Lajme

KRU “Prishtina” apelon gjobën e AIP-së, thotë se ishte vendim i ngutshëm

Autori: Gazeta inFokus 19:28 | 27 August 2024

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), e ka gjobitur me 20 mijë euro Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, për shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Mirëpo nga kjo kompani kanë thënë se vendimin e kanë marrë me shqetësim dhe e konsiderojnë të ngutshëm në kontekstin e zbatueshmërisë.

Zëdhënësja e kësaj kompanie Arjeta Mjeku, tha për Klankosova.tv se vendimi i AIP-së është apeluar dhe është kërkuar nga gjykata kompetente për pezullim të këtij vendimi, deri në një shqyrtim të rregullt gjyqësor.

-Advertisement-

Ajo tha gjithashtu se kompania është përballur me sfida që sipas saj i kanë pamundësuar të sigurojë zbatimin e mbrojtjes së të dhënave personale.

“KRU ‘Prishtina’ Sh.A., ka filluar shpërndarjen e faturave të mbyllura në pliko, mirëpo ka qenë e pamundur të fillohet për të gjithë konsumatorët duke marrë për bazë numrin e lartë dhe koston. Praktikisht ekzistojnë edhe vështirësitë në implementim e të cilat nuk varen krejtësisht nga KRU ‘Prishtina’ siç janë kutitë postare te objektet kolektive të konsumatorëve të cilat mungojnë e që do të lehtësonin këtë proces”, deklaroi Mjeku për Klankosova.tv.

Ajo tha se mbrojtja e të dhënave personale dhe ruajtja e privatësisë, janë ndër çështjet që kompania, sipas saj, i konsideron si më të rëndësishmet, dhe se janë duke u bërë përpjekjet maksimale në zbatim të plotë të këtyre kërkesave.

AIP, para Ujësjellësit “Prishtina”, me 20 mijë euro e kishte gjobitur edhe Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO).

Kjo gjobë sipas AIP-së, ishte shqiptuar me arsyetimin se KESCO ka dështuar të zbatojë masat e sigurisë për të mbrojtur të dhënat personale të qytetarëve.

AIP në fund të muajit shkurt kishte kërkuar që faturat të vendosen nëpër zarfe kur të njëjtat të shpërndahen te qytetarët. Ndërsa afati për plotësim të kësaj kërkese ka qenë fundi i muajit qershor, data 30.06.2024.

“Kërkesa është adresuar për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve, duke parandaluar ekspozimin e paautorizuar të tyre”, thuhej në njoftimin e AIP-së më 02.07.2024.

“Ndërmarrjet Publike dhe Private janë të obliguara të ndërmarrin masat e duhura të sigurisë me rastin e ofrimit të shërbimeve për qytetarët (shpërndarjes së faturave) dhe të vendosin masat e duhura teknike dhe organizative për të siguruar një nivel sigurie të përshtatshëm ndaj rreziqeve të mundshme të keqpërdorimit të të dhënave personale të qytetarëve”, ishte thënë në njoftimin e 2 korrikut të këtij viti.

AIP ka kërkuar nga ndërmarrjet publike zbatimin e rregullave dhe standardeve për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Kosovës siç përcaktohet me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Qëllimi i Agjencisë për Informim dhe Privatësi është përmbushja e mandatit të saj ligjor në mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve për të  parandaluar ekspozimin e paautorizuar të tyre.

AIP kishte njoftuar që kërkesa është dërguar te Ndërmarrjet Publike Qendrore dhe Lokale: Ndërmarrja Publike Qendrore “KEDS’’, Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina’’ Prishtinë, Ndërmarrja Publike “Termokos”, Sh.A, në Prishtinë, Ndërmarrja Publike “Hidromorava” Gjilan, Kompania Rajonale “Hidrodrini” Pejë, Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Bifurkacioni” Ferizaj, Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” Sh.A- Prishtinë, Kompania Rajonale për Mbeturina “Ekoregjioni” sh.a në Prizren, Kompania Rajonale për Mbeturina N.P.L “Higjiena” në Deçan, Ndërmarrja Publike e Ujësjellësit “Mitrovica” në Mitrovicë, Kompania Rajonale për Mbeturina “Çabrati” në Gjakovë, Kompania Rajonale për Mbeturina “Ecohigjiena” në Gjilan, Kompania Rajonale për Mbeturina “Pastërtia” në Ferizaj, Kompania Rajonale për Mbeturina “Ambienti” SHA në Pejë dhe Kompania Regjionale e Ujësjellësit KRU “Hidroregjioni Jugor” sh.a, në Prizren.

Komisionerja e AIP-së, Krenare Sogojeva në muajin mars kishte thënë se do të bëhen inspektime nëse kjo kërkesë ligjore është duke u respektuar.

Sipas saj, nëse gjenden shkelje, ndërmarrjet e sipërpërmendura mund të dënohen me nga 20 deri në 40 mijë euro minimalja, ndërsa nëse shkeljet janë të vazhdueshme, gjoba mund ta mbyllë edhe ndërmarrjen. /Klankosova.tv

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë
-Advertisement-

Të tjera