Lajme

Kurti në Konferencën e Lidershipit të Oksfordit: Aftësia jonë për të ecur përpara pengohet në mënyrë aktive nga Serbia

Autori: Gazeta inFokus 14:07 | 14 April 2024

Zyra për Media e Kryeministrit ka njoftuar se Kurti ka marrë pjesë virtualisht në Konferencën e Lidershipit të Oksfordit, që po mbahet në Dubai.

Gjatë fjalimit të tij, ai foli për sfidat në nivel global, si energjia dhe ndryshimet klimatike, qasjes ndaj tyre dhe punën dhe “të arriturat” e qeverisë.

“Në Kosovë, ne si qeveri socialdemokrate, besojmë në një vizion për politikë që është më gjithëpërfshirës – një vizion që e bën përulësinë dhe solidaritetin prioritet, ushqen qëndrueshmërinë dhe vlerëson dinjitetin e punës. Qeveria jonë është fokusuar në adresimin e pabarazive socio-ekonomike duke investuar në rritje dhe zhvillim. Paketa jonë gjithëpërfshirëse e politikave siguron që grupet e cenueshme, duke përfshirë grupet me të ardhura të ulëta dhe grupet e margjinalizuara, të arrijnë përmirësime të rëndësishme në mirëqenien, aksesin në punësim, arsim dhe shëndetësi, energji dhe shërbime të tjera publike. Sipas Bankës Botërore, Kosova ka ofruar pakon më bujare të ndihmës në Ballkanin Perëndimor si përqindje e BPV-së për t’i ndihmuar qytetarët të përballen me inflacionin”, tha Kurti.

-Advertisement-

Ai ndër të tjerash, tha se aftësia e Kosovës për të ecur përpara po pengohet në mënyrë active nga Serbia, e cila sipas tij nuk është e interesuar të jetë pjesë e NATO’s dhe BE’së.

Kurti përmendi ushtrinë serbe afër Kosovës dhe sulmin e Banjskës.

“Aftësia jonë për të ecur përpara pengohet në mënyrë aktive nga Serbia, e cila nuk është e interesuar të jetë pjesë e NATO-s apo BE-së. Aleanca e saj me Rusinë dhe fantazitë e saj për një të kaluar alternative po na mbajnë ne dhe të gjithë rajonin prapa. Në dy vitet e para si kryeministër, Serbia grumbulloi ushtrinë e saj përgjatë kufirit me Kosovën katër herë dhe sponsorizoi terrorizmin brenda kufijve tanë. Shtatorin e kaluar, një polic kosovar u vra pas një inkursioni të terroristëve paraushtarakë. U sekuestruan armë dhe pajisje ushtarake me vlerë mbi 5 milionë euro. Rreth 90 ushtarë të NATO-s majin e kaluar u plagosën, disa të plagosur rëndë, për shkak të sulmeve nga një turmë e sponsorizuar nga Beogradi. Pavarësisht të gjithave, ne kemi hyrë në një marrëveshje me Serbinë nën patronazhin e dialogut të lehtësuar nga BE – një marrëveshje që Serbia tani refuzon ta nënshkruajë.”

Kurti foli edhe “për rritjen e punësimit, dyfishimin e investimeve të huaja direkte dhe eksporteve, shtesat për fëmijë e mbështetja për nënat lehona, sistemi dual, arsimi i lartë falas, mbështetja dhe bursat për gratë në STEM, por edhe përmendi rankimet e larta e pozitive të vendit tonë në indekset e renditjet të ndryshme ndërkombëtare”.

Në fund, Kurti tha se ngjarjet e tri viteve të fundit kujtojnë që barazia dhe demokracia nuk mund të merren si të mirëqena.

“Ngjarjet e tri viteve të fundit, brenda dhe jashtë vendit, na kujtojnë se barazia, të drejtat e njeriut dhe demokracia nuk mund të merren si të mirëqena. Ata duhet të ushqehen, të mbrohen dhe të avancohen me çdo kusht, dhe ne jemi krenarë që jemi të pozicionuar në mënyrë unike për të vlerësuar dhe promovuar këto vlera.”

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI
-Advertisement-

Të tjera