Kriza financiare mund ti prek përsëri shqiptarët
Autori: Gazeta inFokus 09:41 | 16 October 2018
Vetëm një dekadë më parë ka ndodhur dhe frika po rritet ditë pas dite se mos kriza në sistemin financiar mund të ndodhë përsëri, por me një forcë edhe më të madhe. Në atë kohë, qeveritë e vendeve më të mëdha ekonomike edhe pse u kapën në befasi e ndaluan shkatërrimin efekt domino të sistemit financiar. Qëllimi i vetëm ishte parandalimi i një tjetër krize të madhe financiare, që do të ishte jo vetëm shkatërruese për sistemin aktual financiar, por edhe atë politik, ekonomik dhe rendin social.
Krizat nuk janë një lajm i ri për vendet e zhvilluara dhe në zhvillim, pasi në katër dekadat e fundit kanë ndodhur me qindra kriza bankare, monetare apo falimentime të vendeve të ndryshme si pasojë e borxhit publik. Ajo çfarë nxorën vendet kapitaliste si mësim nga gjithë këto raste ishte përmirësimi i kuadrit rregullator në funksion të rritjes së stabilitetit financiar. Ndërsa, politikanët që kanë marrë vendime për pjesën tjetër të sistemit, që lidhet me financat publike, ndikimet mbi modelet dhe trendet e zhvillimit të ekonomisë, si dhe politikat sociale e kanë orientuar sistemin drejt një të ardhmeje edhe më të paqartë se përpara krizës së 10 viteve më parë. Me lehtësinë më të madhe, vendimi i politikës ishte përdorimi i parave të taksapaguesve. Ky vendim në fakt, synonte mbulimin e dështimeve të politikave ekonomike dhe monetare në vite, që kanë ndikuar në mos shpërndarjen e të mirave ekonomike drejt shumicës (qytetarëve), por drejt një pakice (oligarkëve), që ndodhet në krye të piramidës ekonomike dhe politike. Janë kjo pakicë që kanë përdorur me tepri dhe sistematikisht edhe paratë e taksapaguesve vit pas viti.
Tanimë, që koha na ka prurë 10 vite më vonë duket se është momenti të kërkohet sqarim se çfarë zbatuan ndryshe politikanët, burokratët dhe oligarkët nga gjithë kjo histori e tmerrshme për shumicën. Ideja kryesore që duhet të përshkojë mendjen e gjithsecilit është se duke nxjerrë mësime nga historia mund të parandalohet një tragjedi e ardhme, pasi sistemi financiar, por edhe ai politik e social nuk do t’i rezistonte dot një vale goditëse financiare të re. Thjesht sistemi është bërë më pak rezistent dhe është i lodhur. Bankat qendrore mund të përdorin normat e interesit për të nxitur kreditimin e ekonomisë dhe rrjedhimisht konsumin, ashtu si edhe financat publike mund të mbajnë në një stabilitet të caktuar rritjen e borxhit publik. Por, nëse ekonomia nuk e ka qartësinë që të mund të shihet nga të gjithë, atëherë e vërteta e pathënë shkoqur duhet të zbulohet për taksapaguesit. Atyre duhet t’u thuhet se gjithë këto publicitete për sigurinë e sistemit financiar dhe faktet, që publikohen se ekonomia është produktive dhe e qëndrueshme janë lajme të pasinqerta. Në realitetin që jetojmë, ajo që aq shumë reklamohet si siguri për rritjen ekonomike, në fakt është pasiguri. Ky realitet doli i qartë, kur kriza financiare goditi vendet e zhvilluara, por edhe ecuria që vijon të sinjalizojë se kriza mundet të rikthehet. Ashtu si dëmi që sjell një cunam, po ashtu edhe kriza financiare nuk pyeti për qëndrueshmërinë ekonomike dhe surpluset ndër vite të ekonomive të zhvilluara dhe në zhvillim.
Rreziqet për Shqipërinë
Por, sa afër dhe larg është Shqipëria me gjithë këtë histori dhe sa preket ajo nga këto valë goditëse financiare? Prej disa vitesh në Shqipëri ka një situatë të financave publike më të qartë se më parë, me një borxh publik në ulje, me një politikë monetare që synon të nxitë eksportet, si dhe me një ritëm rritje të të ardhurave të buxhetit vit pas viti. Por, nëse bëjmë krahasimin me të njëjtët tregues të vendeve që u prekën nga kriza financiare, atëherë shikon disa mospërkime. Së pari, në vendet që u goditën nga kriza pati ulje të të ardhurave të buxhetit, pasi ra ekonomia. Në Shqipëri ndodh gjithnjë një trend rritës i tyre. Me këtë situatë, kuptohet se informaliteti dhe evazioni janë pjesa që ende mban nën kapacitetet që duhet të shfrytëzojë buxheti, për të rritur performancën e tij. Së dyti, në vendet e goditura nga kriza ka një polarizim mjaft më të madh se në Shqipëri lidhur me shpërndarjen e prodhimit kombëtar dhe vlerës së shtuar nga rritja ekonomike. Në Shqipëri, ky tregues është duke ecur drejt polarizimit, por nuk ka ende nivele të larta. Por, nëse nuk do të ekzistonte informaliteti ky fenomen do të ishte shumë më afër situatës në vendet e goditura nga kriza financiare. Së treti, në Shqipëri nuk ekziston ende një treg financiar që të ketë organizimin, ndërlidhjen dhe formalitetin që kanë tregjet e vendeve të zhvilluara ekonomike. Tregu financiar është i vogël dhe jep e merr me ekonominë informale dhe ende mbetet peng i moszbatimit të plotë të kuadrit ligjor. Politika e financave publike dhe ajo monetare deri më sot kanë përkuar në idenë e mbajtjes së një rigoroziteti në uljen e shpenzimeve duke synuar uljen e borxhit publik. Por, sa funksionon kjo në vende të tjera që zbatojnë një disiplinë financiare të ngjashme me Shqipërinë? Nëse analizojmë fakte nga vende që zbatojnë politika që synojnë ulje të deficitit buxhetor, vërejmë se ekonomia dhe konsumi në këto vende kanë humbur konfidencën te politika dhe nuk është bërë i mundur një rikuperim i menjëhershëm i rritjes ekonomike.
Pse kështu?
Bizneset investojnë kur shikojnë se tregu ka vend për ta dhe ka mjaftueshëm konsumatorë që shpenzojnë për produktet dhe shërbimet e tyre. Nëse qeveria e kthen në të vetmin qëllim financiar të saj uljen e borxhit publik, përveç arritjes së këtij treguesi, nga ana tjetër, ka ndikuar edhe në uljen e fuqisë blerëse dhe rritjes ekonomike pa mundur të shfrytëzojë plotësisht kapacitetet në dispozicion. Në ndërthurjen e politikës së financave publike me atë monetare duhet të synohet përdorimi me rigorozitet i mekanizmave të tillë, si: Lehtësimit Sasior, dhe akoma më tej të Financimit Direkt Monetar, thënë shkurt printimi i parave me dedikim të përdorimit të tyre. Kjo ndërthurje është përdorur prej disa vitesh edhe në Europë, ku Banka Qendrore Europiane shpërndau mjaftueshëm para në ekonomi, me qëllimin që ato para do të përdoreshin nga taksapaguesit. Por, kjo politikë nuk dha efekt, pasi ato para nuk shkuan në duart e konsumatorëve dhe taksapaguesve. Paratë shkuan për të likuiduar borxhet e bankave dhe shoqërive të mëdha.
Ku qëndron defekti i politikës?
Paratë shkuan në duart e atyre që nuk janë konsumatorët që përbëjnë shumicën e tregut, por në duart e atyre që paratë i ruajnë për të rritur kapacitetet e bizneseve dhe dividentëve të mëdhenj. Kjo rriti edhe më tej polarizimin e të ardhurave dhe shtimin e aseteve në pronësi të atyre që tashmë u bënë me më shumë para shtesë nëpër duart e tyre. Në këtë histori, nëse nuk nënvleftësohet në Shqipëri politika e lehtësimit sasior, por do të përdoret për të paguar faturat e mëdha sociale që sot i paguan buxheti (pronarët, ish-të dënuarit politikë, pagesa për shpronësime etj.), atëherë në të njëjtën kohë ky destinim e kanalizon paranë në duart e konsumatorëve, pra ndikon direkt në rritjen e fuqisë blerëse. Kjo kategori e konsumatorëve, paranë që do të përfitojë njëherësh, si kompensim të njohur me ligj do ta përdorin në blerje të mirash materiale, në tregun e pasurive të patundshme, në marrjen e shërbimeve të munguara, si dhe në rritjen e forcimin e kapaciteteve individuale (edukim). Nga ana tjetër, kjo tentativë e politikës monetare do të rishpërndajë të ardhura që afektojnë direkt pabarazinë në rritje mes pakicës dhe shumicës. Por, kjo iniciativë e re politike do të ndihmojë edhe në frenimin e populizmit nacionalist dhe politikës që e përkrah atë, duke ua tërhequr qytetarëve vëmendjen me lajme ekonomike dhe në interes të tyre, në vend të një tregu që prodhon vetëm disinformacion dhe që është larg të qenit konkurrues sipas kërkesave të ekonomisë së ardhme. Në Shqipëri nuk ka treg financiar dhe praktikisht nuk ka vend për të folur edhe për kolaps financiar. Historitë e shembjeve të tregjeve për ne mbeten thjesht histori. Por ne duhet të bëjmë ca detyra të thjeshta, që këto vende tashmë i kanë të kryera: Zbatimi i ligjit kudo, kurdoherë dhe për këdo! Te ne politika duhet të vijojë të ruajë të njëjtin vullnet të pakorruptuar për të zbatuar një sistem transparent të shpenzimeve publike në funksion të taksave që duhet të justifikojnë ngushtimin e evazionit tatimor.
Të tjera
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...
-
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Poloni
Ushtarët ukrainas janë trajnuar nga trupat e NATO-s që kur Rusia sulmoi Ukrai...
-
Mediat ndërkombëtare jehonë lajmit për mbylljen e TikTok në Shqipëri
Lajmi për mbylljen e TikTok në Shqipëri ka gjetur pasqyrim të gjerë në mediat...
-
Ndalohet një autobus në Merdare, në një valixhe kapet nga Dogana një armë me 50 fishekë
Dogana e Kosovës ka njoftuar se në pikën kufitare në Merdare gjatë kontrollit...