Lajme

Kosova hap konsullatë në Hamburg e aty emërohet konsull vëllai i Gent Begollit të AKR’së

Autori: Gazeta inFokus 20:08 | 09 January 2020

Ministria e Punëve të Jashtme ka vazhduar me rehatimin e familjarëve të anëtarëve të partisë, AKR-së, që udhëhiqet nga Behgjet Pacolli.

Vëllai i Gent Begollit, Gramos Begolli, është emëruar konsull i Përgjithshëm në Konsullatën e Kosovës në Hamburg, raporton KTV.

Kjo konsullatë është hapur në gusht të 2019-s.

“Pak ditë para fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, më 3 shtator të vitit të kaluar, Gent Begolli iu bashkua AKR-së së Behgjet Pacollit.

KTV-ja ka provuar të vë kontakt me Gent Begollin, por ai nuk është përgjigjur në thirrjet e televizionit, nëse aderimi i tij në AKR, ndikoi që vëllai i tij Gramos Begolli të bëhet konsull”.

sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, Fitim Sadiku, në një përgjigje të shkurtër, ka treguar vetëm për datën e dekretimit të Begollit.

“Gramos Begolli është dekretuar për konsull me datë 9 gusht 2019, pjesa e dytë e pyetjes që ka të bëjë me vëllain e tij nuk është pyetje së cilës ne mund t’i përgjigjemi”, ka thënë Fitim Sadiku – Sekretar i Përgjithshëm i MPJ-së

Duke qenë pjesë e AAK-së, Gent Begolli, për një periudhë ka qenë edhe drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës.

Më pas, në qershor të 2018-s ishte emëruar kryeshef i Telekomit të Kosovës, por vetëm disa muaj më pas, kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Në disa fotografi të publikuara në rrjetet sociale, në ceremoninë e hapjes solemne të Konsullatës në Hamburg, shihet edhe ish-këshilltari politik i ministrit Pacolli, Liridon Sadrija, i cili po ashtu u emërua konsull në Hamburg.

Të tjera