Lajme

Kurti: Masat e BE-së po e dëmtojnë Kosovën në aspektin financiar

Autori: Gazeta inFokus 14:07 | 29 August 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për “Bloomberg” të dhënë të hënën në Slloveni, përveç normalizimit të raporteve me Serbinë dhe përmbylljes së këtij procesi deri në pranverën 2024, ka folur edhe për masat e Bashkimit Evropian që janë vendosur ndaj Kosovës si rezultat i veprimeve të Qeverisë Kurti në veri të vendit.

Kurti ka thënë se masat e BE-së po e dëmtojnë Kosovën në aspektin e përkrahjes financiare e materiale, duke përmendur grantet dhe kreditë që Kosova merr nga BE-ja.

Ai ka thënë se po dëmtohen edhe agjencitë shtetërore dhe komuniteti i biznesit.

-Advertisement-

“Masat po na dëmtojnë në aspektin e mbështetjes financiare dhe materiale të fondeve dhe granteve dhe kredive që marrim nga BE-ja. Po dëmtojnë agjencitë tona shtetërore dhe komunitetin tonë të biznesit”, ka thënë Kurti në “Bloomberg”.

Kurti në këtë intervistë ka përmendur sërish pranverën e vitit 2024, si afat deri kur Kosova dhe Serbia, duhet të normalizojnë marrëdhëniet.

Kjo, pasi siç ka thënë kryeministri kosovar, ka një urgjencë për normalizim të marrëdhënieve para zgjedhjeve që pritet të mbahen vitin e ardhshëm në SHBA dhe BE.

“Ka një ndjenjë urgjence për zbatimin e marrëveshjes dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përqendruar në njohjen reciproke de-facto, më së voni deri në pranverën e vitit të ardhshëm”, tha Kurti në një intervistë për “Bloomberg”, përpara se siç ka thënë ai “aleatët të preokupohen me zgjedhjet në SHBA dhe BE në pranverën e 2024-ës”.

Kujtojmë se më 3 qershor, liderët e BE-së i bënë thirrje së bashku Serbisë dhe Kosovës që të de-përshkallëzojnë tensionet dhe t’i kthehen dialogut.

Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave, BE-ja ka vendosur disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat janë ende në fuqi.

Deri tash, dy herë nga 25% ka pasur largim të dalëngadaltë të trupave të Policisë së Kosovës nga veriu.

Kryeministri i vendit Albin Kurti ka kërkuar nga BE-ja që të largojë masat shtrënguese, duke pasur parasysh se Kosova ka bërë hapa drejt depërshkallëzimit të situatës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!
-Advertisement-

Të tjera