Lajme

Krasniqi flet pas zgjedhjeve lokale: Zbulon detaje nga koalicionet nëpër komuna

Autori: Gazeta inFokus 15:57 | 29 October 2017

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi në një prononcim për Gazeta Blic ka folur lidhur me zgjedhjet e fundit lokale dhe rezultatin e Partisë Demokratike të Kosovës, koalicionet e mundshme në vendet ku kanë shkuar në balotazh si dhe zgjedhjet e brendshme në PDK.

Krasniqi tha se rezultati i zgjedhjeve lokale është i kënaqshëm për PDK-në, pasi që sipas tij PDK ka rikthyer një numër të konsiderueshëm të votave nëse bëhet një krahasim me zgjedhjet e qershorit.

“Rezultati zgjedhor është i kënaqshëm për PDK-në. Ne kemi rikthyer numër të konsiderueshëm të votave krahasuar me zgjedhjet e qershorit dhe tani kemi mbi 170,000 vota, që i bie vetëm rreth 10.000 më pak se partia e parë”, tha Krasniqi për Blic.

-Advertisement-

Fajin sipas tij, për rezultatin e PDK-së në këto zgjedhje e ka pasur dalja e vogël e votuesve në zonat që mbështesin këtë parti tradicionalisht.

“E kemi parasysh që në këto zgjedhje kemi pasur dalje më të vogël të votuesve tanë në zonat që na mbështesin fuqishëm tradicionalisht.”, shtoi ai.

Madje, Krasniqi është i sigurt se nëse tash do të mbaheshin zgjedhjet e përgjithshme, PDK do të radhitej si partia e parë.

“Jemi të sigurt se nëse do të mbaheshin zgjedhjet e përgjithshme, ne do të ishim partia më e votuar në Kosovë. Për këtë jemi të gatshëm në çdo kohë.”, pohoi deputeti i PDK-së.

Ndërsa, sa i përket zgjedhjeve komunale dhe koalicioneve të mundshme që mund t’i bëjë PDK në vendet ku ka shkuar në balotazh ai është i sigurt që do të dalin me fitore të fuqishme në të dhjetë komunat ku garojnë.Për Blic, Krasniqi zbuloi se tashmë PDK ka filluar komunikimet me disa partnerë potencial.

“Nga raundi i dytë i zgjedhjeve komunale presim një fitore të fuqishme në të dhjetë komunat ku garojmë. Për këtë tashmë kemi filluar punën, por edhe komunikimet e para me partnerët potencial për qeverisjen e ardhshme katër vjeçare nëpër këto komuna.” tha ndër të tjerash Krasniqi.

Kurse, duke folur për zgjedhjet e brendshme në PDK, ai tregoi se ky proces do të fillojë në fund të vitit dhe ka disa kohë që është planifikuar.

“Procesi i zgjedhjeve të brendshme në PDK do të fillojë nga fundi i vitit dhe është planifikuar që sa kohë, me që ashtu parashihet me statutin e partisë. Për ne reforma nuk është akt, po gjithmonë një proces i vazhdueshëm.”, përfundoi Krasniqi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan
-Advertisement-

Të tjera