Lajme

Kritikohet Osmani pasi iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për dy anëtarët e KQZ-së

Autori: Gazeta inFokus 21:39 | 14 May 2021

Nga institucioni më i lartë i drejtësisë në vend, thonë për T7 se tashmë kanë pranuar kërkesën.

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme përcakton që mandati i anëtarëve të rinj të KQZ-së, të fillojë më së voni 60 ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Kështu shefja e shtetit afatin e fundit që ishte 12 maji, e shfrytëzoi për emërimin e 8 anëtarëve të rinj.

-Advertisement-

Këtu përfshihen, dy anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, nga një nga tri partitë opozitare PDK, LDK e AAK dhe tre të tjerë të komuniteteve.

Megjithatë, Vjosa Osmani nuk ka emëruar dy nga dhjetë anëtarët e rinj të KQZ-së.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se, për emërimin e dy anëtarëve të tjerë ekziston një paqartësi e dispozitave kushtetuese, andaj është vendosur t’i drejtohet, Gjykatës Kushtetuese.

Nga institucioni më i lartë i drejtësisë në vend, thonë për T7 se tashmë kanë pranuar kërkesën dhe vendimin do e marrin në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ndaj kësaj kërkese kanë reaguar, komentuesit e punës së Kuvendit dhe Institucioneve të tjera në vend.

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, vlerëson se Gjykata Kushtetuese po përdoret sikur të ishte zyrë Ligjore e Presidencës.

Edhe Eugen Cakolli nga KDI e sheh të gabuar kërkesën e presidentes Osmani, për interpretim nga Kushtetuesja në lidhje me dy anëtarët e rinj të KQZ-së.

Cakolli shton se Kushtetuesja nuk është organ këshillëdhënës, dhe institucionet duhet t’i bëjnë interpretimet vetë.

Sipas Cakollit e Krasniqit, e gjithë çështja është se a duhet t’i takojë LVV-së anëtari i tretë, apo PDK-së anëtari i dytë.

Ndërkohë Betimi i anëtarëve të rinj të KQZ-së, sipas Presidencës do bëhet më së largu, javën e ardhshme.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm

Të tjera