Lajme

Kosovare Asllani, mes suksesit në futboll dhe frymëzimit të vajzave në sport

Autori: Gazeta inFokus 20:51 | 29 July 2023

Në Zelandën e Re dhe Australi po mbahet kampionati botëror i futbollit për femra. Sot kombëtarja e Suedisë tronditi atë të Italisë me një fitore bindëse 5-0. Kosovare Asllani është një nga sulmueset e ekipit suedez. Në një intervistë për Zërin e Amerikës nga Zelanda e Re, ajo foli për pritshmëritë e saj për këtë Kupë të Botës, ambicien për ta çuar Suedinë drejt fitores, përpjekjet për trajtim të barabartë në futboll dhe lidhjen e saj të veçantë me Kosovën, vendin e saj të origjinës. Me futbollisten Allani bisedoi kolegia Garentina Kraja.

Kosovare Asllani, mes suksesit në futboll dhe frymëzimit të vajzave në sport

Zëri i Amerikës: Jeni në Zelandë të Re dhe kjo është hera e tretë për ju në Kupë të Botës të femrave, me ekipin kombëtar të Suedisë. Si po shkon dhe cilat janë pritjet tuaja në këtë Kupë të Botës?

Kosovare Asllani: Është e vërtetë që jemi një nga ekipet kryesore. Ëndërrojmë të fitojmë. Por, natyrisht se do të jetë vështirë. E dimë se ka shumë ekipe që janë të gatshme për këtë sfidë dhe duan të fitojnë, por mendoj se ekipi ynë e ka kapacitetin për të triumfuar. Por, natyrisht do të jetë shumë vështirë.

-Advertisement-

Zëri i Amerikës: Për momentin jeni në krye të grupit tuaj të vështirë. Cili ekip e konsideroni si kundërshtarin kryesor në këtë Kupë të Botës?

Kosovare Asllani: Është vështirë të flitet për një ekip të vetëm. Janë disa ekipe që do të paraqesin sfidë për ne. Mendoj që Franca e ka një ekip shumë të mirë, gjithashtu Brazili, Anglia. Holanda po ashtu ka një ekip shumë të mirë. Suedia. Pra, ka shumë ekipe që mund të fitojnë. Është vështirë të thuhet një ekip, sepse shumë ekipe së fundi janë zhvilluar shumë. Edhe shtetet më të vogla po luajnë bukur. Për shembull, Afrika Jugore, mendoj se luajtën shumë mirë kundër ekipit tonë. Haiti luajti mirë me Anglinë. Ka shumë ekipe që po luajnë shumë mirë. Andaj, do të jetë sfidë. Por, ne jemi gati.

Zëri i Amerikës: Si përkrahëse e zëshme e femrave në sport, i keni bërë thirrje qeverive, asociacioneve dhe vet FIFA-së për të përkrahur femrat në futboll. A mendon se FIFA e ka dëgjuar këtë apel kësaj here në këtë Kupë të Botës? Çfarë mund të bëjnë më shumë?

Kosovare Asllani: Jemi larg së qenit të barabartë, ka shumë gjëra që duhet bërë akoma. Është hera e parë në këtë Kupë të Botës që FIFA paguan lojtaret. Është shumë e rëndësishme që kjo pagesë t’iu shkojë lojtareve, sepse do të ndikojë në jetën e tyre, e jo të përfundojë në federatat nëpër botë. Fillimisht u angazhuam të rrisim pagesën, por jemi larg të qenit të barabartë. Këtë po e ëndërrojmë ne të gjithë, një botë të barabartë. Ka shumë punë për të bërë dhe vetëm sa kemi filluar.

Zëri i Amerikës: Viteve të fundit, dhe në disa vende, futbollistet me sukses kanë siguruar barazi në paga dhe kjo konsiderohet si një hap i madh për ta siguruar të ardhmen e futbollit. Por, disa beteja po luftohen edhe në aspekte tjera. Njëra nga pyetjet që bëhet shpesh lidhur me lojtaret femra është se si e përshtatin rolin e tyre si nëna me angazhimin e tyre në futboll. Këtë vit, lojtaret e futbollit, për shembull disa lojtare të ekipit kombëtar amerikan, janë nëna dhe futbolliste. A përputhen këto role?

Kosovare Asllani: Njëqind përqind! Njëqind përqind! As që duhet të vihet në dyshim. Duhet siguruar mundësitë të jesh nënë dhe të vazhdosh me angazhimin sportiv. Natyrisht se është sfiduese. Të kthehesh në lojë, ta kthesh trupin në formën paraprake. Është më vështirë për to, por është njëqind përqind e mundur. Në ekipin tonë kemi lojtare që janë nëna dhe është mrekulli të shohësh udhëtimin e tyre kur kthehen dhe se si i tregojnë botës se është e mundur të jesh nënë dhe sportiste. Kjo gjë duhet normalizuar. Ne i luftojmë shumë beteja vetëm me faktin që luajmë, por tani duam të thyejmë edhe më shumë barriera. Duhet të normalizojmë këtë gjë. Nuk duhet ta vëjmë në dyshim, por duhet të sigurojmë burimet dhe t’ua mundësojmë që të kthehen në fushë kur të duan. Por, është njëqind përqind e mundur.”

Zëri i Amerikës: Emri juaj e zbulon origjinën tuaj. Jeni nga Kosova. Si shqiptare nga Kosova, që i takon gjeneratës së dytë, a e vizitoni vendin tuaj të origjinës dhe a mbani kontakte me njerëzit atje?

Kosovare Asllani: Jam shumë krenare me origjinën time. Jam rritur në Suedi, por e vizitova Kosovën disa herë gjatë rinisë time. Isha në Kosovë këtë vit. E takova Presidenten. Jam shumë krenare për prejardhjen time dhe përpiqem të mbaj kontakt me Kosovën. Ka shumë domethënie për mua dhe e kam me shumë rëndësi që e mbaj këtë emër rreth e qark botës. Prindërit e mi janë shumë krenarë që më kanë vënë emrin Kosovare, sepse është nder ta kem këtë emër. Kam dëshirë të mbaj kontakt me rrënjët e mia dhe të kem lidhje të mirë me Kosovën.

Zëri i Amerikës: Kur e vizituat Kosovën, takuat lojtare të reja futbolli. Si t’u duken dhe çfarë duhet bërë për t’i inkurajuar ato në Kosovë dhe më gjerë?

Kosovare Asllani: Vajzave duhet t’u ofrohet mundësi për sukses në këtë sport dhe kjo bëhet duke ju dhënë burimet e duhura dhe më shumë përkrahje. Mund të flasësh gjatë për këtë gjë, por në fund të fundit duhen burimet për të pasur sukses, ato duhet të jenë në gjendje të kenë të ardhura të mjaftueshme për të jetuar nga futbolli, sepse në fund të fundit këtu qëndron problemi në Kosovë dhe në shumë vende tjera të botës.

Po provuat ta lidhni futbollin me një gjini, gjithmonë ekziston tendenca të thoni se është sport i mashkujve. Por, është thjesht një sport. Sporti u takon të gjithëve. Dhe secila vajzë në botë duhet të jetë në gjendje të jetoj ëndrrat dhe të realizojë pasionin e saj përmes sportit.

Pyetja që më është bërë më së shumti kur isha në Kosovë ishte se njerëzit vazhdimisht u thonin se nuk duhet të luajnë futboll, sepse jeni vajza. Këto janë pyetje që m’i kanë bërë edhe mua kur isha më e re. Si shembull, është e rëndësishme për mua të dëshmoj se është e mundur, që ëndrrat mund të realizohen. Duhet ndjekur ëndrrat. Në një vend si Kosova dhe në shumë shtete tjera në botë, është më vështirë, por nuk është e pamundur. Çdo ëndërr mund të realizohet.”

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Për Festën e Bajramit, ZBRITJE deri n’KUPË t’QIELLIT!
-Advertisement-

Të tjera