Lajme

Kush janë agjentët e shërbimit sekret të paprekshëm për rastin e Kumanovës!

Autori: Gazeta inFokus 22:01 | 04 November 2017

Agjentët e dyshuar në rastin e “Lagjes së Trimave” të Kumanovës janë të paprekshëm, edhe pse të akuzuarit kanë piketuar emra të caktuar, ndërsa kjo është bërë e ditur edhe përmes bisedave të përgjuara, që u lansuan në rrjetet sociale.

Para se të ndodhte sulmi në Goshincë të Likovës e që javë më pas pasoi me përleshjen e armatosur në Kumanovë, ish gjenerali i policisë në vitin 2001, Stojançe Angellov kishte paralajmëruar një skenar. Angellov pretendonte se për realizimin e tij janë dhënë 2 milion euro, por pa potencuar emra nga kush dhe për kë.

“Dikush në shtetin tonë ka përgatitur një plan monstruoz për të nxitur përleshje ndëretnike në Maqedoni. Të gjithë e dini se para një muaji kishte kumtesë të UÇK-së të cilët përsëri u kërcënuan. Kam informacione se i janë dhënë 2 milion euro disa shqiptarëve të cilët nuk kanë lidhje me UÇK -në, janë kriminel të cilët sot gjenden në rajonin e Likovës – pati deklaruar ish gjenerali Stojançe Angellov në prill të 2015-tës, transmeton Alsat-M.

-Advertisement-

Në vazhdën e seancave gjyqësore për rastin Lagja e Trimave, të akuzuarit në dëshmitë e tyre përmendën disa emra të pjesëtarëve të policisë sekrete të Maqedonisë. Sipas tyre, qasja e agjentëve ka qenë jashtë kompetencave dhe se kanë luajtur rol konstruktiv në realizimin e skenarit.

Lidhur me këtë, juristi dhe njohësi i çështjeve të sigurisë Zvonko Davidoviq pohon se për rastin e Kumanovës, shërbimet në vend duhet të japin përgjegjësi apo iniciohen hetime të reja lidhur me rolin e shërbimeve të sigurisë për këtë rast.

“Duhet të vërtetohet edhe përgjegjësia e shërbimeve, pasi që në publik gjatë kohë flitet se edhe shërbimet tona në mënyrë jo aktive kanë marrë pjesë në këtë vepër, nënvizoi juristi Zvonko Davidoviq.

Edhe avokatët mbrojtës konfirmojnë informacionet se në mesin e logjistikës për realizimin e skenarit Kumanova, ka të përfshirë policë dhe agjentë.

Prokuroria Publike nuk shpjegon nëse posedon informacione për përfshirje të mundshme të policëve në rastin e Kumanovës. Nga ky institucion hetues thonë se nuk do të komentojnë asgjë derisa rasti është në procedurë gjyqësore. As nga ministria e Brendshme nuk shpjegojnë nëse Kontrolli i brendshëm i këtij dikasteri do të nis procedurë për të hetuar punën e agjentëve sekret të cilët kanë punuar në rastin e Kumanovës, që nga informacionet e para në terren dhe deri tek arrestimi i tashmë të akuzuarve.

Në seancat e deritanishme gjyqësore, të akuzuarit në dëshmitë e tyre kanë përmendur disa emra të agjentëve me të cilët kanë pasur me ta kontakt. Por ata nuk janë thirrur si dëshmitarë apo në cilësi të tjera që janë të njohura për të dëshmuar për rastin e 9 majit të 2015 që tmerroi lagjen shqiptare në Kumanovë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të katërt "Banka e Vitit 2024 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera