Kosova e Serbia e fajësojnë njëra-tjetrën për tensionet në veri

Autori: Gazeta inFokus
10:47 | 01 June 2023
Serbia duhet të ndalojë aktivitetet e saj që synojnë destabilizimin e Kosovës për t’i dhënë fund dhunës në veri të vendit, tha të enjten presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
“Sfida vjen nga Serbia, një vend që ende duhet ta pranojë të kaluarën e tij”, tha Osmani për agjencinë e lajmeve Reuters.
“Situata është e tensionuar, por ne duhet të sigurohemi që të rivendosim sundimin e ligjit në Kosovë dhe të kuptojmë se kërcënimi vjen nga mohimi i ekzistencës së Kosovës si shtet sovran nga ana e Serbisë”, tha ajo.
Osmani tha se Serbia po mbështet aktivisht “strukturat ilegale” në Kosovë për të destabilizuar vendin nga brenda.
Autoritetet e Kosovës kanë fajësuar “bandat kriminale serbe”, të dirigjuara nga Beogradi, për tensionet në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe.
“Presidenti Vuçiq duhet të ndalojë së mbështeturi bandat kriminale nëse ai vërtet dëshiron paqen”, tha ajo. “Ai ende nuk e ka treguar këtë.”
Vuçiq e ka hedhur fajin te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai, të enjten u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i tërheqin, siç i quajti ai, “kryetarët e supozuar” nga komunat me shumicë serbe në veri, për t’i ulur tensionet që kanë shkaktuar dhunë.
Duke folur pas mbërritjes në një samit të Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, Vuçiq tha se një hap i tillë do të ishte “lëvizja më e fuqishme” për zgjidhjen e krizës.
Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq tha se nuk pret takime të lehta me udhëheqësit evropianë në Moldavi.
“Është e rëndësishme që ne të përpiqemi të ruajmë paqen dhe stabilitetin”, tha mes tjerash presidenti serb.
Udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe të 20 vendeve të tjera evropiane mblidhen sot në Kishinjev të Moldavisë, për të diskutuar për një varg çështjesh, mes tyre edhe tensionet në veri të Kosovës, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, pritet të takojë atje presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Një ditë më herët, Borrell takoi në Bratisllavë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se ai i kishte kërkuar kryeministrit të Kosovës në Sllovaki, të mërkurën, që të luante rolin e tij në zbutjen e krizës dhe shtoi se shpreson që të njëjtin mesazh t’ia transmetonte presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Moldavi.
“Ne kemi arritur në një pikë që është e domosdoshme që nivelet alarmante të dhunës të vërejtura në fillim të kësaj jave të ndalen menjëherë. Dështimi për ta bërë këtë mund të çojë në një situatë shumë të rrezikshme”, tha ai.
Samiti në Moldavi do të prekë gjithashtu një sërë çështjesh strategjike, duke filluar nga energjia te siguria kibernetike dhe migrimi./REL

Të tjera
-
Moti nesër dhe ditëve në vazhdim
Të Martën në Kosovë pritet të mbajë mot me diell dhe mjaft i nxehtë. Temperat...
-
Katari rihap hapsirën ajrore pas sulmeve të Iranit
Hapësira ajrore e Katarit është rihapur pasi u mbyll për shkak të sulmit me r...
-
Rutte: NATO do ta pesëfishojë mbrojtjen ajrore dhe do të blejë 1 mijë tanke
Shefi i NATO-s, Mark Rutte ka deklaruar se objektivi i ri i NATO-s është ta p...
-
Gjykata Supreme i lejon Trumpit të rifillojë deportimin e emigrantëve në vendet e treta
Gjykata Supreme vendosi të hënën se administrata Trump mund të rifillojë depo...
-
Po fliste për sulmin e SHBA në Iran, sekretari amerikan i Mbrojtjes ‘ngatërron’ Teheranin me Tiranën
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth teksa po fliste për sulmin e SHB...
-
Mustafa: Blloku A3 sot ka dalë jashtë funksionit, me gjasë reale për t’u mos u rifunksionalizuar më kurrë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka alarmuar lidhur...
-
Trump: Irani na njoftoi para sulmit ndaj bazës në Katar – koha për paqe
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Irani i njoftoi Shtetet e Bash...
-
Temperaturat nesër deri në 34 gradë
Të martën parashikohet të mbajë mot shumë i nxehtë, i karakterizuar me diell ...
-
Khamenei shfaq flamurin amerikan duke u djegur: S’i nënshtrohemi askujt
Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka deklaruar se nuk pranojnë ...
-
Kallas: BE do të rishikojë pezullimin e partneritetit me Izraelin për shkak të situatës në Gaza
Nëse Izraeli nuk e “përmirëson situatën” në Gaza, BE-ja do të diskutojë “masa...
-
Trump flet në detaje për sulmin e Iranit: Përgjigje e dobët e tyre, jam i kënaqur që asnjë amerikan s’u lëndua
Presidenti amerikan Donald Trump tha se Irani dha një përgjigje te dobët si r...
-
Sondazhi i UBO-së: 47% të pakënaqur me punën e Qeverisë Kurti
Në emisionin “Debat Plus” të moderuar nga Ermal Panduri, janë prezantuar të d...