Lajme

Lajçak porosit Kurtin e Vuçiqin: Më pak diskutime për Asociacionin, deklarimet t’i bëjnë brenda takimeve dhe në dialog

Autori: Gazeta inFokus 18:45 | 03 March 2023

Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur për çështjen e marrëveshjes evropiane për të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq kanë rënë dakord.

Lajçak në një intervistë për ‘Atlantic Council’ ka folur edhe për pikën ku hyn formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ku ka bërë thirrje palëve që të mos flasin për të, por deklarimet t’i bëjnë brenda takimeve e në dialog.

“Themelimi i Asociacionit është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit që është arritur nga Kosova dhe Serbia dhe është ratifikuar nga pala kosovare, që do të thotë se është obligim ndërkombëtar. Ishte diçka që ishte aty për gati 10 vjet. Ne vazhdojmë të përsërisim se të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të zbatohen nga të dyja palët. Do të doja të shihja më pak diskutime për këtë [Asociacionin] dhe të flitej për kornizën e dialogut”, ka deklaruar Lajçak.

-Advertisement-

I njëjti ka komentuar edhe propozimin e Kurtit për nënshkrimin e marrëveshjes përgjatë së hënës.

“Kryeministri Kurti propozoi që dokumenti të zyrtarizohet me nënshkrim, reagimi ynë ishte se do të ishte veprim i parakohshëm. Pa marrëveshjen e zbatimit, do të mbetej vetëm deklaratë politike dhe jo marrëveshje. Prandaj ne thamë “të presim dhe të nënshkruajmë kur të kemi mirëkuptim të plotë””.

Ai ka thënë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se Asociacioni mund të bëhet por se duhet marrë parasysh gjetjet e saj. Sipas tij, këto parametra duhet të definohen në dialog. Lajçaku ka përsëritur se Asociacioni është obligim ekzistues që e pret Kosovën që 10 vjet për implementim. E ka vlerësuar këtë çështje si diçka që mund të bëhet, edhe pse ka shtuar se e sheh si sfidë.

Lajçaku e ka vlerësuar lartë pajtimin e Kosovës dhe Serbisë për përmbajtjen e Planit evropian të hënën. Ai ka thënë se tash u takon palëve të merren vesh se si të implementohet propozimi. Ka konfirmuar se aneksi i zbatimit, si dokument në vete, është pjesë e pandashme e marrëveshjes. Është shprehur optimist se do të ketë marrëveshje së shpejti. “Është diçka që mund të bëhet”, ka thënë ai duke shtuar se liderët e dinë rëndësinë e pajtimit për shtetet dhe rajonin.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!
-Advertisement-

Të tjera