces pas rifillimit të tij.

“Në të njëjtën kohë Kurti e ka njoftuar Lajçak për prioritetet e qeverisë së re, pra punësimin dhe drejtësinë, dhe mbi atë se cila konsiderohet që mund të jetë qasja ndaj dialogut. Në atë takim të dy janë pajtuar se dialogu është i rëndësishëm dhe se ai duhet të jetë parimor dhe i përgatitur mirë”, ka thënë zëdhënësi i Vetëvendosjes, Përparim Kryeziu.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka konfirmuar se ka ujdi fillestare me presidentin serb derisa e përmendi njërën në veçanti që është ajo për personat e pagjetur.

“Kjo është pjesë e marrëveshjes me njohje reciproke të cilën e kemi nisur ne dhe për të cilën kam folur edhe në Kuvend”, tha shefi i qeverisë në detyrë të premten.

Sipas një plani preliminar që e ka përmendur Lajçak, Kurti – nëse bëhet kryeministër i ri i Kosovës – ka shumë gjasë të takohet me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq në Bruksel diku në muajin maj.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…

Të tjera