Lajme

Kosovarët mbi 65-vjeç s’do mund të shkojnë sivjet në Haxh

Autori: Gazeta inFokus 23:43 | 21 April 2022

Bashkësia Islame e Kosovës është njoftuar tri ditë më parë nga Ministria e Haxhit dhe Umres në Mbretërinë e Arabisë Saudite, që pas dy vjetësh, si shkak i COVID-19, do të mund të kryejnë ritualin e haxhit në Mekë e Medinë.

“Për këtë vit haxhin do ta kryejnë një milion haxhinj brenda Arabisë Saudite dhe jashtë saj. Për mënyrën e ndarjes jemi në pritje dhe në momentin që e kemi numrin se sa na takojnë si Kosovë, do e bëjmë publike”, tha Fitim Gashi, përgjegjës për organizim të haxhit në BIK.

Në vitin 2019, kur u bë edhe shkuarja e fundit nga Kosova, për një person u pagua 4150 euro. Por, këtë vit çmimi për të kryer pelegrinazhin e umres do të jetë më i shtrenjtë.

-Advertisement-

“Do të ketë ndryshime në çmim se edhe atje në Arabi Saudite nuk kishin TVSH, e tash e kanë bërë me 5 për qind dhe gradualisht e kanë rritur”, shtoi Gashi.

Edhe kushtet që duhet plotësuar si shkak i pandemisë do të jenë ndryshe. Mosha nën 65 vjeç, vaksina me dy doza kundër COVID-19 ose një test PCR negativ i vlefshëm 72 orësh, janë kriteret që duhet plotësuar para hyrjes në shtetin arab.

Haxhi kryhet brenda dhjetë ditëve të muajit Dhul Hixhxhe të kalendarit islam. Dhe është një nga pesë shtyllat e islamit, pas besimit, namazit, zeqatit e agjërimit të Ramazanit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit

Të tjera