Konkursi për policët në veri, vetëm për moshën nën 30 vjeç
Autori: Gazeta inFokus 17:34 | 11 January 2023
Çështja e kthimit të serbëve të veriut të Kosovës në Polici, mbetet e hapur dhe e paqartë, thotë Verolub Petroniq nga “Qendra Humane e Mitrovicës”, një organizatë që merret me çështjet e sigurisë në veri të Kosovës.
“Tani shtrohet pyetja se çfarë dëshiron të bëjë Qeveria e Kosovës dhe çfarë duan serbët”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Në fillim të janarit 2023, Policia e Kosovës shpalli konkurs për punësimin e zyrtarëve të rinj nga komunitetet joshumicë për të plotësuar pozitat e lira në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut. Numri i vendeve të punës nuk është specifikuar.
Shpallja e këtij konkursi u bë pasi rreth 550 pjesëtarë të komunitetit serb u larguan nga Policia e Kosovës në veri të vendit në nëntor të vitit 2022, në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar automjetet me targa serbe në ato të Kosovës – RKS.
Policia e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse ka të interesuar për konkursin e shpallur dhe as nëse kanë të drejtë të aplikojnë ish-policët që kanë dhënë dorëheqje.
Policia tha vetëm se “kriteret janë publikuar në konkursin e shpallur”, dhe se publiku do të njoftohet me kohë për hapat e mëtejshëm.
Më 28 dhjetor 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “zbrazëtia” e krijuar pas “dorëheqjeve të detyruara”, duhet të plotësohet dhe u bëri thirrje të gjithë serbëve të Kosovës – veçanërisht atyre që nuk kanë pasur mundësi për të pasur një vend pune deri më tani – për të aplikuar për vende të reja pune.
Komuniteti ndërkombëtar në disa raste u ka bërë thirrje serbëve që të kthehen në institucione, por edhe Kosovës që ta lehtësojë kthimin e tyre.
Beogradi zyrtar e ka përkrahur largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës dhe në këmbim, atyre iu dha kontrata në bazë të së cilave, përveç pagës, rregulloheshin edhe marrëdhëniet e punës juridike, si pensioni dhe sigurimi shëndetësor.
Kush mund të konkurrojë?
Një nga kushtet, megjithatë, është që kandidatët të mos jenë mbi 30 vjeç.
Pjesëtarët e komunitetit serb në veri janë integruar në Policinë e Kosovës në bazë të Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të vitit 2013, dhe shumica prej tyre tashmë janë mbi 30 vjeç.
Disa nga ish-policët në veri të Kosovës të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë, në kushte anonimiteti deklarojnë se e kanë “humbur vullnetin” për t’u kthyer në institucionet e Kosovës, por se në fund do të veprojnë ashtu siç u kërkon Beogradi.
Në përgjithësi, ata nuk duan të flasin publikisht për këtë temë, por rikujtojnë se aktualisht kanë kontrata me Serbinë dhe se kanë përkujdesje financiare, gjë që, siç thonë ata, tani për tani u mjafton.
Përveç pjesëtarëve të Policisë, dorëheqje kanë dhënë edhe dhe stafi në Gjyqësor, punonjësit administrativë në katër komunat në veri e zyrtarë të Qeverisë së Kosovës nga radhët e Listës Serbe – partia kryesore politike serbe në Kosovë.
Për kthimin eventual të serbëve nga veriu në institucionet e Kosovës Radio Evropa e Lirë u përpoq të merrte një përgjigje edhe nga Lista Serbe, si partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila funksionon me mbështetjen e Beogradit, por pa rezultat.
Po gjyqtarët dhe prokurorët?
Radio Evropa e Lirë i ka dërguar pyetje Këshillit Gjyqësor të Kosovës se a janë marrë parasysh dorëheqjet e gjyqtarëve serbë, cilët janë hapat e mëtejmë, si dhe nëse do të kenë të drejtë të konkurrojnë në konkursin eventual edhe ata që kanë dhënë dorëheqje.
Mirëpo, në vend të përgjigjes nga ky institucion, ata kanë përcjellë një intervistë të kryetarit të Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj, të dhënë më 2 janar për një nga mediat vendore.
Zogaj kishte thënë se dorëheqjet janë duke u shqyrtuar me kujdes, duke shtuar se janë nisur procedura për caktimin e masave disiplinore “për ata punëtorë që kanë marrë pjesë në tubime politike, e që është në kundërshtim me përgjegjësitë kushtetuese, ligjore dhe etike”.
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Lilana Stevanoviq, si dhe gjyqtari Nikola Kabashiq, kanë marrë pjesë në disa tubime të organizuara nga Lista Serbe. Në një tubim të ngjashëm ka folur edhe Marko Jakshiq, ish-punëtor i Gjykatës në Mitrovicë.
Sipas Zogajt, të gjithë do të mbajnë përgjegjësi. Ai ksihte thënë se pozitat e reja për zëvendësimin e gjyqtarëve nuk mund të shpallen pa u miratuar më parë këto dorëheqje, duke shtuar se kjo çështje do të trajtohet gjatë muajit shkurt.
Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Këshilli Prokurorial i Kosovës thotë se vendimi për dorëheqjet e prokurorëve serbë nga veriu do të merret pas një analize të detajuar të tyre.
“Pa marrë një vendim nuk mund të lëshohemi në vlerësime se si do të ecet më tutje lidhur me këtë situatë”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës.
A mund të zgjidhen gjyqtarët dhe prokurorët e njëjtë në konkurs?
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët kanë dhënë dorëheqje, do të mund të konkurrojnë sërish për vendin e punës, por ka shumë pak gjasa që të zgjidhen.
“Në radhë të parë duhet shpresuar se gjykatësit, prokurorët dhe stafi mbështetës do të revokojnë dorëheqjet e tyre dhe do të kthehen në vendet e tyre të punës. Në të kundërtën, në bazë të ligjeve të aplikueshme dhe rregullave të KGJK-së dhe KPK-së, do të jetë e vështirë që ata që e kanë bojkutuar punën, të kthehen prapa në sistem përmes procesit të konkursit ”, thotë Miftaraj.
Ai konsideron se pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë nuk duhet të heqin dorë nga të drejtat e tyre, të cilat u garantohen me Kushtetutë, e që ndër të tjera është pjesëmarrja në institucione.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale në Kosovë me pyetjen se a janë marrë vendime lidhur me këtë çështje dhe cilët janë hapat e ardhshëm, por deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje.
Zgjedhjet lokale për kryetarë në katër komunave në veri, të cilët po ashtu dhanë dorëheqje, do të mbahen në prill të vitit 2023.
Çfarë thonë qytetarët?
Jovani beson se serbët nuk duhet të kthehen në institucionet e Kosovës, por “i duket se do të kthehen”.
“Kushdo që kthehet është punë e tij. Duket se do ta bëjnë… Mendoj se disa [shikojnë] interesat e tyre, sa i përket popullit, asgjë tjetër veç interesave të tyre”, thotë ky bashkëbisedues për REL-in.
Pasiguria që nuk mund të adresohet pa policinë
Vladani mendon se ata nuk duhet të kthehen.
“Sigurisht që jo, sepse ato janë separatiste, të Kosovës”, thotë ai.
Nga ana tjetër, Danijela vlerëson se është koha e fundit që serbët të kthehen në institucionet që lanë në fund të nëntorit të vitit të kaluar.
“Për shkak se tashmë janë të dukshme pasojat e largimit të serbëve nga institucionet. Gjëja e parë e rëndësishme për ne është që ata të kthehen në polici dhe në sistemin e drejtësisë, kjo është më e rëndësishmja, kështu që çdo gjë tjetër mund të presë”, thotë ajo.
Një qëndrim të ngjashëm ka edhe Milena nga Mitrovica e Veriut.
“Epo, duhet pse jo. Në përgjithësi, secili jeton jetën e vet, që të gjithë të jenë të kënaqur me lirinë e lëvizjes”, thotë ajo dhe shton se serbët duhet të kenë përfitime nëse kthehen në institucione.
Të tjera
-
Lendita Bekteshi në Barilevë: Mbështetje e madhe për ringritjen e LDK-së
Kandidatja për deputete me numër 66 nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosov...
-
Tre të lënduar në aksidentin Drenas-Skenderaj
Tre persona kanë mbetur të lënduar në aksidentin që ndodhi në rrugën Drenas-S...
-
Lushtaku: PDK-ja, gjithmonë e bashkuar për të forcuar vizionin tonë për një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës
Mergim Lushtaku, kandidati për deputet me numrin 100 nga radhët e Partisë Dem...
-
Bedri Hamza: Bashkohuni të gjithë, pa dallim, për një Kosovë që mundet ma mirë
Bedri Hamza ka postuar një video mobilizuese, duke thënë se fushata e tij ësh...
-
Donald Trump do t’i bashkohet virtualisht Forumit Ekonomik në Davos
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të flasë të enjten me një audiencë ndë...
-
Jeta Rafuna fton qytetarët që t’i bashkohen tubimit madhështor të LDK-së në kryeqytet
Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbaj sonte një tubim në kryeqytet me filli...
-
Avokatja e Krasniqit: Njëri nga patologët që ka bërë autopsinë, ishte dëshmitar i mbrojtjes së Millosheviqit për mạsakrën e Reçakut
Avokatja e Jakup Krasniqit, Shyamala Alagendra tha të enjten në Hagë se njëri...
-
Hungaria në alarm, mbyllen 121 shkolla pas kërcënịṁeve me bọṁbë
Email-et që përmbanin një kërcënim për bombë u dërguan në shumë institucione ...
-
Djemtë e Thaçit, Veselit e Krasniqit rikrijojnë fotografinë e famshme të baballarëve të tyre
Altin Krasniqi, Endrit Thaçi dhe Klestor Veseli kanë publikuar një fotografi ...
-
Prokuroria Speciale po heton 1 mijë e 600 kontrata njëburimore
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), po heton 1 mijë e 600 kon...
-
Kosova dërgon kontingjentin e ri të FSK-së për trajnimin e ushtarëve ukrainas në Mbretërinë e Bashkuar
Ministri Ejup Maqedonci ka pritur sot në takim kontigjentin e radhës të FSK-s...
-
1 euro e 50 centë një, Burgu i Dubravës ofron për shitje 650 pula vojse të rritura nga të burgosurit
650 pula vojse që janë rritur në Qendrën Korrektuese në Dubravë, janë vendosu...