Lajme

Konjufca: Çdo njëri nga ne më 17 shkurt kaplohemi nga një gjendje e veçantë shpirtërore

Autori: Gazeta inFokus 12:07 | 17 February 2022

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca në seancën e sotme solemne të Kuvendit të Kosovës për 14-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ka deklaruar se përkulet para luftës së shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Konjufca është shprehur se pavarësia është një bimë e lirisë e cila kërkon ujitje për çdo ditë.

“Çdo njëri nga ne më 17 shkurt kaplohemi nga një gjendje e veçantë shpirtërore e cila e mishëron krenarinë me entuziazëm. Krenaria na vjen si sublimim i rrugës së gjatë e të mundimshme të popullit tonë për liri, kurse entuziazmi si vetëdije për arritjet e deritashme dhe si optimizëm për të ardhmen. Sot duke e kujtuar 14 vjetorin e shpalljes së pavarësisë para së gjithash i nderojmë dëshmorët e luftës për liri që nuk e kursyen as jetën për mëvetësinë e shtetit tonë. Përkulemi para sakrificës së tyre dhe të luftës së shenjtë dhe të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar ai.

-Advertisement-

Konjufca është shprehur se asnjë gjykatë në botë nuk mund ta shtrembërojë luftën e UÇK-së.

“Lufta jonë ishte e drejtë dhe e domosdoshme, ajo ishte e drejtuar kundër okupatorit për ndaljen e gjenocidit dhe për lirinë tonë të përbashkët. Asnjë gjykatë në botë nuk mund ta shtrembërojë, a ta ndryshojë këtë të vërtetë që është e vërteta e jetës tonë. Le t’i nderojmë po ashtu ato gra dhe ata burra të cilët me mençurinë dhe guximin e tyre na drejtuan dhe orientuan që udhëkryqet e rrezikshme të historisë t’i kapërcejmë pa përplasje të brendshme e fatale”, ka deklaruar ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit
-Advertisement-

Të tjera