Sport

Kosova me 6 mungesa, këta lojtarë e kanë mundësinë e jetës

Autori: Gazeta inFokus 13:47 | 02 October 2017

Kosova gjendet në një “emergjencë” të vërtetë. Verdhekaltrit do t’i hyjnë ndeshjes me Ukrainën me gjashtë mungesa të theksuara. Benjamin Kololli, Enis Alushi, Herolind Shala e Arbër Zeneli do të mungojnë për shkak të lëndimeve, kurse Valon Berisha e Bernard Berisha për shkak të kartonëve. Trajneri Albert Bunjaki shprehet i brengosur për këto mungesa, por beson se lojtarëve që do t’u jepet rasti do ta shfrytëzojnë këtë mundësi jetike. Ai synon ta mbyllë eksperiencën me Kosovën duke nxjerrë pikë në dy ndeshjet e fundit

Përfaqësuesja e Kosovës e sheh veten në një “emergjencë” të vërtetë para dy ndeshjeve të fundit eliminatore të Botërorit 2018.

Verdhekaltrit do t’i hyjnë ndeshjes me Ukrainën këtë të premte me plot mungesa dhe atë të lojtarëve mjaft të rëndësishëm, shkruan sot gazeta Zëri.

-Advertisement-

Në fakt, Benjamin Kololli, Enis Alushi, Herolind Shala e Arbër Zeneli do të mungojnë për shkak të lëndimeve, kurse Valon Berisha e Bernard Berisha (kthehen ndaj Islandës) për shkak të kartonëve.

 

Përzgjedhësi Albert Bunjaki shprehet i brengosur për këto mungesa, por tashmë është pajtuar me “fatin” dhe po mundohet të “harrnohet”, duke i mbuluar ato me lojtarët që ka në dispozicion.

Ai e sheh këtë si një mundësi ideale dhe jetike për lojtarët që nuk kishin hapësira, të cilëve pritet t’ua japë rastin. Mbi të gjitha, nga kjo situatë mund të përfitojnë lojtarët si Bersant Celina, Besar Halimi e Elbasan Rashani.

“Jemi duke u ballafaquar me lëndime. Kemi gjashtë mungesa të theksueshme, pra na mungojnë lojtarë të ekipit të parë. Sidoqoftë, ne do t’ua japim rastin disa futbollistëve, të cilët duhet ta shfrytëzojnë atë për të pasur më shumë minuta në të ardhmen”, theksoi fillimisht Bunjaki për “Zërin”.

“Në aspektin sportiv ata do të na mungojnë shumë, pasi edhe një përfaqësueseje të madhe nëse i mungojnë aq shumë futbollistë kjo do të ndihej tek ajo. Megjithatë, do t’i shfrytëzojmë futbollistët që i kemi në dispozicion për të dalë sa më mirë në këto dy ndeshje të tetorit”, vazhdoi trajneri kosovar.

Duam pikë ndaj Ukrainës e Islandës

Përkundër mungesave, Bunjakit nuk i është shuar asnjëherë etja për të nxjerrë pikë në dy ndeshjet e fundit eliminatore për t’u larguar nga Përfaqësuesja së paku me një fitore, të cilën e ëndërrojnë të gjithë në Kosovë.

Megjithatë, ai është i vetëdijshëm me vështirësinë për ta arritur këtë gjë, mbi të gjitha për faktin se të dy kundërshtarëve, Ukrainës dhe Islandës, u nevojiten pikët sikur “buka”, pasi këto pikë edhe mund t’i dërgojnë ato në Botërorin e Rusisë.

“Unë e kam pasur gjithmonë dëshirën dhe e kam atë të njëjtë, që t’ia sjell një fitore Kosovës, edhe pse jeni të vetëdijshëm të gjithë me vështirësitë me të cilat po përballemi vazhdimisht. E di se sa ka peshë një fitore, të cilën po e presin të gjithë. Ky është futboll dhe nuk i dihet kurrë”, shprehet Bunjaki.

“Do të mundohemi të befasojmë, ta marrin ndonjë pikë në këto dy ndeshje. Në lojën e parë me Ukrainën do të mundohemi të luajmë, ndërsa me Islandën do të jetë mjaft e vështirë, duke e përfshirë udhëtimin, klimën, etj”, nënvizoi ai.

Kosovës i mungon ky yll, e kthen një futbollist të njohur

Mungesave të shumta të Kosovës mund t’ua shohë hairin Flamur Kastrati, i cili pritet të ftohet nga selektori Albert Bunjaki për dy ndeshjet e fundit eliminatore, ndaj Ukrainës dhe Islandës.

Futbollisti ofanziv nuk luan për Kosovën qe një kohë të gjatë, ndërsa ky duket se është momenti i tij.

25-vjeçari e ka rikthyer formën dhe për momentin luan në ekipin Sandefjord.

Ai ka luajtur edhe me grupmoshat e reja të Kosovës.

Sot nis grumbullimi i Përfaqësueses

Grumbullimi i Përfaqësueses së Kosovës do të fillojë sot.

Ndërkaq përzgjedhësi Albert Bunjaki pritet ta zbulojë nesër listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjet me Ukrainën dhe Islandën në konferencën për shtyp, që do ta mbajë nga ora 11:00.

E pasditen e së martës, respektivisht nga ora 17:00, Kosova do ta zhvillojë stërvitjen e parë në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Verdhekaltrit do të stërvitin edhe të mërkurën paradite në të njëjtin stadium, ndërsa të enjten do të ushtrojnë në stadiumin “Loro Boriçi” një ditë para lojës me ukrainasit.

Kosovarët do të stërviten edhe të shtunën paradite në Shkodër, kurse më pas në Islandë e zhvillojnë seancën e fundit stërvitore para duelit të së hënës mbrëma me islandezët, kur edhe do të mbyllet eksperienca e Kosovës në këto eliminatore.

Një anglez për ndeshjen Kosovë – Ukrainë

Referi anglez Craig Pawson do ta drejtojë ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Ukrainës.

Gjyqtari i Premierligës do të shoqërohet nga ndihmësit Lee Betts e Ian Hassin. Kurse referi i katërt do të jetë Martin Atkinson. /Zëri/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera