Kurti uron SHBA-në në 250-vjetorin e pavarësisë, kujton mbështetjen amerikane për Shqipërinë dhe Kosovën
Autori: Gazeta inFokus
10:06 | 04 July 2026
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 250-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, duke rikujtuar rolin historik të SHBA-së në përkrahjen e të drejtës së shqiptarëve për vetëvendosje.
Kurti ka thënë se Deklarata e Pavarësisë e 4 korrikut 1776 kishte rëndësi jo vetëm si një ngjarje historike, por edhe për vlerat universale që përfaqëson, si barazia, liria dhe të drejtat e patjetërsueshme të njeriut.
Ai përmendi edhe mbështetjen e SHBA-së për pavarësinë e Kosovës, duke veçuar deklaratën e ish-presidentit George W. Bush në Tiranë më 10 qershor 2007 për Kosovën.
“10 qershori i vitit 2007, kur George W. Bush deklaroi në Tiranë, “Më mirë më parë sesa më vonë, duhet të thuash këtu i erdhi fundi, Kosova është e pavarur,” bën pjesë te datat më të rëndësishme të historisë sonë më të re shtetformuese”.
Sipas Kurtit, brenda afro një shekulli, shqiptarët kanë marrë dy herë mbështetje vendimtare nga Shtetet e Bashkuara në proceset e tyre shtetformuese, fillimisht për ruajtjen e shtetit shqiptar dhe më pas për pavarësinë e Kosovës.
Postimi i tij:
Një deklaratë pavarësie, shikuar si ngjarje historike, ndodh në një kohë dhe vend të caktuar. Sot, pra, festojmë përvjetorin e 250-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse më 4 korrik 1776, Kongresi Kontinental i 13 kolonive të Britanisë së Madhe, pas kuvendimeve në Dhomën e Asamblesë të Parlamentit Shtetëror të Pensilvanisë në qytetin e Filadelfisë, nënshkroi përfundimisht Deklaratën e Pavarësisë. Kështu, me atë datë të famshme, lindi një shtet i ri: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mirëpo, Deklarata e Pavarësisë së ShBA-ve, në përmbajtjen e saj, ka një rëndësi dhe domethënie të veçantë, e cila shkon përtej datës dhe vendit ku u miratua. “Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme: se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë; se ata janë pajisur nga Krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme; se ndër këto të drejta janë jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë”. Duke u thirrur në këto vlera dhe të drejta universale, të pakufizuara në kohë dhe hapësirë, ajo që sot quhet “Fryma e ’76-ës” ka mundur jo vetëm të mbijetojë, por edhe të jetojë, fuqishëm, në mendjet dhe zemrat e patriotëve të çdo epoke dhe çdo populli.
Kjo vlen sidomos për popullin shqiptar. Më 4 korrik 1918, këtu e 108 vite më parë, në 142-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si përfaqësues i federatës shqiptare “Vatra” Fan Noli do shkëmbente nja dy-tri fjalë me Presidentin Woodrow Wilson. Në jahtin presidencial U.S.S. Mayflower, në kthim e sipër për në Washington DC nga Mount Vernon, ku kishin bërë nderimet festive te varri i George Washington-it, Noli gjeti rastin t’i thoshte presidentit të njëzetetetë amerikan që zbatimi i parimeve të tij për vetëvendosjen do t’i garantonte Shqipërisë të drejtat e saj. Presidenti Wilson iu gjegj rilindasit tonë erudit duke e siguruar atë se ato parime do të mbretëronin meqë ShBA-ja do të luftonte për to. Ajo që ne shqiptarët e quajmë Shqipëria londineze vërtet shpëtoi pas Luftës së Parë Botërore edhe në saje të parimeve të mishëruara në planin e paqes të njohur si “14 pikat e Wilsonit”.
Më pak se një shekull më pas, të njëjtave parime, që Deklarata e Pavarësisë e 4 korrikut 1776 i mbron me aq elokuencë, do t’i apelonte edhe lëvizja jonë për pavarësi. E drejta e popullit të Kosovës për vetëvendosje, që në fillim të shekullit XX ishte sakrifikuar në lojërat gjeopolitike të Fuqive të Mëdha, në fund të po atij shekulli dhe fillimit të atij vijues do të merrte mbështetjen më domethënëse pikërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 10 qershori i vitit 2007, kur George W. Bush deklaroi në Tiranë, “Më mirë më parë sesa më vonë, duhet të thuash këtu i erdhi fundi, Kosova është e pavarur,” bën pjesë te datat më të rëndësishme të historisë sonë më të re shtetformuese. Pra brenda një harku kohor prej gati një shekulli, nga Shqipëria londineze te Kosova e pavarur, betejat shqiptare për vetëvendosje marrin dy herë mbështetje kritike nga kombi amerikan, i cili këtu e 250 vite më parë shpalli themelimin e tij duke u thirrur në të drejtat e patjetërsueshme në jetë, liri dhe kërkim të lumturisë.
Teksti i Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, i nënshkruar më 4 korrik 1776, vuloste vullnetin e shprehur dy ditë më parë (2 korrik) nga delegatët e Parlamentit Shtetëror në Filadelfia. Ndonëse i shkruar (kryesisht nga Thomas Jefferson) me ngut e nën trysninë e ngjarjeve të asaj kohe, ai u bë simbol i një epoke të re në historinë e mendimit politik. Koncepti i të drejtave të patjetërsueshme që është në themel të kësaj deklarate vazhdon të mbetet radikal sot e kësaj dite. Me të drejta të patjetërsueshme, etërit themelues të kombit amerikan nënkuptonin ato të drejta që nuk mund të tjetërsoheshin as dhe me pëlqimin e bartësit të tyre. Sot e kësaj dite, garantimi i këtyre të drejtave për të gjithë njerëzit pa dallim mbetet një detyrë qytetëruese për njerëzimin.
Me dëshirat më të mira për të ardhmen e ndritshme të kombit amerikan, gëzuar 4 Korrikun, gëzuar përvjetorin e 250-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

T� tjera
-
Anketa: Rreth 20% e kosovarëve të rritur duan dhe po përgatiten të emigrojnë, si është situata në vendet e rajonit
Sipas të dhënave të publikuara nga Regional Cooperation Council SecuriMeter20...
-
Shpërthimi në Zvicër, shqiptari rrëfen tmerrin: U ndjeva sikur isha kthyer në luftën e Kosovës, dëgjova tri herë thirrje për ndihmë
Një shpërthim i fuqishëm i ndjekur nga një zjarr ka tronditur banorët e një p...
-
Policia ia gjenë pistoletën në veturë, ia konfiskojnë, prokurori e liron në procedure të rregullt
Policia e Kosovës ka konfiskuar një pistoletë me gjashtë fishekë gjatë kontro...
-
Arrestohen në Shqipëri dy shqiptarë të kërkuar nga Italia, pritet ekstradimi i tyre
Dy shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane janë...
-
Ultimatumi i Trumpit për Teheranin: Sulme të mëdha ushtarake pas Vitit të Ri nëse dështon marrëveshja
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka lëshuar një ...
-
Rama në Manastir propozon Bibliotekë Mbarëkombëtare të Shqipes: Do ta marrim përsipër,besoj se Kosova do të ketë gatishmëri
Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Manastir, në Europe House, pati...
-
Përparim Rama me bashkëshorten merr pjesë ë Ditën e Komunës së Kotorit – ndan pamje nga pritja atje
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shkruar në Facebook se ka qen ënë Ko...
-
Ky është personi i cili dyshohet se përmes mashtrimit për leukemi akute mblodhi afro 190 mijë euro
Një fushatë humanitare e nisur me pretendimin se 20-vjeçari Endrit Azemi nga ...
-
Në mesin e javës temperaturat bien deri në -8, ngriten nga enjtja – moti në javën që po hyjmë
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka parashikuar mot të ndryshues...
-
Joseph sugjeron që dialogu Kosovë-Serbi të rifillojë sa më shpejt me temën e personave të zhdukur
Profesori amerikan, Edward P. Joseph, në një intervistë për mediumin serb “Ra...
-
Dyshimet për mbetje mortore, ekipet kthehen sërish në veri
Pas përfundimit të gërmimeve në Brod të Shërpcës, ekipet mjeko-ligjore do të ...
-
‘Studentët’ reagojnë për ligjin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore me gjuhë fyese ndaj Kosovës – përmendin garancitë e Ahtisaarit
Lëvizja Studentore e Serbisë që ka fituar zgjedhjet parlajemntare, ka reaguar...






























