Lajme

Konjufca: Nuk ka Asociacion pa njohjen e Kosovës nga Serbia

Autori: Gazeta inFokus 22:03 | 08 December 2023

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha të premten se kërkesa perëndimore për ngritjen e asociacionit nuk do të plotësohet, nëse nuk bën trysni bashkësia ndërkombëtare ndaj Serbisë për hapat drejt njohjes së Kosovës.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Konjufca tha se nëse presioni vazhdon vetëm mbi Kosovën dhe Perëndimi nuk e bind dot Serbinë të nënshkruajë Marrëveshjen e Ohrit, ai nuk beson se këto përpjekje do të prodhojnë rezultate së paku në periudhën afat-mesme të proceseve politike në Kosovë. Në intervistën me kolegen Keida Kostreci, zoti Konjufca tha gjithashtu se nuk i takonte Bashkimit Evropian të paraqiste projekt-statutin për asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Zëri i Amerikës: Megjithëse projekt-statuti i asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk u bë për një kohë të gjatë i njohur për publikun, ju keni kohë që e dini përmbajtjen e tij. Cili është vlerësimi juaj për këtë projekt-statut.

-Advertisement-

Glauk Konjufca: Është e vërtetë që Kosovës i është dorëzuar një version i projekt-statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nuk mendoj që ky ishte hapi më i mirë që ka bërë Bashkimi Evropian. Në të vërtetë, Bashkimit Evropian fare nuk i takonte që ta propozonte një projekt-statut të tillë. Rendi normal i gjërave është që Republika e Kosovës ta prezantonte në statut të tillë. Ky ka qenë edhe qëndrimi i qeverisë sonë, një qëndrim shumë i drejtë dhe parimor, të cilin unë e mbështes. Sa i përket Bashkimit Evropian, po mundohem ndoshta ta shpjegoj arsyen se janë ngutur me propozimin e një statuti të tillë. Kjo ka të bëjë kryesisht me faktin që procesi ndoshta ngeci. Marrëveshja e Ohrit nuk u nënshkrua nga ana e Serbisë. Pastaj ndodhi sulmi terrorist dhe akti i agresionit të Serbisë mbi Kosovën, në fshatin Banjskë më 24 shtator. Pastaj bashkësia ndërkombëtare e kuptoi që ndoshta kjo për një periudhë mjaft të gjatë do ta bllokojë procesin politik dhe procesin e dialogut me Serbinë. Pikërisht për këtë arsye janë ngutur që ta propozojnë një statut, duke ia marrë një kompetencë vetë Republikës së Kosovës dhe shtetit të Kosovës. Kjo nuk i takon Bashkimit Evropian. Askund, në asnjë dokument kredibil, në të cilin bazohet edhe krejt procesi i negociatave, nuk thuhet që propozimi i statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe është kompetencë e Bashkimit Evropian.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, të paktën për sa i takon qeverisë dhe institucioneve jemi përtej kësaj faze sepse ata kanë bërë thirrje pikërisht për ngritjen e asociacionit dhe nga ana e Serbisë plotësimin e detyrimeve për njohjen de facto (të Kosovës). Pra, tani jemi në pikën nëse dhe si do të zbatohen këto detyrime përtej këtyre kritikave që ju thatë se Bashkimit Evropian nuk i takonte ta bënte këtë propozim …

Glauk Konjufca: Unë mendoj se qasja që të dy shtetet duhet në mënyrë të pavarur dhe krejtësisht të shkëputur nga ndërlidhja e pikave të marrëveshjes së Ohrit, secila duhet të zbatojë pjesën e vetë, nuk është një plan që do të mund të ecë përpara. Ka shumë probleme, kryesisht se kush do të jetë i pari që do të bëjë hapin dhe në cilin drejtim. Ju duhet ta kuptoni që gjashtë pikat e para të marrëveshjes së Ohrit janë ndërtuar pikërisht për Kosovën. Dhe unë mendoj që kur ndërtohet një marrëveshje ndërkombëtare pikat e renditjes nuk janë të rastësishme. Do me thënë pjesa bazike, pjesa e parë e marrëveshjes janë pikat në favor të sovranitetit të Kosovës, për konsolidimin e mëtejshëm të sovranitetit të Kosovës. Pika që është vendosur në favor të Serbisë është pika e shtatë e marrëveshjes së Ohrit. Dhe aty thuhet Kosova e ka për obligim gjetjen e një forme të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. Kjo nuk mund të bëhet nëse nuk vendoset në një pako të përgjithshme, që është marrëveshja e Ohrit, e cila nuk është nënshkruar nga Serbia. Bashkësia Ndërkombëtare po thotë që nuk ka lidhje që nuk është nënshkruar, por qeveria e Kosovës mendon që është thelbësore që kjo marrëveshje të nënshkruhet nga palët, ose nëse nuk nënshkruhet ajo është një letër pa vlerë.

Zëri i Amerikës: Kjo në fakt varet nga ata që dëgjojnë, sepse ka patur disa komente lidhur me këtë. Por, në qoftë se nuk jam gabim, ju po thoni që nuk është ndoshta akoma momenti, ose Kosova nuk është e gatshme të fillojë zbatimin e kësaj pjese me këto rezerva që ju po shprehni, që tek fakti i pikave të marrëveshjes për projekt-statutin?

Glauk Konjufca: Nëse koncepti i vetëmenaxhimit nuk ndërtohet në një marrëveshje siç ishte ajo e Ohrit, që të jetë me njohjen e Kosovës, atëherë Kosova nuk ka kurrfarë obligimi që të bëjë hapa në drejtim të asociacionit. Në asnjë mënyrë. Pse? Sepse mendoj që nëse e hiqni njohjen nga ekuacioni i relacionit me Serbinë dhe nëse mbetet vetëm asociacioni, ky do të jetë një mekanizëm shumë i manipulueshëm dhe dhumë i shfrytëzueshëm në mënyrë negative nga ana e Serbisë për ta goditur Kosovën. Ne e dimë që ky asociacion do të përbëhej prej përfaqësuesve serbë, të cilët do të mund t’i kontrollonte ndonjë parti politike drejtpërdrejt nga ana e Vuçiçit dhe ata do ta ndërtonin asamblenë e këtij asociacioni.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…

Të tjera