Kurti për Kushtetutën e Kaçanikut: Kosova Republikë u bë fakt historik më 7 shtator e realitet politik më 17 shkurt
Autori: Gazeta inFokus 08:17 | 07 September 2023
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar 33 vjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, duke kujtuar ata që dhanë kontributin në shkrimin e saj.
Kurti tha se autori i saj, profesor Gazmend Zajmi dhe një grup i përbërë nga juristët më të zotë të Kosovës, u mblodhën fshehur në Prishtinë për të ndarë detyrat mes tyre.
“Ata do ta hartonin një kushtetutë demokratike për ta shpallur Kosovën republikë. Preambulen e Kushtetutës dhe kapitullin Dispozitat e Përgjithshme, e mori përsipër ta hartonte Profesor Kurtesh Saliu. Kapitullin Rendi Ekonomik dhe Social, do ta hartonte Profesor Ejup Statovci. Kapitullin Liritë, të Drejtat dhe Detyrat e Njeriut dhe Qytetarit e mori për detyrë ta hartonte Profesor Ismet Salihu”.
“ Kapitullin Kushtetutshmëria dhe Ligjshmëria, do ta hartonte Fatmir Fehmiu. Kapitulli Organet Republikane iu caktua për detyrë Halit Muharremit. Kurse kapitulli Dispozitat Kalimtare dhe të Fundit, do ta hartonte Profesor Riza Smaka. Në një kohë rekorde prej më pak se një muaji, ata e përgatitën Kushtetutën e Republikës së Kosovës, tekstin e së cilës, teknikisht e shkroi Nexhmije Ajazi”, shkroi Kurti.
Por, sipas Kurtit, për ta miratuar këtë kushtetutë, duhej caktuar koha, gjetur vendi i duhur si dhe duhej krijuar rrethanat e përshtatshme, duke llogaritur veçanërisht regjimin shtypës policor serb në Kosovë aso kohe.
“Qëllimisht u vendos që mbledhja të mbahej në qytetin e Kaçanikut, qëllimisht në një ditë të premte dhe qëllimisht në mbrëmje vonë. Organizimi i mbledhjes së Kuvendit të Kosovës, në Kaçanik i ishte ngarkuar një këshilli të përbërë nga Hebib Shehu, Bedri Kyçyku, Fadil Raka, Refik Raka, Sabit Raka dhe Maksut Hoxha. Shumë njerëz të tjerë, kryesisht banorë të Kaçanikut u angazhuan në këtë organizim”.
“Një grup i parë do t’i priste delegatët 3 kilometra jashtë Kaçanikut. Derisa të vinte koha e caktuar për mbledhje, një grup i dytë do t’i sistemonte delegatët duke i strehuar ata te familjet Shehu, Lika, Burrniku, Kuka, Shurdhani etj. Një grup tjetër i përbërë nga ish policë, të prirë nga Tahir Çaka, e kishte për detyrë të ofronte sigurinë për mbajtjen e mbledhjes dhe të kujdestaronte”.
“Ata ishin të armatosur dhe të gatshëm për t’i mbrojtur delegatët në rast se ky organizim merrej vesh nga policia. Një grup ishte caktuar për përcjelljen e delegatëve pas takimit. Paraprakisht ishin menduar tri rrugë për tërheqjen e delegatëve nga Kaçaniku: rruga e parë, ishte përmes Hanit të Elezit; rruga e dytë shkonte nëpërmjet fshatrave Gajre, Ivajë, Kotlinë dhe Glloboqicë; si dhe rruga e tretë kalonte nga Stanet e Brrutëve në Dërnogllavë dhe prej andej në Bllacë”, shkroi Kurti.
Më tej, kreu i qeverisë tha se delegatët që kishin ardhur direkt në mbledhje, priteshin te stacioni i trenit në Kaçanik nga delegati Naser Gashi bashkë me Emin Rekën, të cilët sipas tij, i shoqëronin delegatët deri në Shtëpinë e Kulturës.
“Në rast se gjërat do të shkonin keq, ishte menduar që mbledhja të mbahej në shkollën e fshatit Nikaj të Kaçanikut, ky si një plan B, për të cilin ishte angazhuar Shefket Guri.
Bibliotekistët Isa Gashi dhe Haki Raka do ta përgatisnin sallën ku do të mbahej mbledhja në Shtëpinë e Kulturës në Kaçanik, kurse Refik Verbani do të kujdesej për teknikën e zërimit”.
“Për ta dëshmuar këtë ngjarje historike, ishin ftuar gazetari Zenun Çelaj, fotoreporteri Enver Bylykbashi dhe kameramani Mamer Dogani. Të tyre janë fotografitë dhe videoincizimet aq të mirënjohura të asaj mbledhje. Nënshkrimet e delegatëve ishin marrë që më parë, por në mbledhje arritën të merrnin pjesë rreth 80 nga 111 delegatët e Kuvendit të Kosovës”.
“Kështu plot 33 vite më parë, më 7 shtator të vitit 1990, në ora 20:00, në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Kaçanik nisi mbledhja që do ta shpallte Kosovën republikë. Mbledhja u drejtua nga Iljaz Ramajli, Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, kurse Rezolutën për Republikën e Kosovës e lexoi Halit Muharremi, Sekretari i Kuvendit”.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës, u miratua “duke u mbështetur në traditën demokratike shekullore përparimtare e liridashëse të kombit shqiptar” si dhe “duke u mbështetur në luftën çlirimtare”, përveçse “në pajtim të plotë me parimet e demokracisë e të barazisë dhe në bazë të së drejtës për vetëvendosje”. Ajo e shprehu vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës në fillim të një dekade luftërash në Jugosllavi, një dhjetëvjetësh nga i cili Kosova doli e çliruar nga Serbia pushtuese, falë rezistencës së popullit të saj dhe luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbështetur nga aleatët tanë”, shkroi Kurti.
Kurti, më tej tha se nga parullë popullore e demonstratave të vitit 1981, “Kosova Republikë”, u bë fakt historik në Kaçanik më 7 shtator 1990, përpara se të bëhej realitet politik më 17 shkurt 2008.
Të tjera
-
Deputeti gjerman: Serbia nuk luan dot me Kosovën, bisedime të reja pas zgjedhjeve
Nisja e punës së Komisionit të zgjedhur Evropian mund të shërbejë si përshpej...
-
Hoxhaj sot nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa”
Nënkryetarit të Kuvendit Enver Hoxhaj, sot pritet t’i jepet titulli “Doctor H...
-
Qalaj thotë se në veri po hyjnë armë nga Serbia
U vendosën në mënyrë të fshehtë. Por Policia e Kosovës, për tre ditë radha...
-
Sot mblidhet Kryesia e Kuvendit, këto janë pikat e rendit të ditës
Sot nga ora 11:00 do të mblidhet Kryesia e Kuvendit. E në rend dite ka një...
-
“16 Ditët e Aktivizmit”, fillon sot fushata kundër dhunës me bazë gjinore
Sot nën organizimin e Ministrisë së Drejtësisë, fillon fushata globale “16 Di...
-
Fahrije Hoti sot mban konferencë për media: Do t’i demantojmë shpifjet e Faton Pecit
Korporata Bujqësore “KRUSHA” bashkë me Fahrije Hotin, sot do të mbajnë konfer...
-
Ekspertët: Zbutja e varfërisë mund të zbusë krizën e migracionit
Ekspertët thonë se varfëria dhe uria janë faktorët kryesorë që shkaktojnë kri...
-
Deputeti i GUXO-s: Sjellja e Faton Pecit ka qenë rrënuese për partinë GUXO
Deputeti Burim Meta në “Reel Talk” tha se Faton Peci, i cili është kryetar i ...
-
Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit sot do të vazhd...
-
Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca sot e pret në takim homologun e tij nga M...
-
Mot kryesisht i qëndrueshëm gjatë kësaj jave
Fillimi i javës parashihet të jetë me mot kryesisht të qëndrueshëm, ndërsa ng...
-
Nesër mblidhet Kryesia e Kuvendit
Nesër nga ora 11:00 do të mblidhet Kryesia e Kuvendit. E në rend dite ka...