Lajme

“Krimi, në rritje e sipër”: Eksperti i sigurisë dhe psikologu flasin pas rastit të mbrëmshëm tragjik

Autori: Gazeta inFokus 17:36 | 30 November 2023

Vendi është tronditur kur mbrëmë u raportua se një grua u vra në Bërnicë të Prishtinës, ndërsa thuhet se ngjarja kishte ndodhur me qëllimin për të plaçkitur.

Ky rast është vetëm i fundit në vazhdën e sulmeve të armatosura të ndodhura së fundmi me motivin e grabitjes e plaçkitjes – sikurse ai i argjendarisë në Suharekë të mërkurën e kaluar (22 nëntor) ku mbeti i plagosur një polic nga shkëmbimi i zjarrit me plaçkitësit, apo ai i Ferizajt në fillim të këtij muaji ku persona të armatosur shkëmbyen zjarr me policinë.

Dr. Fatmir Çollakaj, ligjërues i lëndëve të sigurisë, në një bisedë me Klankosova.tv, ka përmendur disa nga masat më efektive që do të mund të përmirësonin sigurinë në vend.

-Advertisement-

“Organizimi i kontrollimeve policore në të gjitha qytetet e Kosovës, vazhdimi i veprimeve operative kontrolluese, që ka për rezultat konfiskimin e armëve pa leje, si një masë preventive në parandalim të rasteve kriminale, konkretisht të veprave penale të dhunshme, në kuptimin e vrasjeve, plagosjeve dhe kështu me radhë”, deklaroi Çollakaj.

Tutje ai theksoi se qytetarët duhet të bashkëpunojnë me policinë, duke parë faktin se po avancon niveli i krimit, sepse kështu po rrezikohen qytetarët, ndërsa sipas tij policia nuk mundet të ia dalë e vetme.

Çollakaj, gjithashtu tha se sfidat kryesore të sigurisë janë luftimi i krimit të organizuar dhe i krimit në përgjithësi.

“Sfidat kryesore për sigurinë nacionale të Republikës e Kosovës, edhe për nga aspekti i sigurisë së brendshme, është luftimi i fuqishëm i krimit të organizuar, edhe i krimit në përgjithësi. Me luftim të fuqishëm kuptojmë mbajtja në kontrollin e dëshiruar”, deklaroi ai.

Kjo sipas tij mund të arrihet nga një aktivitet i policisë me veprime represive dhe proaktive, me konsolidimin e bashkëpunimit me komunitetin, dhe me rrjetin e informatorëve, dhe në përdorim të mënyrave tjera legale për të arritur këtë qëllim.

Ndër të tjera, Çollakaj tha se ka nevojë edhe për përmirësimin e pjesës logjistike, në mënyrë që të kapen autorët e krimeve.

“Te pjesa logjistike do të thosha se ka nevojë për përmirësim dhe konsolidim. Kurse në aspektin e teknologjisë dhe të arriturave në kuptimin e zbulimit të kriminalitetit, nuk ka çalim”, tha ai.

Ligjëruesi i lëndëve të sigurisë, theksoi se qytetarët për të përmirësuar sigurinë e tyre duhet të bashkëpunojnë me policinë, të jenë vigjilentë në sjellje, dhe t’i shmangin situatat dhe hapësirat që potencialisht mund të jenë të rrezikshme.

Për vrasjen që ndodhi mbrëmë, është raportuar se së bashku me viktimën, ishin edhe burri dhe fëmijët e saj.

Psikologu klinik, Arbër Zeka, në një intervistë për Klankosova.tv tregon se çfarë pasoja psikologjike mund të kenë fëmijët që janë dëshmitarë të skenave të krimit.

“Kur fëmijët ekspozohen ndaj një ngjarjeje traumatike, e kur përfshihen pa dashje në një skenë krimi të dhunshëm, reagimi i tyre mund të ndryshojë nga fëmija në fëmijë pasiqë ka edhe faktorë të tjerë që mund të kenë ndikim. Disa fëmijë bëhen të frikësuar, duke preferuar të qëndrojnë në shtëpi dhe mund të kenë probleme me gjumin dhe sidomos probleme në përqendrimin. Orekset shpesh ndryshojnë dhe fëmijët mund të ankohen për dhimbje koke, dhimbje barku dhe simptoma të tjera të paqarta. Edhe ndryshimet e vogla në rutinën e tyre të përditshme mund t’i shqetësojnë tmerrësisht. Disa fëmijë të ekspozuar ndaj dhunës mësojnë t’i zgjidhin konfliktet e tyre në mënyrë të dhunshme. Të tjerët duket se bëhen të pandjeshëm ndaj dhunës dhe dhimbjes dhe shqetësimit të të tjerëve. Disa tërhiqen në zonën e tyre të sigurt, duke shmangur njerëzit dhe botën përreth tyre”, tha ai.

Psikologu theksoi se ndonjëherë shoqëria është e pafuqishme për të ndihmuar këta fëmijë.

“Pyetja më e vështirë ndonjëherë është, çfarë mund të bëj për të ndihmuar këta fëmijë? Shumë herë jemi të pafuqishëm. Përfshirja e mbështetjes psikologjike, jo vetëm nga psikologu në këtë rast, mund të jetë një hap pozitiv dhe i domosdoshëm për t’ju ndihmuar. Ka një sërë gjërash që do të mund t’i bënim, e një nga më të domosdoshmet të jemi pranë tyre dhe ta rrisim çdo mbështetje që ju nevojitet për t’ju ndihmuar të menaxhojnë tronditjen dhe reagimet emocionale të cilat ndodhin pas një ngjarjeje të rëndë traumatike”.

Zeka shtoi se duhet pasur parasysh mbështetjen profesionale, në mënyrë që viktimat të mos e kalojnë sfidën të vetëm.

“Gjithnjë duhet të merrni parasysh mbështetjen profesionale, viktimat nuk mund ta kalojnë sfidën vetëm. Nëse nuk do të kemi një adresë të saktë dhe publike për ndihmën e viktimave, gjendja mund të jetë zhgënjyese. Ajo që mendoj se mund të bëjmë është të i inkurajojmë ata që të kërkojnë mbështetje profesionale dhe të ju kujtojmë se sa të fortë dhe të aftë janë. Viteve të fundit kemi krijuar mekanizma mbrojtës të kësaj problematike, por akoma ka shumë punë, sepse krimi ndaj viktimave është në rritje e sipër”, theksoi psikologu klinik, Arbër Zeka.

I pyetur se cilat janë shkaqet më të shpeshta që çojnë dikë të kryejë grabitje e cila rrezikon të përfundojë edhe me vrasje të rëndë, Zeka thotë se këto raste vijnë nga ngjarje të shumta që ndikohen nga kultura e vendit në të cilin zhvillohen ata persona.

“Krimi apo edhe vjedhja nuk ndodh për një shkak të vetëm, por është një ngjarje jashtëzakonisht komplekse që ndikohet nga kultura e vendit në të cilin zhvillohet. Vjedhja (grabitja) ndodh në rrethanat më të rënda dhe zakonisht kërkon ose që gjatë grabitjes të jetë përdorur një armë vdekjeprurëse ose që autori t’i ketë shkaktuar lëndime të rënda trupore viktimës. Grabitja e armatosur zakonisht motivohet nga dëshira për të marrë para, të cilat më pas përdoren shpesh për të blerë drogë; megjithatë, disa grabitës të armatosur përfshihen në krim me qëllimin për të rritur statusin e tyre brenda grupit. Cilido qoftë motivi, akti klasifikohet si krim i dhunshëm, sepse grabitjet e armatosura mund të rezultojnë me plagosje dhe ndonjëherë vdekje për viktimat, shprehet Zeka.

Por, cila është mënyra adekuate që në të ardhmen të reduktohen veprimet e tilla? Zeka thotë se kjo mund të arrihet fillimisht duke ndryshuar mënyrën e jetesës, duke vendosur rregulla dhe duke dënuar krimet, dhe gjithsesi është e rëndësishme që të ketë ligje në mënyrë që të parandalohen krimet.

“Ka shumë hapa të thjeshtë që mund të ndërmarrim për ta bërë komunitetin tonë një vend më të sigurt, vetëm duke ndërtuar marrëdhënie të mirë mes komunitetit social dhe policisë, duke raportuar krimin. Gjithashtu nëse do të rrisnim ndërgjegjësimin dhe do ta bënim më të lehtë zbatimin e ndryshimeve, kurdo që kërkohet të luftohet krimi. Ajo që do të duhej të ndodhte për ta luftuar krimin gjithqysh është të ndërtojmë një komunitetet i cili nuk është aspak mikpritës për kriminelët dhe të telefonohet policia sa herë që shihni diçka të dyshimtë apo të paqartë”, tha psikologu Arbër Zeka.

Në fillim të këtij muaji, katër persona të armatosur kishin tentuar të grabitnin disa bankomate që gjendeshin në parkingun e një qendre tregtare në Ferizaj. Të dyshuarit, sipas Policisë, kanë përdorur eksploziv për ta dëmtuar njërin bankomat, por që nuk ia kanë dalë të marrin asgjë pasi që një patrullë policore ka reaguar menjëherë, me ç’rast ka pasur shkëmbim zjarri mes dy palëve. Nuk është raportuar për viktima apo të plagosur në këtë rast, vetëm se të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

Më 22 nëntor, në orët e pasdites, një grup i armatosur prej katër personash, grabitën një argjendari në Suharekë. Një patrullë policore kishte reaguar ndaj këtij rasti, por që njëri nga personat e armatosur që po qëndronte në veturë në pritje të tre grabitësve që gjendeshin brenda argjendarisë, kishte shtënë me armë zjarri ndaj patrullës policore, me ç’rast një polic kishte mbetur i plagosur. Edhe ata ikën nga vendi i ngjarjes, por sot Policia iu kishte rënë në gjurmë disave prej tyre. Në tentim për kapjen e tyre, pati shkëmbim zjarri mes forcave policore dhe grabitësve të dyshuar, me ç’rast njëri nga të dyshuarit mbeti i vrarë.

E mbrëmë (29 nëntor), persona të armatosur i zunë pritën një veture në fshatin Bërnicë të Prishtinës, me qëllim plaçkitjeje, dhe nga ky rast mbeti e vdekur një grua, e cila gjendej në veturë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre, të cilët fatmirësisht shpëtuan.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…

Të tjera