Lajme

Kush do t’i kompensojë qytetarët që paguan rrymën për veriun?

Autori: Gazeta inFokus 09:54 | 13 March 2024

Qytetarëve që ua paguan rrymën konsumatorëve në veri të Kosovës nga viti 2012 deri më 2017, përfundimisht do të duhej t’iu ktheheshin mjetet, por si dhe prej kujt nuk është shumë e qartë.

Këtë vendim e konfirmoi një ditë më herët Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Shuma që duhet kompensuar, është mbi 40 milionë euro.

-Advertisement-

Radio Evropa e Lirë pyeti Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) se si do të realizohet vendimi, por nuk mori përgjigje konkrete.

“ZRRE-ja është duke e analizuar aktgjykimin dhe do t’i shqyrtojë të gjitha opsionet e mundshme ligjore që i ka në dispozicion në lidhje me këtë rast”, tha ajo, duke shtuar se detyrat e saj do t’i kryejë “konform mandatit ligjor”.

Ngjashëm nuk u përgjigjën as kompanitë për furnizim me energji, përkatësisht inkasim të energjisë, KESCO dhe KEDS.

“Për çdo detaj lidhur me këtë çështje, drejtohuni Zyrës së Rregullatorit të Energjisë”, tha KESCO për Radion Evropa e Lirë.

E, sipas ish-anëtarit të Bordit të ZRRE-së, Qemajl Mustafa, përgjegjësia bie pikërisht mbi KESCO-n dhe KEDS-in.

“Ato, në mënyrë proporcionale, duhet t’ua kthejnë mjetet konsumatorëve, të cilët në mënyrë të rregullt i kanë paguar faturat e shpenzuara [në veri]”, thotë Mustafa.

Ndërsa, Arben Gjukaj, profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se barra është mbi ZRRE-në.

Ku qëndron problemi me rrymën në veri?

Banorët në veri të Kosovës – shumica serbë – nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar që nga përfundimi i luftës, më 1999.

Refuzimi ka ardhur si pasojë e mosbindjes qytetare, por edhe ndikimit të strukturave të ndryshme atje, që kanë operuar nën dirigjimin e Serbisë.

Deri në fund të vitit 2017, rrymën e shpenzuar në veri e kanë paguar qytetarë të pjesëve të tjera të Kosovës, të cilët kanë marrë fatura me rritje.

ZRRE-ja e ka zyrtarizuar këtë përmes një vendimi vetëm në vitin 2012, por që nuk ka qenë i njohur për publikun, derisa çështja është ngritur nga Avokati i Popullit më 2017.

Nga 2017-ta e këndej – për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve – përgjegjësia për pagesën ka kaluar tek Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës, KOSTT. Subvencione ka ndarë edhe Qeveria e Kosovës.

Në vitin 2022, pastaj, Kosova dhe Serbia janë dakorduar për zbatimin e një marrëveshjeje për energjinë, të arritur qysh në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në praktikë, ajo ka nisur të zbatohet vetëm muajin e kaluar, kur qytetarët në veri kanë marrë faturat e para.

Si ka përfunduar çështja në Gjykatën Kushtetuese?

Në vitin 2017, institucioni i Avokatit të Popullit ka ngritur padi në gjykatë kundër vendimit të ZRRE-së, të vitit 2012, që rrymën në veri ta paguajnë qytetarë të zonave të tjera.

Atëkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka kërkuar që kjo praktikë të pezullohet, duke e konsideruar si joligjore.

Në bazë të padisë së ushtruar nga Avokati i Popullit, kjo gjykatë, në vitin 2021, ka detyruar po ashtu ZRRE-në që ta obligojë KEDS-in për kthimin e mbi 40 milionë eurove për qytetarët e Kosovës.

Vendimin e kanë konfirmuar edhe Gjykata e Apelit, edhe Gjykata Supreme.

Por, ZRRE-ja e ka konsideruar si të padrejtë dhe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e cila më 11 mars ka marrë vendimin përfundimtar: pagesat duhet t’u kompensohen qytetarëve që kanë shlyer obligimet e veriut.

Çka thonë ekspertët?

Ish-anëtari i Bordit të ZRRE-së, Qemajl Mustafa, thotë se ZRRE-ja bashkë me KESCO-n duhet të gjejnë një formë adekuate të kompensimit dhe të caktojnë një periudhë kohore se kur do të fillojë ai.

“Mënyra është e lehtë – KESCO-ja e ka bazën e saktë të shënimeve dhe e di se kush i ka paguar faturat e rrymës në periudhën 2012-2017… Atyre duhet t’u kthehen. Dyzet milionë euro është shifër e lartë. Konsumatorët që kanë paguar për atë pjesë, mund të kenë fatura më të lira për një periudhë të caktuar”, thotë Mustafa për Radion Evropa e Lirë.

Arben Gjukaj, profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, konsideron se barra kryesore për kompensimin e mjeteve bie mbi ZRRE-në, pasi ky mekanizëm ka marrë, sipas tij, vendim të gabuar.

“Duke e ditur që në komunat në pjesën veriore të Kosovës ka probleme politike, ZRRE-ja nuk është dashur ta marrë këtë vendim. Pra, barra i bie ZRRE-së, pasi nuk ka mundur t’u ofrojë kushte teknike dhe qasje te konsumatorët në atë pjesë operatorëve të licencuar, sikurse në pjesën tjetër të Kosovës”, thotë Gjukaj për Radion Evropa e Lirë.

Duke reaguar një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) tha se “konsumatorët e plaçkitur nga ZRRE-ja, nuk duhet të pranojnë të kompensohen përmes faturave, por duhet të kërkojnë të kompensohen me euro, përfshirë këtu kamatat e rregullta dhe ndëshkuese që i përcakton autoriteti kompetent, në përputhje me shkallën e inflacionit dhe çmimin e energjisë elektrike”.

KMDLNJ-ja kërkoi edhe nga Prokuroria e Shtetit “hetime urgjente” ndaj ZRRE-së.

“Me çfarë baze ligjore që nga përfundimi i luftës u janë paguar faturat e rrymës pesë për qind të qytetarëve, duke i dëmtuar 95 për qind në baza etnike dhe politike”, tha KMDLNJ-ja, duke e cilësuar këtë si “shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut”.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!
-Advertisement-

Të tjera