Lajme

Kush është kryeministri i ri Avdullah Hoti? (Biografia)

Autori: Gazeta inFokus 13:19 | 03 June 2020

Avdullah Hoti është kryeministër i ri i Qeverisë së Kosovës. Ai të mërkurën ka marrë besimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të zëvendësuar kryeministrin e deritashëm, Albin Kurtrin në krye të ekzekutivit të vendit.

Emri i Hotit u komentua pak kohë më parë, pasi kryeministri në detyrë Albin Kurti e shkarkoi nga detyra si zëvendëskryeministër të parë pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti në Kuvendin e Kosovës.

Por, kush është Avdullah Hoti?

-Advertisement-

Kryeministri i ri ka studiuar menaxhment dhe informatikë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës gjatë viteve 1994-1998.

Studimet e magjistraturës (2001-2002) dhe të doktoratës (2003-2007) për ekonomiks i ka përfunduar në Staffordshire University, Britani e Madhe.

Më 2008 është certifikuar nga Staffordshire University për metoda hulumtuese dhe mentorim të studentëve të doktoratës.

Hoti ka filluar angazhimin si asistent mësimor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1998. Në vitin 2008 është zgjedhur Profesor Asistent, ndërkaq më 2012 është zgjedhur profesor i asocuar. Në këtë fakultet ligjëron disa kurse në studimet bachelor, master dhe të doktoratës.

Në Kolegjin Dardania në Prishtinë ligjëron mikroekonominë dhe makroekonominë. Ka ligjëruar në Universitetin e Pejës gjatë vitit 2008-2009. Gjatë viteve 1999-2004, ka punuar si hulumtues, me kohë të pjesshme, në Institutin Riinvest në Prishtinë. Ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës gjatë viteve 2007-2009.

Ka qenë anëtar i disa këshillave profesionale dhe akademike në vend dhe jashtë. Ka publikuar gjashtë tekste, në gjuhën angleze, prej tyre dy si autor i vetëm dhe katër si bashkautor.

Ka publikuar 16 artikuj shkencorë në revista ndërkombëtare lidhur me tregun e punës, zhvillimin ekonomik dhe tranzicionin, arsimin, migracionin dhe remitancat dhe fusha të tjera. Ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore ndërkombëtare dhe vendore.

Gjatë viteve 2006-2007, ka qenë Këshilltar i Lartë i Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës.

Gjatë viteve 2008-2009, ka qenë Këshilltar për Ekonomi i Kryetarit të Komunës së Prishtinës. Për një mandat (2010-2013) ka qenë Nënkryetar i Komunës së Prishtinës.

Nga viti 2006 është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Nga viti 2010, është anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nga viti 2011, ka kryesuar Këshillin e Ekspertëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në qershor 2014, është zgjedhur Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndërkaq në Qeverinë e fundit, Hoti ishte zëvendëskryeministër.

Ai u emërua ministër i financave më 9 dhjetor 2014.

Më herët ai ka qenë nënkryetar i komunës së Prishtinës për tri vjet gjatë kohës sa komuna drejtohej nga Isa Mustafa./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Fito 50 € për dyshekun e vjetër dhe merr dyshkeun e ri Cloud për vetëm 549 €
-Advertisement-

Të tjera