Lajme

Kurti e Osmani në SHBA, eksperti i energjisë tregon se çfarë sjell marrëveshja me MCC-në

Autori: Gazeta inFokus 17:46 | 25 July 2022

Eksperti i energjisë, Lulzim Syla ka treguar në Frontal të T7 se çfarë do t’i sjell Kosovës marrëveshja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani udhëtuan sot drejt SHBA-së për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, që u konsiderua si investimi më i madh ndonjëherë në fushën e energjisë.

“Është një projekt shumë i mirë dhe vjen në një momentum shumë të mirë për vendin, sepse ka të bëjë drejtpërdrejt me fuqizimin e sektorit të energjisë, duke pasur parasysh që bazohet në tri komponentë, dy prej të cilave janë shumë me rëndësi vitale për vendin. Kemi parasysh se njëra ka të bëjë me instalimin e një baterie prej 300 megavat orë, që parashihet të jetë përveçse potencial për ruajtjen e energjisë elektrike në rastet e krizave të caktuara, gjithashtu do të jetë një mekanizëm që do ta rregullojë edhe frekuencën e energjisë”, tha Syla.

-Advertisement-

Kosova, nga kjo marrëveshjeje pritet të përfitojë edhe një “sistem i cili i balancon kërkesat për energji”.

Ai tha se tani është vështirë të parashikohet se sa do të zgjasë ky projekt.

“Po të flisnim para 3 viteve, do të ishte shumë më i lehtë parashikimi deri në përfundimin e këtij projekti”, tha ai.

Sipas Qeverisë, objektivi kryesor i këtij projekti është sigurimi i stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në Kosovë dhe tranzicioni në energji më të pastër në të ardhmen. Objektiv tjetër i projektit është edhe zhvillimi i shkathtësive në fushën e energjisë dhe ngritja e punësimit të grave në këtë fushë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Për Festën e Bajramit, ZBRITJE deri n’KUPË t’QIELLIT!

Të tjera