Lajme

Kreu i ZRrE-së zhvesh mashtrimet e qeverisë Kurti: Rritja e çmimeve është edhe si pasojë e dështimit nga prodhimi i KEK-ut

Autori: Gazeta inFokus 15:18 | 25 January 2022

Kryetari i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu ka justifikuar rritjen e çmimeve të energjisë elektrike gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar të Ekonomisë.

Për dallim nga arsyetimet e deritashme të kryeministrit, Albin Kurti i cili ka thënë se rritja e çmimeve enorme është si pasojë e vetme e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare, kreu i ZRrE-së ka dhënë argumente se kjo rritje e çmimeve në masë të madhe është edhe si pasojë e dështimeve nga prodhimi i parashikuar nga Korporata Energjetike e Kosovës.

Fejzullahu para komisionit të ekonomisë ka treguar se nuk ka mundur të parashikohet kjo rënie e blloqeve duke thënë se në 10 vitet e fundit nuk kemi pasur rënie të tilla të njësive deri në këtë nivel.

-Advertisement-

“Deri në nëntor kostoja e importit nuk ka pasë rritje për dy arsye meqenëse në nëntor prodhimi vendor e ka mbulu kërkesën. Shtetet e ndryshme apo në shtetet e tjera kjo krizë është vërejt edhe më herët. Kosova fatmirësisht në të atë kohë ka pasë 2 termocentrale me blloqet e tyre ne funksion. Çmimi në koston e importit ka qenë minimal. Edhe gjatë këtij shqyrtimi edhe të licencuar vetë e kanë parashiku nëse e shikoni aplikacionet janë publike ka qenë rreth 140 mijë euro për Mwh, duke përfshi krizën. Ne në bazë të hulumtimit të stafit tonë profesional ne kemi propozuar duke u bazuar edhe në vlerësimin e bursave ndërkombëtare. Thashë edhe ma herët as vlerësimi i ZRrE-së, kostoja e importit ka qenë jashtë çdo parashikimi e thashë në asnjë vit nuk ka qenë kjo”, ka thënë ai gjatë raportimit.

Ai ka thënë që në tetor ka filluar rritja e importit në mënyrë të shpejtë dhe me kosto shumë të lartë, në kohën kur në KEK filluan problemet në termocentrale.

“Në bazë të vlerësimit të kostove aktuale në korrik të vitit 2021, janë mbledhur të gjitha kostot e gjenerimit të gjitha kostot e transmetimit të gjitha, te furnizuesi publik dhe në bazë të përfundimit shihet se nuk ka pasë nevojë me u rrit tarifa në atë kohë, mirëpo shihet të njëjtën ne e kemi publiku edhe në raport, mirëpo më vonë në tetor siç e kemi cek edhe në raport fillon rritja rapide e kostos së importit. Ne kemi pasë edhe kosto minimale të importit në shtator sepse e thashë edhe ma herët gjendja është përkeqësuar me rënien e tre njësive të Kosovës A dhe me theks të veçantë të dy njësive të Kosovës B dhe kohëzgjatja. E kjo ka ndiku në rritjen e importit çka e kemi pasë të pamundur me përballu rritjen e kësaj kostoje”, ka deklaruar ai.

Derisa në lidhje me këtë ka reaguar edhe anëtarja e këtij komisioni nga LVV-ja, deputetja Mimoza Kusari – Lila e cila pasi Fejzullahu tha se në këto 10 vite nuk ka pasë rënie të tilla në KEK, pyeti se si ka pasur mundësi që të mos parashikohet rënia e bllokut B2 të termocentralit ‘Kosova B”?

“Ju thatë s’keni mujt me parashiku rënien e bllokut të Kosovës B. Zotëri Fejzullahu për 12 vite sa jeni në ZRrE, sa herë në vit shkon në remont njëra njësi e Kosovës B dhe sa herë bien njësitë e Kosovës A. Jeni tu fol për njësi prej 20 deri në 60 vite të vjetra. Me thon dikush tjetër që është hera e parë në sistem, po. Keni qenë këto vite sa herë në departamentin e tarifave i keni paraparë rëniet ose i keni parë ciklin e remonteve të vazhdueshme që këto blloqe duhet ta kenë, se sinqerisht me thanë tash që ka qenë tërësisht e paditur është pak vështirë e besueshme’, ka thënë ajo.

E në përgjigjen e tij, i pari i ZRrE-së ka përsëritur se nuk mund të parashikohet një rënie e këtyre përmasave për shkak se në 10 vitet e fundit nuk ka ndodhur asnjëherë që të bien të dy blloqet e ‘Kosovës B’.

“Thashë që e kemi paraparë por jo në këtë kohëzgjatje dhe jo trijat përnjëherë dhe dyjat përnjëherë. Këtë javë do ta aprovojmë edhe bilancin për vitin e ardhshëm. Vetëm një gjë është e saktë në raport që ai parashikim, nuk ka mundësi që parashikimi i rënieve të jetë i saktë. Shumë e vështirë është më thënë që në këtë vit në këtë muaj do të bien dy B-jat. Në 10 vitet e fundit asnjëherë nuk ak ndodhë me ra dy blloqet e B-së. ka qenë fatkeqësi që pas kaq vitesh për një kohë të shkurtë kanë qenë dy B-jat jashtë funksionit. Nëse i merrni të dhënat historike mund ta shihni se Termokosi prej vitit 2015 asnjëherë nuk kemi pasë ndërprerje të furnizimit me ngrohje. Këtë vit ka ndodhë kjo është fatkeqësi që thotë populli këto të këqijat vijnë përnjëherë”, ka përfunduar ai.

Kujtojmë se kryeministri Kurti, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka deklaruar se importi për një ditë në Kosovë aktualisht para se blloku B të vihej në funksion ka arritur koston prej 2 milionë e gjysmë euro./Gazeta Infokus/  

Në vazhdim mund të ndiqni videon:

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin
-Advertisement-

Të tjera