Lajme

Kosova fiton medalje të Bronztë në garën e matematikës

Autori: Gazeta inFokus 11:38 | 22 July 2017

Ekipi i nxënësve të Kosovës është paraqitur sivjet shumë mirë në Olimpiadën Matematikore Ndërkombëtare, duke u kthyer me një medalje të bronztë dhe dy medalje nderi.

Gara që konsiderohet Kampionat Botëror i Matematikës për nxënës të shkollave të mesme në të cilën marrin pjesë thuajse të gjitha shtetet e botës u zhvillua në Brazil.

Lajmin për medaljet e bëri të ditur në një postim në Facebook, përkrahësi i ekipit kosovar dhe studiuesi i matematikës në Universitetin e Prishtinës Valmir Krasniqi.

-Advertisement-

“Nxënësi Shend Zhjeqi i solli Kosovës një medalje shumë të rëndësishme,  Medaljen e Bronztë nga Olimpiada Matematike Ndërkombëtare”, shkroi Krasniqi.

Ai tregoi se Zhjeqi për pak nuk e fitoi medaljen e argjendtë, pasi larg kësaj medaljeje mbeti për vetëm një pikë.

Sipas Krasniqit, rezultati i sivjetmë është më i miri për Kosovën i arritur ndonjëherë në Olimpiadën Ndërkombëtare Matematikore.

“Megjithëse ekipi i Kosovës ishte me një anëtar më pak, rezultati i arritur këtë vit është më i miri prej se Kosova merr pjesë ne IMO”, shkroi Krasniqi.

Medalje nderi fituan edhe Ardita Berisha e Viktori Ahmeti, ndërsa në ekipin e nxënësve të Kosovës ishin edhe Alban Elezi e Flutura Shabani.

Jusuf Thaçi, drejtuesi i projektit Atomi ishte ankuar më herët se pjesëmarrja në olimpiadën e matematikës nuk po përkrahet nga institucionet.

Ndryshe nga suksesi në olimpiadë, nxënësit kosovarë dolën shumë keq në Testin PISA, rezultatet e të cilit u publikuan vitin e kaluar.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion
-Advertisement-

Të tjera