Lajme

Kryeziu: Ndoshta de jure po e shtrijmë sovranitetin në veri, por de fakto kemi dështuar

Autori: Gazeta inFokus 22:17 | 24 May 2023

Tre kryetarët e zgjedhur të tri komunave në veri të Kosovës, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, nesër do të bëjnë betimin si kryetarë të rinj të këtyre komunave.

Kryeministri Albin Kurti tha sot se betimi do të ndodhë nëpër objekte publike, pa specifikuar se në çfarë objektesh e ka fjalën.

Pikërisht për këtë çështje, opinionistja Laura Kryeziu ka thënë se kjo tregon paaftësinë e vendit për ta shtrirë sovranitetin e plotë në këtë pjesë të Kosovës.

-Advertisement-

Ajo tha se de jure, mund ta shtrijmë sovranitetin në këtë pjesë të territorit, por thekson se “de fakto kemi dështuar”.

“Nesër kemi me pas një situatë në të cilën kemi me qenë dëshmitarë se kush e udhëheq veriun e vendit tonë. Nëse themi se këta kryetarë betimin kanë me dhënë në objekte publike, munden me qenë edhe në baraka siç u mbajtën zgjedhjet. Për mua kjo është e dhimbshme sepse tregon paaftësinë dhe fuqinë e vendit tim dhe qeverisë time në të cilën, pavarësisht rrethanave dhe pavarësisht përpjekjeve, ne do ta vërtetojmë që ndoshta de jure po mundohemi ta shtrijmë sovranitetin tonë atje, por de fakto jemi të dështuar”, deklaroi Kryeziu në Rubikon me Adriatik Kelmendin.

Sipas saj, Serbisë po jepen mundësi të arta me veprimet që po i ndërmerr qeveria e vendit tonë. Ajo tha se e tëra ka nisur me vendimin për targat, kur qeveria refuzoi kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare prë shtyrje të vendimit.

“Janë disa mundësi të arta që iu janë dhënë Serbisë, dhe këto zgjedhje janë kronologji e zhvillimeve politike të cilat ndodhën, prej targave, prej refuzimit të mosbashkëpunimit me komunitetin ndërkombëtar për shtyrjen e afatit të targave për 50 ditë. Dhe natyrisht këtë mundësi të artë e shfrytëzoi Vuçiqi me një veri që ishte i pezulluar nga të gjitha institucionet e jetës publike, shkuam në një marrëveshje të Ohrit. Dhe nëse kjo që po ndodh në veri nuk është shkelje e marrëveshjes së Ohrit, nuk e di se si mund të pretendojmë të ecim përpara dhe të shkojmë të dialogojmë kinse jemi duke i përmbushur marrëveshjet”, shtoi Laura Kryeziu.

Ajo tha se shkelja e marrëveshjes së Ohrit ka të bëjë me thirrjen e Serbisë për bojkot të zgjedhjeve në veri, që u mbajtën më 23 prill, por që u bojkotuan masivisht nga serbët lokalë të atjeshëm pas thirrjes së Serbisë, gjegjësisht të Listës Serbe për mospjesëmarrje pa u themeluar Asociacioni.

“Kjo është shkelje. Serbia është duke vepruar në këtë mundësinë e artë që i është dhënë dhe dërgon edhe sinjale te komuniteti ndërkombëtar se nuk është e interesuar për asnjë lloj asociacioni për të cilin ne kemi presion të jashtëzakonshëm. Serbia është e interesuar për territorin, është e interesuar ta territorializojë pjesën e Kosovës dhe të gjitha këto përpjekje hyjnë në atë fokus. Përndryshe, gjithashtu një prej dështimeve është se ne nuk mund të zgjedhim nga shumica e qytetarëve, që janë serbë në veri, të zgjedhim përfaqësues. Kemi 3-4 për qind të qytetarëve që u janë përgjigjur thirrjes për dalje në zgjedhje. Edhe nëse nesër betohen këta kryetarë, administrimi i komunave nga ta është i pamundshëm”, deklaroi Kryeziu.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera