Lajme

Kosova me rritje të ngadaltë ekonomike edhe këtë vit, norma mes 3 dhe 4 për qind

Autori: Gazeta inFokus 09:44 | 26 August 2023

Rritje të ngadalësuar ekonomike Kosova do të ketë edhe në vitin 2023.

Norma e kësaj rritjeje për këtë vit, sipas ekspertëve të ekonomisë pritet të jetë mes 3 dhe 4 për qind.

Kjo rritje ekonomike po cilësohet si e pamjaftueshme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për uljen e papunësisë, madje vlerësohet se nëse ky trend vazhdon kështu, edhe niveli i migrimit do të rritet.

-Advertisement-

Drejtoresha ekzekutive e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Zana Beqiri tha se vendi ka shënuar ngecje ekonomike këtë vit.

Beqiri thekson se pavarësisht që Kosova ka mundësi shumë të mira të zhvillohet ekonomikisht, qeveria nuk ka seriozitet për punë në këtë drejtim.

“Mundësitë janë shumë të mira, Kosova i ka mundësitë shumë të mira, ka kompani mjaftë serioze, ka investitorë dhe bashkatdhetarë që duan të investojnë, mirëpo këtu vihet në pikëpyetje sa është e interesuar qeveria që të investojë bashkë me qytetarët e vetë. Sepse, investitori më serioz që është qeveria, ka ngecur me investime, po mburret me mungesë të projekteve dhe me mungesë të borxhit publik”, thotë Beqiri.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna thekson se parashikimet për rritje ekonomike këtë vit janë prej 3.5 deri 3.7 për qind.

Këto parashikime, sipas tij janë edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare.

“Parashikimet tona sillen me ato që i kanë dhënë FMN-ja dhe Banka Botërore që në këtë vit rritja ekonomike do të sillet 3 deri 3.7 për qind, ashtu siç është duke shkuar trendi ekonomike sot derisa po flasim”, thekson Rafuna.

Kurse, profesori i ekonomisë, Florin Aliu ka akuzuar qeverinë për mungesë të reformave të mirëfillta në vend.

Sipas tij, rritja ekonomike në vend do duhej të ishte së paku dyfishi i asaj që është theksuar në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës për një normë deri 4 për qind.

Aliu thotë se qeveria ka ngecur në zhvillimin ekonomik, teksa shton se nëse qeveria nuk gjen mekanizma për të zhvendosur rritjen ekonomike, parametrat e tjerë janë krejtësisht të parëndësishëm.

“Neve na nevojitet një rritje ekonomike për rreth 8 për qind, e cila mund të zvogëlojë këtë nivel të papunësisë, sepse potenciali ekziston. Në mesin e të rinjve, papunësia është edhe më e lartë, e këtë e  tregon edhe fakti i emigrimit kaq i madh i njerëzve, i cili kryesisht po ndodh për arsye ekonomike, pra janë të ardhurat e ulëta”.

“Ne duhet të gjejmë mekzanizma si të zhvendosim rritjen ekonomike, nëse këtë nuk arrijmë, atëherë parametrat tjerë janë të parëndësishme, sepse nëse kemi rritje ekonomike më të madhe, është buxheti më i madh, ka investime më shumë në çdo sektor”.

“Kjo qeveri shumë pak është identifikuar për reforma, ose hiç, nuk mbajë mend ndonjë reformë serioze, e cila do të bënte një shpresë që potencialin e zhvillimit do e zhvendoste në një nivel më të lartë, e të mos diskutohen sanksionet nga BE-ja”, tha Aliu.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Spektakli i Vitit, Ekskluzivisht në Artmotion – BBVK3!
-Advertisement-

Të tjera