Lajme

Kurti pas takimit me Abbott: Siguria kombëtare u cenua të dielën

Autori: Gazeta inFokus 19:14 | 26 September 2023

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka takuar ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë Nicholas Abbott.

Temë kryesore e këtij takimi ishte sulmi terrorist mbi policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku u vra polici Afrim Bunjaku, e po ashtu edhe situata aktuale e sigurisë.

Kurti e njoftoi diplomatin britanik rreth veprimeve të fundit të organeve të sigurisë si dhe angazhimin e tyre për garantimin e integritetit territorial, sigurisë, ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.

-Advertisement-

“Sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe siguria kombëtare janë cenuar të dielën”, tha Kurti.

“Armatimi i ekspozuar tregon që ka qenë në pyetje një skenar për shumë më tepër të vrarë dhe gjakderdhje në Kosovë, skenar ky që fatmirësisht është parandaluar falë profesionalizmit të Policisë së Kosovës. Policia ofron sigurinë për të gjithë qytetarët e Kosovës, për të gjitha komunitetet, pa dallim”, u shpreh ai.

Numri një i qeverisë tha se sulmuesit janë profesionistë të trajnuar për luftime, të pajisur me murtaja, zollë dhe snajperë, që nuk janë as banda të kontrabandës e as qytetarë të armatosur.

” Nga informacionet preliminare, shtoi se shumica e tyre duket të kenë qenë pjesëtarë të të ashtuquajturave “Mbrojtja Civile” ose “Brigada Veriore” të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës i shpalli organizata terroriste para gati tre muajve”, theksoi numri një i qeverisë.

Albin Kurti, teksa shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar, kryeministri tha se vija kufitare me Serbinë është shumë e gjatë, në veri dhe terreni është malor, andaj është e nevojshme që të kemi bashkëpunim të shtuar vendor e ndërkombëtar për ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufirit.

Ndërkaq ambasadori i Britanisë së Madhe Nicholas Abbott, shprehu ngushëllimet e tij për familjen, kolegët e të ndjerit Bunjaku, dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.

Abbott e dënoi sulmin kriminel e terrorist të 24 shtatorit.

Ai vlerësoi menaxhimin e situatës nga Qeveria e Kosovës, Policia e Kosovës dhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore për profesionalizmin dhe maturinë e shfaqur.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin
-Advertisement-

Të tjera