Lajme

Kurti në takim me ministren gjermane kërkon të mos ketë kushte shtesë për liberalizimin e vizave

Autori: Gazeta inFokus 18:49 | 22 October 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur ministren e Shtetit për Evropë dhe Klimë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Anna Lührmann, shkruan Gazeta Infokus.

Në këtë takim Kurti dhe Lührmann folën për bashkëpunimin me Gjermaninë në kuadër të agjendës së Republikës së Kosovës për integrim evropian, për Tregun e Përbashkët Rajonal si pjesë e Procesit të Berlinit, aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, energjinë dhe çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës.

Gjithashtu, ai tha se liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodhë pa ndonjë kusht tjetër shtesë.

-Advertisement-

“Kryeministri Kurti e njoftoi ministren Lührmann për performancën ekonomike dhe demokratike të vendit në 18 muajt e fundit. Ai tha se Investimet e Huaja Direkte dhe eksportet po vazhdojnë trendin pozitiv të rritjes, ndërkaq që raportet ndërkombëtare si ai Transparency International dhe Reporterëve pa Kufi dëshmojnë përmirësimet në treguesit demokratikë dhe janë referencë që imazhi i vendit është shumë më i mirë se ç’ka qenë. Në lidhje me çështjen e liberalizimit të vizave, kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi, falënderuan Gjermaninë për ndihmën, mbështetjen dhe qëndrimin tyre se liberalizmin i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të ndodhë dhe pa ndonjë kusht shtesë“, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeëministrit.

Ndërkaq, në këtë takim u diskutua edhe për energjinë si çështje me shqetësim për të gjithë kontinentin e Evropës.

“Krahas planeve afatgjate për tranzicionin e drejtë energjetik dhe investimeve në burimet e ripërtëritshme të energjisë elektrike, kryeministri Kurti vendosi theksin te rëndësia e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të udhërrëfyesit për energji të dakorduar në Bruksel, ndaj të cilit Republika e Kosovës dhe institucionet vartëse kanë treguar përgjegjshmëri të lartë duke përmbushur obligimet që u kanë takuar, dhe ballafaqimin me këtë dimër“, thuhet në komunikatë./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan

Të tjera