Kujt i paguajnë qira partitë politike të Kosovës?
Autori: Gazeta inFokus 12:57 | 19 November 2018
Disa nga partitë më të mëdha politike në Kosovë që nga formimi i tyre janë vendosur në objekte të ndërmarrjeve shoqërore apo ndërtesa private në qendër të Prishtinës. Për një kohë të gjatë të veprimtarisë se tyre, nuk është bërë e qartë se kujt ia kanë paguar qiranë – nëse kanë paguar fare.
Në këtë hulumtim përmenden katër parti politike, për selitë qendrore të të cilave Radio Evropa e Lirë ka raportuar edhe më parë.
PDK
Selia qendrore e Partisë Demokratike të Kosovës, është e vendosur në Sheshin “Nëna Terezë” në qendër të Prishtinës. Kjo parti është themeluar në vitin 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë.
Basri Musmurati, sekretar në Partinë Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka informacione nëse kjo parti i ka paguar dikujt qira deri në vitin 2011.
Zyrat e PDK`së, Prishtine. 21 Maj 2015. Photo:Atdhe Mulla.
Objekti që shfrytëzon ky subjekt politik, sipas Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ka qenë në pronësi të Ndërmarrjes Shoqërore “Drithnaja”.
Kjo ndërmarrje është privatizuar në valën e 44 të privatizimit, konkretisht në fillim të vitit 2011, në një vlerë prej 371 mijë eurosh, nga Burim Marmullaku.
Nga ky vit nis edhe shpagimi i qirasë. Megjithatë, objekti nuk figuron i regjistruar në regjistrat kadastrale të Komunës së Prishtinës, në emër të pronarit të ri.
“Objekti ku gjendet selia e PDK-së në sheshin Nëna Terezë, evidentohet mbi parcelën kadastrale me sipërfaqe prej 2.827 metrash katrorë, në pronësi të Ndërmarrja për prodhimin e Drithnajës, pjesa e pronës ¼ dhe Oda Ekonomike e Kosovës – Prishtinë, pjesa e pronës ¾”, thuhet në një përgjigje me shkrim të zyrtarëve të Komunës së Prishtinës për Radion Evropa e Lirë.
Pas procesit të privatizimit në vitin 2011, Partia Demokratike e Kosovës ka lidhur kontratë për qira me dy pronarë, thotë zoti Musmurati.
“I kemi dy pronarë, të cilëve ua paguajmë qiranë. Njërit i paguajmë 2.890 euro në muaj, kurse tjetrit rreth 1.600 euro në muaj”, tha Musmurati, duke shtuar se njëri prej tyre është zoti Marmullaku, kurse tjetri është Rexhep Avdiu. Ky i fundit është pronar i një hapësire ku është vendosur Oda Ekonomike e Kosovës, në kuadër të selisë qendrore të PDK-së.
Zoti Marmullaku nuk ka pranuar të flasë për Radion Evropa e Lirë, kurse Avdiun më gjithë përpjekjet ka qenë e pa mundur të kontraktohet.
LDK
Selia kryesore e partisë tjetër, Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjendet në kompleksin ‘Qafa’ në Rrugën e UÇK-së në Prishtinë.
Lutfi Zharku, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se objekti në të cilin vepron LDK-ja, është blerë para luftës në Kosovë dhe se është pronë e LDK-së.
Por, as “objekti në emër të LDK-së, nuk figuron i regjistruar në regjistrat kadastralë të Komunës se Prishtinës”, thuhet në një përgjigje të zyrës për informim të kësaj komune.
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i është përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të shpjeguar arsyen e mosregjistrimit në librat kadastralë.
AAK
Edhe çështja e pronësisë së selisë ku ushtron aktivitetin politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ngre disa pyetje. Në regjistrat kadastralë, kjo pronë evidentohet në emër të Institutit për Hulumtime Shkencore në Bujqësi.
Ky objekt është i vendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë.
Instituti Bujqësor, funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës. Drejtori i këtij Instituti Fehmi Geci, ka thënë përmes postës elektronike për Radion Evropa e Lirë se AAK- ja ka lidhur kontratë me këtë Institut më 11.04 2018 dhe paguan qira mujore prej 2.450 euro në muaj apo 2.5 euro për metër katror.
Hapësira e Objektit të shfrytëzuar, sipas Gecit, është rreth 980 m2.
“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka lidh kontratë për dhënie në shfrytëzim partisë politike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – AAK. Vlera mujore e qirasë është 2,450 euro, ndërsa qiraja vjetore është 29,400 euro”, ka thënë Geci.
AAK si parti politike është themeluar në muajin maj të vitin 2000 – për 18 vjet me radhë nuk ka pasur kontratë të rregullt më Institutin Bujqësor.
Lulzim Leci, sekretar në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës konfirmon për Radion Evropa e Lirë se janë të rregullt në pagesën e qirasë mujore që nga lidhja e kontratës në muajin prill të këtij viti.
Vetëvendosje
Partia tjetër parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje, selia qendrore e së cilës gjendet në rrugën Kasëm Haxhimurati në lagjen Arbëria në Prishtinë, është pronë private. Bekim Gashi, drejtues i sekretariatit të financave në këtë parti, ka thënë përmes postës elektronike për Radion Evropa e Lirë, se objekti ku zhvillon veprimtarinë Vetëvendosje është në pronësi private dhe qiraja mujore bruto është 1,923 euro.
Zyrtarë të Komunës së Prishtinës kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se objekti ku është vendosur selia e Lëvizjes Vetëvendosjes, “është në pronësi private me sipërfaqe 508 metra katrorë”. Emrin e pronarit ndërkaq nuk e kanë publikuar as zyrtarët e Komunës dhe as ata të Lëvizjes Vetëvendosje.
Raportet Financiare
Duke iu referuar viteve të para të pasluftës, Arton Demhasaj drejtor i organizatës joqeveritare “Çohu”, thotë se partitë politike duhet të japin shpjegim pse nuk kanë paguar qira për aq vjet, pavarësisht se tani kanë filluar të paguajnë.
“Kjo nuk i amniston nga e kaluara dhe partitë e politike edhe sot janë të obliguara të tregojnë se çfarë ka ndodhur, pse nuk kanë paguar qira”, thotë zoti Demhasaj.
Transparenca rreth financimit dhe shpenzimeve të partive politike ka qenë dhe mbetet një prej ngecjeve të vazhdueshme të Kosovës, që është evidentuar gati se në të gjitha raportet e progresit të Komisionit Evropian.
Partitë politike thuhet se bëjnë shpenzime shumë më të mëdha financiare, krahasuar me mjetet që atyre u ndahen nga buxheti i Kosovës.
Në vit, partive politike, të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës nga buxheti i Kosovës, u ndahen më shumë se 4 milionë euro.
Kjo shumë atyre u ndahet më pas mbi bazën e përfaqësimit të numrit të ulëseve të fituara në Kuvend për një mandat.
Madje, në bazë të Ligjit për financimin e subjekteve politike, partitë janë të obliguara që të publikojnë për çdo vit raportin vjetor financiar, që tregon të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e partisë.
Raportet e fundit financiare të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe Lëvizjes Vetëvendosje janë të vitit 2016. Derisa në ueb faqen e Partisë Demokratike të Kosovës nuk figuron asnjë raport financiar.
Të tjera
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...
-
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Poloni
Ushtarët ukrainas janë trajnuar nga trupat e NATO-s që kur Rusia sulmoi Ukrai...
-
Mediat ndërkombëtare jehonë lajmit për mbylljen e TikTok në Shqipëri
Lajmi për mbylljen e TikTok në Shqipëri ka gjetur pasqyrim të gjerë në mediat...