Lajme

Kurti: Përkundër barrierave, gratë dhe vajzat kanë dhënë kontribut të vlefshëm në zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë

Autori: Gazeta inFokus 13:00 | 24 April 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në konferencën e parë STEM, organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit.

Në hapje të konferencës, e cila i kushtohet rëndësisë së pjesëmarrjes së vajzave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, pra fushës STEM, kryeministri Kurti tha se përkundër barrierave, e shpesh edhe kundër gjasave, gratë dhe vajzat kanë dhënë kontribut të vlefshëm në zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë, në këto fusha, që historikisht as nuk janë mirëpritur e as nuk janë vlerësuar.

“Disa zbulime të grave janë të njohura e disa kurrë nuk u morën vesh se janë të tyret. Me gjithë punën e angazhimin e grave pioniere, ato janë ende të nën përfaqësuara, të pa përfaqësuara, por edhe të panjohura fare nganjëherë. Sigurisht që në secilin rast, padrejtësisht”, tha ai.

-Advertisement-

Sipas Kurtit, është detyra jonë të avokojmë e të angazhohemi për përfshirjen dhe pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në STEM dhe të punojmë për një shoqëri dhe shtet, ku çdo person, pavarësisht nga gjinia, ka mundësi të ndjekë ëndrrat.

Sipas tij, mund të ndihmohet në mbylljen e hendekut gjinor të pagave dhe t’iu ofrohet grave mjete për të arritur pavarësinë ekonomike, e cila sipas tij, ndikon në përmirësimin e shoqërisë në mënyra të panumërta, në zgjidhjen e problemeve komplekse, zhvillimin e teknologjive, trajtimeve të reja mjekësore, zgjidhjeve të qëndrueshme të energjisë dhe nxitjen e rritjes ekonomike.

Po ashtu, ai potencoi se duke fuqizuar vajzat për pjesëmarrje në këto fusha, ne sigurojmë që ato të jenë pjesëmarrëse në formësimin e së ardhmes, e cila nuk njeh gjini.

Duke qenë se vajzat dhe gratë kanë qenë historikisht të përjashtuara nga fushat shkencore, kryeministri Kurti theksoi se ky përjashtim ka pasur ndikime negative në përparimin e shoqërisë njerëzore.

“Tani jemi në kohën kur konsiderohet, që është ajo e revolucionit të katërt industrial, e çdo ditë po shohim zhvillime të reja teknologjike, që i shërbejnë përfaqësimit të barabartë gjinor. Gratë dhe vajzat duhet t’i inkurajojmë që të ndjekin karrierë në këto fusha, duke e zvogëluar hendekun gjinor. Kjo nuk është veçse çështje barazie, por edhe ekonomike e sociale”, tha ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!
-Advertisement-

Të tjera