Lajme

Kosova pa shtëpi që merret me të drejtën e publikimit

Autori: Gazeta inFokus 11:24 | 25 March 2018

Ligji për të drejtat e autorit ende vazhdon të mbetet i pazbatueshëm në tërësi. Autorët e këngëve ankohen se nuk po u shpaguhet puna e tyre, sidomos nga youtube, por zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, thonë se në këtë drejtim ata nuk mund të bëjnë asgjë, sepse vet këngëtari duhet t’i menaxhojë të drejtat e veta ose personi që e autorizon ai.

Megjithatë, për të zbatuar ligjin, është nënshkruar marrëveshja për tarifat e përgjithshme, mes shoqatës së për Menaxhimin Kolektiv të të Drejtave të Autorit dhe përfaqësuesve të mediave që transmetojnë muzikë.

Drejtor i Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta në Ministrinë e Kulturës, Valon Kashtanjeva, ka thënë për KosovaPress, se nga kjo marrëveshje do të përfitojnë të gjithë krijuesit e muzikës, kompozitorët dhe tekstshkruesit.

-Advertisement-

“Kur jemi tek puna e youtube-s dhe se sa kompensohen këngëtarët, është mirë të themi se kjo pak a shumë është një çështje e cila iu takon atyre të cilët i mbajnë të drejtat, qoftë këngëtarët apo kompozitorët. Për shkak se nuk janë vetëm këngëtarët por nuk janë vetëm këngëtarët ata që përfitojnë nga ligji për të drejtat e autorit, janë edhe kompozitorët dhe gjithë tekstshkruesit, kështu që gjithë fitimi që këngëtarët konsiderojnë se fitojnë pak, atëherë duhet theksuar se si ata i menaxhojnë të drejtat e tyre, përfshirë menaxhimin e drejtave të tyre në youtube. Duhet të shikojnë se kush i menaxhon të drejtat e tyre, vet apo përmes kompanive që i menaxhojnë të drejtat”, tha ai.

Sipas tij, marrëveshja për Tarifat e Përgjithshme përbën një hap të rëndësishëm në implementimin e ligjit për të drejtat e autorit, pasi që ndikon që të merren masat për shfrytëzimin e krijimeve muzikore në mënyrë të duhur.

“Kjo marrëveshje patjetër se do të ndikojë në vetëdijësimin e të gjithë krijuesve, këngëtarëve, producentëve, dhe si e tillë do të ndikojë që edhe ata të marrin masa që veprat e tyre t’i shfrytëzojnë në formën e duhur, por ajo që do të ndikojë më së shumti kjo marrëveshje është që krijuesit të fillojnë të marrin kompensime për komunikimin publik të muzikës së tyre në transmetuesit, në radiot dhe televizionet që transmetojnë në Republikën e Kosovës”, u shpreh Kashtanjeva.

Ndërsa Florent Boshnjaku, kryesues i Shoqatës për Menaxhimin Kolektiv të të Drejtave të Autorit, tha se Kosova ende nuk ka shtëpi të cilat merren me të drejtën e publikimit.

“Për fat të keq ne ende nuk kemi shtëpi të cilat merren me të drejtën e publikimit. Në start nënshkruhet një kontratë dhe ajo sqaron se çfarë të drejte ka ajo këngë, kush e mban të drejtën e publikimit etj për këtë arsye them se tek ne ende nuk është formuar një vetëdijesim i tillë. Mendoj se me implementimin e ligjit do të fillojë gradualisht të krijohen shtëpitë të cilat do të fillojnë të merren me të drejtën e publikimit dhe ato pastaj do ta zgjidhin problemin e asaj se ku është publikuar”, tha ai.

Ai shtoi se është bërë diçka në drejtim të shitjes legale të këngëve, siç është aplikacioni “Premier” që e bënë këtë punë.

“Ka aplikacione tek ne, si ‘Premier’, i cili e bënë shitjen e muzikës në mënyrë legale, domethënë është ideja që edhe muzika kur të shitet, të shitet në formë legale. Ka edhe kompani të tjera të cilat e shesin muzikën në formë legale në Kosovë. Ka kompani dhe producent që e bëjnë atë punë, mirëpo ka një pjesë dërrmuese e cila e keqpërdorë, e miraton jo vetëm në formën fizike dhe formën digjitale në internet, mirëpo është një procedurë, një proces i cili do të marr kohë. Ne e kemi edhe task forcën, e cila merret me problemet e piraterisë digjitale, e cila është e informuar me këto telashe dhe natyrisht se ka për t’u marrë me piraterinë digjitale, e cila është e theksuar në Kosovë”, u shpreh ai.

Ndërkaq janë këngëtarët ata që thonë se edhe pse ligji ka ekzistuar, nuk është zbatuar.

Këngëtari Beni Baksi në një prononcim, për KosovaPress ka treguar se ligji për të drejtat e autorit duhet të zbatohet.

“Krejt problemi është tek mbrojtja e të drejtave të autorit. Kjo është ajo e keqja dhe ajo që nuk po zbatohet sepse në çdo vend në botë së pari duhet me t’i mbrojt të drejtat e tua si produkt tëndin, por e keqja është se këtu nuk po bëhet ajo. Faktikisht ligji është por ai nuk po zbatohet”, tha ai.

Sipas këngëtarit Mentor Mripa, e drejta e autorit ka qenë më mirë e rregulluar në vitet e 90-ta, derisa ka potencuar se rregullimi i të drejtës autoriale duhet të ndodhë për të gjitha sferat, jo vetëm në muzikë.

“Do të thosha se atëherë ka qenë më mirë e rregulluar e drejta e autorit, sepse ju e dini të gjithë se një prej normave nëse duam të shkojmë e të jemi pjesë e BE-së, është rregullimi real i të drejtës të autorit, do të thotë rregullimi i plotë i të drejtës autoriale, jo vetëm në muzikë, por në çdo sferë të jetës”, tha ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova
-Advertisement-

Të tjera