Lajme

Konjufca në ditën e pavarësisë së ShBA-së: Deklarata e Pavarësisë së ShBA-së fitore për të gjithë botën

Autori: Gazeta inFokus 13:46 | 04 July 2023

Kryeparlamentari Glauk Konjufca i ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për 247 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Konjufca ka thënë se Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shënuar fitore jo vetëm për popullin amerikan, por edhe për të gjithë botën.

“Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës shënonte fitoren në ardhje jo vetëm për popullin amerikan, por edhe për të gjithë botën, e cila do të futej në procesin e gjatë dhe të pakthyeshëm drejt vlerave universale që promovoi ajo deklaratë pavarësie dhe që kultivuan institucionet amerikane të ngritura mbi ato themele”, ka thënë Konjufca.

-Advertisement-

Postimi i plotë:

Gëzuar 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së SHBA-së!

Më 4 Korrik të 1776, SHBA shpall mëvetësinë dhe fillon rrugëtimin e saj të drejtësisë, mundësive të barabarta dhe demokracisë.

Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ardhja deri te dita e shpalljes së pavarësisë së saj është një lavd i demokracisë dhe triumfit të saj. Në histori njihen më pak fitore nga ata që u përpoqën për liri dhe barazi, në krahasim me sa të tilla numërojnë ata që për synim kishin krijimin dhe ruajtjen e gjendjes shtypëse. Tiranitë apo autokracitë mund të fitojnë qindra herë dhe asgjë nuk do të ndryshojë në thelb, por vetëm njëherë kur triumfon demokracia, hapet një epokë.

Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës shënonte fitoren në ardhje jo vetëm për popullin amerikan, por edhe për të gjithë botën, e cila do të futej në procesin e gjatë dhe të pakthyeshëm drejt vlerave universale që promovoi ajo deklaratë pavarësie dhe që kultivuan institucionet amerikane të ngritura mbi ato themele.

Shembulli i atij akti politiko-juridik, që u shoqërua pandashëm nga një gamë e gjerë e formave të pjesëmarrjes së popullit amerikan në betejën për pavarësim, është edhe sot shembulli më frymëzues i suksesit të demokracisë dhe i faktit të qartë se ajo është zgjidhja e vetme, e drejtë po aq sa efiksase, për paqe dhe përparim afatgjatë.

Gëzuar 4 Korrikun, kombit amerikan, gjithë botës demokratike dhe atyre që përkasin në vlerat e saj!

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Ku mos mu HUTU me BLACK FRIDAY Artmotion
-Advertisement-

Të tjera