Lajme

Kurti homazhe para varrit të Ilaz Kodrës, Deliu: Para dy muajsh ia largoi bashkëshorten nga puna

Autori: Gazeta inFokus 19:11 | 30 April 2022

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu ka shkruar në 23-vjetorin e rënies së heroit Ilaz Kodra, si bashkëfamiljare e tij. Ajo ka thënë se kryeministri Kurti, ndonëse e përkujton dhe bënë homazhe para varrit të heroit Kodra, gruan e tij, Kimeten, e ka pushuar nga puna dy muaj më parë.

Deliu ka thënë se për familjen Kodra, 30 prilli është ditë përkujtimi dhe krenarie.

“Si familjarë të komandantit Ilaz Kodra, 30 prilli për ne është ditë përkujtimi dhe krenarie. I tillë ishte edhe sot. Në emër të familjes, i falënderoj të gjithë të afërmit dhe miqtë që na qëndruan pranë dhe ndan me ne dhimbjen dhe kujtimet për të. Për nderimet e sotme, po ashtu, e falënderoj edhe kryeministrin Kurti. Megjithatë, e ndjej për obligim ta them edhe publikisht, që menaxhmenti i ri i Postës së Kosovës, i zgjedhur aty nga Qeveria Kurti, si vazhdimësi e largimeve politike nga puna në këtë institucion, para dy muajsh e ka larguar nga puna edhe bashkëshorten e Ilazit, Kimeten. Ajo tani është duke i kërkuar të drejtat e saj në rrugën ligjore”, ka shkruar ajo.

-Advertisement-

Deliu ka thënë se e ndjeu obligim që ta përmend këtë fakt sot, si e vetmja anëtare e familjes së komandantit Ilaz Kodra, që është aktive në politikë.

“Por, mbi të, përveç dhimbjes që ndjen vazhdimisht për humbjen e njeriut më të dashur, sot rëndojnë edhe padrejtësitë e pushtetit të kryeministrit Kurti. E ndjeva për obligim ta them këtë, pasi që unë jam e vetmja anëtare e familjes së komandantit Ilaz Kodra, që jam pjesë aktive e politikës. Familja Kodra nga Prekazi gjithmonë ka qenë e përndjekur, gjithmonë e persekutuar, gjithmonë e diskriminuar, por asnjëherë nuk është dorëzuar! Kimetja, sot është qytetare e këtij vendi dhe një nënë që i ka rritur vajzat e saj dhe të Ilazit me punë dhe përkushtim të pandalshëm. Nderime përjetë komandantit Ilaz Kodra dhe të gjithë të rënëve për lirinë tonë!”, ka shkruar ajo.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë

Të tjera