Lajme

Ky është tuneli dezinfektues nëpër të cilin duhet të futen ata që e vizitojnë Putinin

Autori: Gazeta inFokus 09:58 | 17 June 2020

Sipas televizionit shtetëror rus, presidenti Vladimir Putin mbrohet nga koronavirusi përmes një tuneli të veçantë dezinfektues, nëpër të cilin duhet të kalojnë të gjithë personat që e vizitojnë rezidencën e tij.

Ky tunel, i prodhuar nga një kompani ruse, është vendosur në rezidencën zyrtare të Putinit, Novo-Ogaryovo, e cila ndodhet afër Moskës dhe ku kreu i shtetit rus i pret mysafirët, shkruan “The Guardian”.
Në një video të publikuar nga RIA shihet se si njerëzit me maska kalojnë nëpër tunel dhe spërkaten me sprej nga pjesa e sipërme e tunelit dhe anash tij.

Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, kishte deklaruar në prill se të gjithë personat që takohen me presidentin rus testohen për koronavirus. Një muaj më vonë, vetë Peskov u infektua me virusin e ri.

-Advertisement-

Rusia i ka regjistruar më shumë se 500,000 raste të personave të prekur nga Covid-19 dhe e zë vendin e tretë në botë në këtë aspekt, pas Shteteve të Bashkuara dhe Brazilit.

Sidoqoftë, numri i viktimave prej 7,284 personave është shumë më i vogël se shifrat e shënuara në vendet kryesore evropiane dhe në Shtetet e Bashkuara. Kritikët dyshojnë se kjo shifër nuk është e saktë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation

Të tjera