Lajme

Kurti: Barazia gjinore është themeli i barazisë shoqërore

Autori: Gazeta inFokus 12:57 | 08 March 2022

Me rastin e 8 Marsit, Ditës së Gruas kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se barazia gjinore është themel i barazisë në shoqëri, shkruan Gazeta Infokus.

Kurti këtë e tha në ngjarjen e organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, me temën “Zhbëjmë paragjykimet, punojmë për gjithëpërfshirjen”.

“Gratë e bëjnë aktivizmin e dyfishtë: merren me politikat e përgjithshme, por gjithsesi edhe me çështjet gjinore. Gratë nuk punojnë vetëm për gratë, por ato punojnë po ashtu edhe për gratë, sidomos për gratë. Duhet t’i aktivizojmë gratë e shkolluara e duhet t’i shkollojmë sa më lartë gratë aktive” tha kryeministri Kurti.

-Advertisement-

Gjatë fjalimit të tij, i pari i qeverisë, përmendi ndarjen e bursave për të ndihmuar avancimin e vajzave në shkencë.

Ndërkaq, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje tha se është duke punuar në fuqizimin ekonomik të grave.

“Po punojmë për fuqizimin ekonomik të grave dhe pavarësimin financiar, nëpërmjet zgjerimit dhe zhvillimit të Masave Aktive të Punësimit. Njëkohësisht edhe për realizimin e të drejtës në pronë dhe trashëgimi; uljen e punësimit joformal dhe përmirësimin e kushteve në vendin e punës për gratë dhe vajzat”, shtoi Kurti.

Gjithashtu ai bëri të ditur se vitin 2022 e kanë filluar me miratimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave.

“Një shoqëri ku të gjithë janë të sigurt dhe të barabartë, jetojnë pa frikën apo kërcënimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, ku qëllim është të parandalohet dhe mos tolerohet dhuna, të mbrohet, riintegrohet dhe fuqizohet viktima, si dhe të vendoset kryerësi para përgjegjësisë”, tha kryeministri Kurti./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…

Të tjera