Lajme

Kreu i KGJK-së: Nëse na ulin pagat ligjin e dërgojmë në Kushtetuese

Autori: Gazeta inFokus 11:30 | 02 January 2023

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj shprehet se në rast se me Ligjin për paga, që tashmë është miratuar në Kuvendin e Kosovës, parashihet ulja e pagave për gjyqtarët, do t’i shikojnë të gjitha mundësitë që këtë ligj ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj shprehet se në rast se me Ligjin për paga, që tashmë është miratuar në Kuvendin e Kosovës, parashihet ulja e pagave për gjyqtarët, do t’i shikojnë të gjitha mundësitë që këtë ligj ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Krahas këtyre veprimeve për këtë ligj, Zogaj, ndër të tjerash flet edhe për dorëheqjet e gjyqtarëve serbë, mospajtimet me ekzekutivin por edhe punën e këtij institucioni gjatë vitit të kaluar.

-Advertisement-

Kreu i KGJK-së thotë se vazhdimisht ka pasur përpjekje për t’i ulur pagat e gjyqtarëve.

“Ka pas një përpjekje të vazhdueshme për të ulur pagat e gjyqtarëve, ne kur po flasim ende nuk e dimë se sa do të jetë paga e gjyqtarëve… KGJK do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese nëse në Ligjin për pagat do të ketë zbritje për pagat e gjyqtarëve, ne shpresojmë që do të ketë qartësim deri në masë të administratës gjyqësore, shpresoj që do të ketë rritje, sepse ende është enigmë çështja e vlerës së koeficienteve, por që vlerësimet preliminare nënkuptojnë se do të ketë ulje drastike të pagave, diçka që është krejtësisht e papranueshme për KGJK… Nuk mund të ketë ulje të pagave të gjyqtarëve sepse janë legjitimuar pagat me ligj e vendim dhe realisht për 5 vite gjyqtarët kanë pranuar këto paga dhe në kohën e inflacionit të madh dhe krizës të ulen pagat është krejtësisht e papranueshme… Për fat të keq deri tani nuk kemi një refleksion të Avokatit të Popullit as në raport me vendimin e përparshëm dhe as të paktën deri tani të deklaruar me Ligjin e pagave, megjithatë pavarësisht kësaj. gjyqësori do të shikojë të gjitha mundësitë kushtetuese për ta ndjekur çështjen deri në Gjykatën Kushtetuese”, thekson ai.

Sa i takon Ligjit për zyrtarët publikë, i cili tashmë është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese nga partitë opozitare PDK dhe LDK, Zogaj shprehet se ky ligj dëmton organizimin e administratës dhe si i tillë është i papranueshëm edhe për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Gjatë vitit 2022 shpesh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por edhe vetë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë reaguar karshi vendimeve të gjykatave. Rasti i fundit ishte për ish-policin serb, Dejan Pantiq të cilit masa e paraburgimit iu zëvendësua me atë të arrestit shtëpiak.

Këto reagime të ekzekutivit karshi gjyqësorit, Zogaj i konsideron të papranueshme dhe ndërhyrje në sistemin gjyqësor. Ai thotë se vendimet e gjyqtarëve duhet pranohen e jo të komentohen, aq më pak nga kryeministri i vendit.

“Ndërhyrjet e qeverisë përmes interpretimit të vendimeve të gjyqësorit tash nuk janë të pazakonta, kemi në mënyrë të përsëritura, kemi sjellje të tilla të qeverisë në raport me punën e gjyqësorit, por që realisht kjo është një situatë e papranueshme ekzaktësisht siç e ka thënë edhe komunikata e KGJK që të gjithë duhet t’i pranojnë vendimet e gjyqësorit, madje edhe ne që jemi pjesë përbërëse e gjyqësorit dhe administrojmë me drejtësinë, nuk kemi të drejtë t’i komentojmë vendimet e gjyqësorit. Në rastin konkret (të ish-policit Pantiq) gjyqtari kompetent i çështjes në kuadër të departamentit kompetent ka kryer detyrat kushtetuese dhe ligjore duke vendosur për çështjen sipas një kërkese që ka ardhur po ashtu nga një autoritet kompetent… Kjo është ndërhyrje direkte në punën e gjykatave, paramendoni në një vend demokratik kryeministri të interesohet për emrin e gjyqtarit që vendos për një çështje gjyqësore, është absurde dhe e papranueshme”, shprehet Zogaj.

Në “tensionim” të raporteve mes gjyqësorit dhe ekzekutivit ndikoi edhe vendimi i Qeverisë së Kosovës për ulje të pagave për gjyqtarët dhe prokurorët, vendim për të cilin më pas Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e përkohshme të pezullimit.

Kryesuesi i KGJK-së shprehet se në këtë situatë kur siç tha ai, vazhdimisht janë atakuar në forma më të vrazhda nga qeveria kanë vendosur ta reduktojnë komunikimin. Madje, ai thotë se të gjithë gjyqtarët tashmë kanë marrë pagat e muajit dhjetor siç i kanë marr për 5 vitet e fundit.

“Po komunikojmë me institucionet në kuadër të kornizës së përgjegjësive që kemi në bazë të Kushtetutës dhe ligjit, ne kemi vendosur të kemi një reduktim të komunikimit për iniciativat e përbashkëta sepse definitivisht në situatën e krijuar ne kemi vlerësuar se nuk mund të kemi komunikimin të mirëfilltë ndërkohë që ne tërë kohën jemi të atakuar në format më të vrazhda të mundshme prej qeverisë dhe akterëve tjerë në qeveri…. Tash besoj se të gjithë e kanë të qartë se është vendim i paligjshëm, madje është një vendim në kundërthënie edhe me vetë qëndrimin e vetë qeverisë që kishte me çështjen e njëjtë, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe një vendim në kundërshtim me Ligjin për gjykatat sepse pagat e gjyqtarëve janë rritur në bazë të ligjit… Pagat janë ekzekutuar siç kanë qenë për 5 vite për shkak se është pezulluar zbatimi i vendimit të qeverisë dhe ne shpresojmë se do të vazhdojmë kështu deri në momentin që të vendoset të rriten pagat e gjyqësorit”, thotë kryesuesi i KGJK-së për KosovaPress.

Zogaj konfirmon se gjatë shkurtit do të vendosin për dorëheqjet e gjyqtarëve serbë, derisa thekson se situatën në Gjykatën Themelore në Mitrovicën Veriore e kanë trajtuar me shumë kujdes.

Zogaj po ashtu thotë se këtyre gjyqtarëve u është pezulluar paga, ndërsa kanë filluar edhe procedurat disiplinore ndaj atyre që ishin të përfshirë në aktivitet politike.

“Ne kemi trajtuar me kujdes këtë proces, pra të gjithë gjyqtarët dhe stafi janë paguar vetëm për ditët që kanë punuar, janë pezulluar pagat e tyre, ky ka qenë hapi parë, janë filluar procedurat disiplinore ndaj të gjithë gjyqtarëve dhe stafit që kanë qenë të përfshirë në aktivitetet politike që bie ndesh me përgjegjësitë ligjore dhe kushtetuese me etikën e gjyqtarit dhe të gjithë do të marrin përgjegjësi edhe në situatën kur ne do të aprovonim të gjithë dorëheqjet disa nuk do të aprovoheshin pasi disa duhet të marrin masat disiplinore përkatëse… Ne nuk mund të shpallim vende të lira për zëvendësimin e gjyqtarëve pa aprovuar dorëheqjet e tyre, pra do të kemi fillimisht procesin e dorëheqjeve dhe pastaj zëvendësimin e tyre, shtimi i kapaciteteve nuk nënkupton se janë zëvendësuar gjyqtarët, jo thjesht kemi shtuar kapacitetet të përballojmë punën dhe shërbimet në këtë periudhë… Besoj që do të trajtohen gjatë muajit shkurt sepse janari është muaj i intervistave për gjyqtarët e rinj në KGJK”, thekson Zogaj.

Kreu i KGJK-së edhe njëherë rithekson kundërshtimet për procesin e vettingut me ndryshime kushtetuese, i cili sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, do të përfshinte krerët e KGJK-së, KPK-së si dhe krerët e gjykatave.

Sipas Zogajt, me këtë proces vetëm po humbet koha për të zhvilluar reformën në drejtësi.

Ndërsa, adreson kritika për Komisionin Ad-Hock për veting, për çka thotë se deri tani nuk janë ftuar për diskutim ndonëse janë institucioni kyç, madje thekson se në mënyrë absolute do të bashkëpunojnë me këtë Komision.

“E kemi kundërshtuar diskutimin për ndryshime kushtetuese sepse mendojmë se nuk është e nevojshme, edhe tash mendoj se nuk është e nevojshme… Ka pak çudi në këtë proces për shkak se kur shikon përbërjen e grupit ka një dakordim të komplet spektrit politik për vettingun në gjyqësor, njerëzit që nuk dakordohen për asgjë janë dakorduar për gjyqësorin… Ne po e shohim si humbje kohe të reformës në sistemin gjyqësor, e konfirmoj edhe vetë qeveria që është punuar në dy vite në diskutimin në reformën e gjyqësorit dhe pas dy vitesh, cili është rezultati? Ende jemi në pikën zero të reformës në gjyqësor, përveç që ka një opinion të Venecias që mund të bëhet një reformë… Edhe qasja e Komisionit të themeluar nga Kuvendi, pa e paragjykuar fare cila është kryefjala e opinionit të Venecias përfshirje direkte dhe intensive e KGJK-së, ku është KGJK në këtë diskutim…? Absolutisht po KGJK nuk mund të rri indiferent përballë përgjegjësisë kur diskutohet për institucionin që ka përgjegjësinë të bëjë reformën, gjithkush mund të ketë iniciativë për ne por në fund të fundit Kuvendi vendos qoftë për ligj apo ndryshime kushtetuese, prandaj ne nuk mund të jemi indiferent prej këtij procesi”, shprehet Zogaj.

Duke folur për punët që si Këshill Gjyqësor i kanë ndërmarrë në vitin e kaluar, kreu i këtij institucioni, Albert Zogaj vitin 2022 e konsideron më të suksesshmin ndër vite.

Zogaj thotë se gjatë vitit të kaluar si institucion i drejtësisë kanë demonstruarnivel të lartë të përgjegjësisë dhe efikasitetit në punë.

Sipas tij, veprimet e ndërmarra në vitin e kaluar do të shkurtojnë kohëzgjatjen e qëndrimit të lëndëve nëpër gjykata.

“Mendoj se është viti më i suksesshëm i krejt viteve për shkak se në radhë të parë është parë identiteti i gjyqësorit, është prezantuar në mënyrën më transparente të mundshme puna e gjyqësorit, është koordinuar në mënyrën më të mundshme puna e gjyqësorit me partnerët që e mbështesin zhvillimin e gjyqësorit, është dhënë llogari në masën më të mirë të mundshme në çfarë do dimensioni që e sheh punën e gjyqësorit… 22’39 Të arriturat e vitit 2022 mundësojnë që viti 2023 të jetë vit i monitorimit ku ne shpresojmë që do të shkurtojmë kohëzgjatjen e qëndrimit të lëndëve në gjitha gjykatat për shkak se kemi shtuar kapacitetet në Gjykatën Supreme e cila përveç se sot mund t’i kryejë të gjitha lëndët që ka sot Gjykata Supreme, 160 dosje pa përfunduar në fundvit, ka mundësi të jap opinione dhe mendime… Kemi shtuar kapacitetet në Gjykatën e Apelit dhe unë jam shumë i sigurt se në fund të vitit 2023 kohëzgjatja e qëndrimit të lëndëve në Gjykatën e Apelit do të jetë 6 muaj nga 5 vite sa ishte në fillim të vitit 2020 që është diçka e jashtëzakonshme, kemi shtuar numrin e gjyqtarëve në të gjitha gjykatat pa përjashtim”, thotë ai,

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj thotë se sfidë për këtë institucion vazhdon të jetë cilësia dhe kthimi i besimit në gjyqësor. E kur e përmend këtë çështje, Zogaj thekson se tensionet e krijuara me qeverinë nuk i kontribuojnë asaj që qytetarët ta kthejnë besimin në organet e drejtësisë.

Zogaj thotë se gjatë vitit 2022 Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka investuar shumë në lehtësimin e shërbimeve për qytetarët, duke iu mundësuar qytetarëve tashmë nxjerrjen e certifikatës për gjendjen penale dhe përcjelljen e procesit të lëndëve gjyqësore përmes platformave online. /kp

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm
-Advertisement-

Të tjera