Kosova kërkon veprim ndaj Serbisë në komunitetin e energjisë, Rizvanolli: Nuk do të qëndrojmë duarkryq
Autori: Gazeta inFokus
11:16 | 02 July 2026
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kërkuar zbatimin e vendimit të komunitetit të energjisë që obligon Serbinë të vërë në dispozicion kapacitetet ndërkufitare për tregtinë e energjisë me Kosovën, duke thënë se Beogradi nuk ka ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim dhe se Kosova nuk do të qëndrojë duarkryq.
Këto deklarata u bënë në takimin joformal të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, të cilin këtë vit e kryeson Kosova. Në fokus të diskutimeve ishin siguria energjetike, integrimi i tregut rajonal dhe tranzicioni energjetik.
Rizvanolli tha se komuniteti i energjisë po zhvillon punimet në një periudhë sfiduese për sektorin energjetik në rajon.
“Si organizatë ndërqeveritare e themeluar me traktat para dy dekadash, komuniteti i energjisë punon për të sjellë vendet e rajonit dhe vendet fqinje të BE-së më pranë tregut energjetik evropian. Takimi ynë sot po mbahet në një kohë kritike për sektorin energjetik të rajonit, ku ndërthuren pashmangshëm sfidat e sigurisë së furnizimit, tranzicionit energjetik dhe integrimit të tregut”, tha ajo.
Ajo theksoi se gjatë kryesimit të komunitetit të energjisë, Kosova është fokusuar në integrimin e tregut të energjisë elektrike, harmonizimin e politikave klimatike dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.
“Kosova ka marrë kryesimin e komunitetit të energjisë në fillim të këtij viti me një përkushtim të palëkundur për të punuar ngushtë me të gjithë aktorët drejt synimeve tona të përbashkëta. Si vend kryesues, ne po i shtyjmë përpara tri çështje thelbësore. Së pari, po punojmë për të përshpejtuar integrimin e tregut të energjisë elektrike dhe zbatimin e legjislacionit të BE-së. Së dyti, po përpiqemi të harmonizojmë tutje politikat klimatike dhe të hapim rrugën për zvogëlimin e emetimeve të karbonit, gjithnjë me prioritet kyç sigurinë energjetike dhe përballueshmërinë e çmimeve për konsumatorët. Së treti, po angazhohemi për bashkëpunim të shtuar dhe shfrytëzim sa më të mirë të kapaciteteve që tashmë kemi në rajon, qoftë kapaciteteve gjeneruese apo atyre transmetuese”, tha ajo.
Ministrja në detyrë akuzoi Serbinë për moszbatim të vendimit të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, i cili kishte caktuar afatin 1 korrik 2026 për hapjen e kapaciteteve ndërkufitare me Kosovën.
“Ndërsa i gëzohemi përparimit rajonal dhe çmojmë marrëdhëniet e mira me pothuajse të gjithë fqinjët tanë, ne vazhdojmë të përballemi me një çështje tjetër shqetësuese që kërkon veprim të menjëhershëm. Në dhjetor të vitit 2025, Këshilli i Ministrave i Komuniteti të Energjisë së Kosovës obligoi operatorin e transmisionit të Serbisë që të vërë në dispozicion të tregtisë kapacitetet ndërkufitare me Kosovën jo më vonë se 1 korrik 2026. Tani jemi këtu. Serbia jo vetëm që nuk e ka mbërritur këtë afat, por nuk ka ndërmarrë asnjë hap përgatitor për të zbatuar obligimin e vet. Operatori i transmisionit të Serbisë vazhdon të refuzojë bisedimet e drejtpërdrejta me operatorin tonë KOSTT, ndërsa komunikimi është i domosdoshëm për bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal. Duke e penguar shfrytëzimin komercial të interkoneksionit me Kosovën, Serbia po i mbingarkon kapacitetet e transmetimit në Kosovë dhe në vendet fqinje dhe po u vendos një barrë të panevojshme të gjithë konsumatorëve të rajonit, veçanërisht atyre të Kosovës. Pasojat e kësaj i kemi ndier shumë afër dhe shumë rëndë në vitet e kaluara. Ne nuk mund dhe nuk do të qëndrojmë duarkryq përderisa ky obligim i Serbisë nuk zbatohet”, tha ajo.
Shefja e Njësisë për Bashkimin Evropian, Yolanda Garcia Mezquita, tha se integrimi i vendeve të komunitetit të energjisë në tregun e brendshëm energjetik të BE-së është prioritet strategjik.
“Këshilli i Komunitetit të Energjisë në Prishtinë zhvillohet në një moment të rëndësishëm për sigurinë energjetike të Evropës dhe për procesin e zgjerimit. Mesazhi ynë sot është i qartë: siguria energjetike e Evropës nuk ndalet në kufijtë e Bashkimit Evropian. Ajo varet nga një hapësirë më e gjerë energjetike evropiane, e cila është e integruar, e ndërlidhur mirë dhe e bazuar në rregulla të përbashkëta”, tha ajo.
Sipas saj, prioritet mbetet përshpejtimi i integrimit të vendeve të Komunitetit të Energjisë në tregun energjetik të BE-së dhe avancimi i bashkimit të tregjeve të energjisë elektrike.
“Prioriteti i parë është përshpejtimi i integrimit të palëve kontraktuese të komunitetit të energjisë në tregun e brendshëm energjetik të BE-së. Ky nuk është vetëm një objektiv teknik, por një investim strategjik për sigurinë e Evropës, konkurrueshmërinë dhe agjendën e zgjerimit. Komuniteti i energjisë është instrumenti ynë kryesor për këtë. Hapi i ardhshëm madhor është bashkimi i tregjeve të energjisë elektrike ndërmjet BE-së dhe palëve kontraktuese të Komunitetit të Energjisë”, tha ajo.
Ndërkaq, drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski, vlerësoi lidershipin e Kosovës gjatë kryesimit të këtij mekanizmi rajonal.
“Ndjekja e integrimit të rajonit me Bashkimin Evropian, me synimin për të forcuar sigurinë energjetike, por edhe për të përshpejtuar tranzicionin energjetik duke i mbajtur çmimet e energjisë të përballueshme, është frymëzim për sekretariatin dhe për procesin vendimmarrës në komunitetin e energjisë. Ky lidership është një cilësi shumë e veçantë, sepse Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor dhe në komunitetin e energjisë që nuk ka interkoneksione të drejtpërdrejta me shtetet anëtare të BE-së”, tha ai.
Ai shtoi se Bashkimi Evropian tashmë u ka bërë thirrje vendeve të rajonit që të integrohen në tregun energjetik evropian edhe para anëtarësimit të plotë.
“Kjo është një ftesë për të mos pritur ditën e anëtarësimit, por për të ndërmarrë reformat këtu dhe tani, në mënyrë që vendet të integrohen në tregjet energjetike të Bashkimit Evropian përpara datës së ardhshme të anëtarësimit. Kjo ftesë është në tryezë dhe është pranuar nga vendet e rajonit”, tha Lorkowski.

T� tjera
-
Anketa: Rreth 20% e kosovarëve të rritur duan dhe po përgatiten të emigrojnë, si është situata në vendet e rajonit
Sipas të dhënave të publikuara nga Regional Cooperation Council SecuriMeter20...
-
Shpërthimi në Zvicër, shqiptari rrëfen tmerrin: U ndjeva sikur isha kthyer në luftën e Kosovës, dëgjova tri herë thirrje për ndihmë
Një shpërthim i fuqishëm i ndjekur nga një zjarr ka tronditur banorët e një p...
-
Policia ia gjenë pistoletën në veturë, ia konfiskojnë, prokurori e liron në procedure të rregullt
Policia e Kosovës ka konfiskuar një pistoletë me gjashtë fishekë gjatë kontro...
-
Arrestohen në Shqipëri dy shqiptarë të kërkuar nga Italia, pritet ekstradimi i tyre
Dy shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane janë...
-
Ultimatumi i Trumpit për Teheranin: Sulme të mëdha ushtarake pas Vitit të Ri nëse dështon marrëveshja
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka lëshuar një ...
-
Rama në Manastir propozon Bibliotekë Mbarëkombëtare të Shqipes: Do ta marrim përsipër,besoj se Kosova do të ketë gatishmëri
Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Manastir, në Europe House, pati...
-
Përparim Rama me bashkëshorten merr pjesë ë Ditën e Komunës së Kotorit – ndan pamje nga pritja atje
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shkruar në Facebook se ka qen ënë Ko...
-
Ky është personi i cili dyshohet se përmes mashtrimit për leukemi akute mblodhi afro 190 mijë euro
Një fushatë humanitare e nisur me pretendimin se 20-vjeçari Endrit Azemi nga ...
-
Në mesin e javës temperaturat bien deri në -8, ngriten nga enjtja – moti në javën që po hyjmë
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka parashikuar mot të ndryshues...
-
Joseph sugjeron që dialogu Kosovë-Serbi të rifillojë sa më shpejt me temën e personave të zhdukur
Profesori amerikan, Edward P. Joseph, në një intervistë për mediumin serb “Ra...
-
Dyshimet për mbetje mortore, ekipet kthehen sërish në veri
Pas përfundimit të gërmimeve në Brod të Shërpcës, ekipet mjeko-ligjore do të ...
-
‘Studentët’ reagojnë për ligjin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore me gjuhë fyese ndaj Kosovës – përmendin garancitë e Ahtisaarit
Lëvizja Studentore e Serbisë që ka fituar zgjedhjet parlajemntare, ka reaguar...

































