Lajme

Kosova paralajmëron reciprocitet me Serbinë në leje për vizita zyrtare

Autori: Gazeta inFokus 20:12 | 04 January 2024

Serbia ia ka refuzuar ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, kërkesën për ta vizituar Luginën e Preshevës. Kjo ka nxitur reagimin e Sveçlës dhe zyrtarëve të tjerë qeveritarë që paralajmëruan aplikim të reciprocitetit edhe në këtë çështje. E njohës të raporteve mes dy vendeve thonë se ky refuzim nga ana e Serbisë konfirmon vijimësinë e tensioneve ndërmjet të dyja shteteve

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar t’i rikthehet parimit të reciprocitetit me Serbinë pasi autoritetet serbe ia refuzuan vizitën ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Sveçla kishte planifikuar takime në selitë e Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.

-Advertisement-

“Në respektim të marrëveshjes së Brukselit dhe praktikave të deritanishme, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës kemi përcjellë agjendën dhe informatat e nevojshme të delegacionit në Zyrën ndërlidhëse të Serbisë, për leje të hyrjes në Serbi dhe realizim të vizitës. Mbrëmë në orët e vona, nga zyrtari ynë ndërlidhës në Beograd jam njoftuar se kërkesa jonë për vizitën e sotme në Luginë është refuzuar nga autoritetet e Serbisë, pa asnjë shpjegim. Për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë ne do të veprojmë mbi parimet e reciprocitetit si vlerë e barazisë mes dy shteteve tona”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Refuzimi që iu bë Sveçlës ka nxitur reagimin e përfaqësuesve politikë të Luginës, që fajësuan Serbinë për urrejtje ndaj shqiptarëve.

“Vizitat e zyrtarëve të Republikës së Kosovës e Shqipërisë në Luginë të Preshevës nuk janë vetëm të nevojshme, ato janë të domosdoshme e duhet parë si të zakonshme, siç ndodh në të gjitha vendet demokratike. Refuzimi i lejes për vizitë Preshevës, Bujanocit e Medvegjës të ministrit të Punëve të Brendshme të RKS, Xhelal Sveçla, nga Qeveria e Serbisë nuk është i pari, mirëpo ai sjell edhe një herë dëshminë se pavarësisht zgjedhjeve, Qeveria në Beograd nuk ndryshon, ajo mbetet paranojake e me urrejtje ndaj çdo gjeje shqiptare!”, ka shkruar deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Ndërkaq Ragmi Mustafi, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ka deklaruar se ky refuzim i autoriteteve serbe nuk ka vetëm pasoja praktike, por gjithashtu shpreh një mungesë vullneti për bashkëpunim dhe dialog ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“Refuzimi i vizitës së ministrit Sfeçla është i papranueshëm, është në kuadër të tendencës së Serbisë për të izoluar komunitetin shqiptar, jo vetëm nga vizitat e zyrtarëve të lartë shtetërorë të Kosovës, por edhe nga ndikimi dhe kultivimi i marrëdhënieve të drejtpërdrejta me Luginën. Gjithashtu lë të kuptohet se Serbia mundohet të mbajë peng Luginën e Preshevës nga zhvillimet rajonale dhe të drejtat politike e kulturore, si dhe ende nuk ka kuptuar se vetëm një zgjidhje politike që siguron të drejta të plota edhe për shqiptarët e Luginës mund të sjellë paqen afatgjatë”, ka shkruar Mustafi.

Analisti Arbnor Sadiku thotë se ky refuzim konfirmon vazhdimësinë e tensioneve në raportet Kosovë-Serbi. Por, ai ngre dyshime për qëllimin e vizitës nga ministri Sveçla.

“Në rregull është tendenca për ta vizituar Luginën. Në parim është dakord nga çdo institucion i Kosovës – ministër, kryeministër apo president i Republikës. Mirëpo në këtë klimë të tensionuar në raportet me Serbinë mendoj se kjo vizitë nuk ka qenë e nevojshme dhe e provokon situatën në mes Kosovës e Serbisë. Mendoj se ky do të jetë edhe qëndrimi ndërkombëtar pasi nuk e di se cila ka qenë agjenda, ndoshta për ta përdorur populizmin e targave apo për çështje elektorale pasi po shihet se ndoshta sivjet do të kemi zgjedhje parlamentare në Kosovë”, është shprehur Sadiku.

“Ne kemi një numër të madh të qytetarëve të cilët jetojnë në Kosovë – veçanërisht në Prishtinë e Fushë-Kosovë. Kjo mund të përdoret për populizëm nga Lëvizja Vetëvendosje që për herë të parë kemi tabelat RKS në Republikën e Serbisë dhe gjëra të tjera. Shikuar në afatgjatë ka qenë e panevojshme kjo vizitë, por shikuar nga interesat e brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministrit Sveçla sigurisht se ka qenë pozitive, sepse kjo do të manifestohej në zgjedhjet që do të vijnë”, ka theksuar ai.

Sadiku shton se Serbia e përdori refuzimin e vizitës për të shmangur edhe presionin e brendshëm e atë të jashtëm.

“Natyrisht dihet se presidenti Vuçiq në këtë kohë ndodhet në presion të madh mes Lindjes e Perëndimit. Në njërën anë e ka presionin e Rusisë që mos t’i vërë asaj sanksione në vitin 2024, kurse në anën tjetër ka presion nga Perëndimi për njohjen ‘de facto’ të Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjeve të realizuara në Bruksel dhe Aneksit në Ohër. Karshi kësaj e ka përdorur për populizëm, sepse ka një presion të madh nga ana e opozitës që ka lëshuar shumë pe karshi Kosovës”, ka theksuar Sadiku. “Kurrgjo s’mund të pritet tjetër veçse një klimë e tensionuar e cila e ka kapluar Serbinë jo vetëm në raport me Kosovën por edhe në raport me fqinjët e tjerë, Malin e Zi, si dhe problematikën e brendshme që ai e ka me opozitën në Serbi dhe me Perëndimin në të njëjtën kohë”.

Marrëveshja për vizitat zyrtare është arritur në kuadër të dialogut teknik të Brukselit në vitin 2014. Vizitat ishte thënë se duhet të zhvillohen në atë mënyrë që nxit procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Por marrëveshja është shkelur çdoherë kur ka pasur tensionim të situatës në raportet mes dy vendeve. Zyrtarët serbë prej muajsh janë duke e akuzuar Sveçlën për presion mbi serbët e veriut nëpërmjet Policisë së Kosovës.

Në 2021-tën autoritetet e Kosovës ia ndaluan hyrjen në Kosovë drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, për shkak të deklaratave kundër shtetit të Kosovës.

Serbia u hakmor pas dy ditësh, ku nuk lejoi vizitën e katër ministrave kosovarë në Luginën e Preshevës – ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministrit të Ekonomisë, Hekuran Murati, ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, dhe ministrit të Kulturës, Hajrullah Çeku. Vendimi për ndalim atyre u ishte kumtuar nga autoritetet serbe vetëm disa orë para nisjes./koha

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Përsëri në shkollë me Viva Fresh Store!  
-Advertisement-

Të tjera