Lajme

Kurti: SHBA mike speciale, Ambasadori Hovenier njeri i mrekullueshëm, gjithmonë do të jetë në zemrat tona

Autori: Gazeta inFokus 22:18 | 19 December 2024

Në ambientet e Ambasadës Amerikane në Kosovë është mbajtur një pritje lamtumirës të ambasadorit Jeffrey Hovenier, aty mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Kurti mbajti një fjalim, të cilin e transmetoi zyra e kryeministrit, i cili e ka përshkruar Hovenierin si të mrekullueshëm, duke shtuar se “gjithmonë do të jetë në zemrat tona”.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka folur edhe për raportet e Kosovës me SHBA-të gjatë periudhës sa Hovenier ka shërbyer në Kosovë, duke thënë se këto marrëdhënie janë të veçanta dhe janë rritur në një numër të rrafshëve.

-Advertisement-

Këto rrafshe sipas Kurtit përfshijnë rritjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe inteligjencës, te mbështetja për zgjerimin e kapaciteteve energjetike të Kosovës, e te vlerësimi i parë kreditor i Kosovës.

“Koha e juaj në Kosovë është definuar jo vetëm nga profesionalizmi dhe integriteti i juaj, por edhe nga humanizmi dhe mbështetja e juaj e palëkundur për popullin tonë”, ka thënë Kurti.

Më tutje, Kurti ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri kryesor i Kosovës, një aleat i besueshëm dhe një mik i veçantë. Duke shtuar se miqësia e Kosovës me SHBA-të nuk është një miqësi e thjeshtë, njëdimesionale – por më tepër “3D” e bazuar në diplomaci, zhvillim dhe mbrojtje

“Ambasador, dijeni që Kosova do jetë gjithmonë shtëpia juaj. Ne do të jemi këtu për t’ju mirëpritur – si një mik i dashur i yni”, ka thënë Kurti.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Hapet shkolla e mesme profesionale në Qytetin e Ferizajit
-Advertisement-

Të tjera