Fokus

Konfirmohen shkrimet e Infokusi-t, nisin hetimet për tenderët milionësh në ministrinë e Liburn Aliut

Autori: Gazeta inFokus 14:03 | 01 November 2022

Gazeta Infokus vitin e kaluar ka publikuar një seri shkrimesh hulumtuese se si në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të udhëhequr nga Liburn Aliu po kontraktoheshin kompani për tenderë milionësh pa përfillur garën e konkurrencës së hapur por vetëm duke u ndjekur procedurat e negociuara.

Një vit me vonë, Zyra Kombëtare e Auditimit ka nisur hetimet për këta tenderë. Në llupën e hetuesisë janë 14 tenderë të dhënë me procedurë të negociuar e që kapin vlerën prej 4.9 milionë euro në ministrinë e Liburn Aliut.

Ministria e Liburn Aliut ka thyer rekordin si ministria e cila dha më së shumti tenderë një burimor apo me procedurë të negociuar në vitin që lamë pas. Kjo procedurë e kontraktimit të parave të shtetit, në të kaluarën nga vet partia e Liburn Aliut është quajtur hajni klasike dhe burim i korrupsionit.

-Advertisement-

Gazeta Infokus kishte raportuar se MMPHI-ja në vitin 2021 për vetëm 2 muaj kishte dhënë 33 tenderë ku 28 prej tyre ishin dhënë në këtë formë, pa publikim të njoftimit të kontratës.

Kjo edhe konsiderohet edhe si  një ndër format apo mundësitë më të lehta për keqpërdorime në tenderë duke qenë se kontrata nënshkruhet vetëm ndërmjet dhënësit të punëve dhe kompanive private.

Nisja e hetimeve nga Zyra Kombëtare e Audimit

Zyra Kombëtare e Audimit njoftoi se ka nisur hetimet për 14 kontrata të cilat janë dhënë me procedurë të negociuar, duke thënë se MMPHI-ja është njëra ndër ministritë që më së shumti ka shfrytëzuar këtë metodë të dhënies së tenderëve.

“Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës me temën “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”, thuhet në këtë njoftim.

ZKA ka theksuar se dhënia e tenderëve duhet të jetë në përputhje me parimet e ekonomisë dhe ligjin e prokuroimit publik.

“Fokus kryesor i auditimit janë aktivitetet e prokurimit me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, përmes së cilave MMPHI-ja kishte shpenzuar shuma të konsiderueshme të parave. MMPHI ka lidhur 26 kontrata të negociuara me vlerë të përgjithshme prej 5,7 milionë euro vetëm në vitin 2021 duke e rendit si një nga ministritë që më së shumti ka përdor këtë lloj procedure. Aktivitetet e prokurimit, në çdo autoritet kontraktues duhet të zhvillohen në pajtim me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, parime të sanksionuara me ligjin e prokurimit publik”, thuhet në njoftim.

Andaj kështu janë ngritur dyshimet se ekziston mundësia që 14 prej këtyre tenderëve të mos jenë në përputhje me kornizën ligjore.

“Përmes këtij auditimi në MMPHI, synojmë që të vlerësojmë sa ishte i arsyeshëm dhe në përputhje me kornizën ligjore të prokurimit publik përdorimi i procedurës së negociuar nga ana e Ministrisë, a është dokumentuar si duhet përdorimi i kësaj procedure dhe a është arritur vlera për para në këto projekte. Fushëveprimi i këtij auditimi janë kontratat e lidhura përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, në vlerë afër 4,9 milionë euro (14 kontrata). Ky auditim synon të rris llogaridhënien, transparencën dhe integritetin e aktiviteteve të prokurimit publik në MMPHI dhe aty ku është e nevojshme të ofroj rekomandime që fondet e shpenzuara publike arrijnë vlerën për para”, thuhet në njoftimin e zyrës së audimimit.

Raportimi i Gazetës Infokus

Gazeta Infokus në vitin 2021 kishte ngritur alarmin se ministria e udhëhequr nga Liburn Aliu vetëm për dy muaj kishte dhënë 28 tenderë një burimorë apo me procedurë të negociuar. Nga 33 kontrata 28 prej tyre ishin një burimore.

LEXO EDHE: Skandal: Ministria e Infrastrukturës për dy muaj dha 28 tenderë me mbi 5 milionë euro pa procedura të hapura

Sipas ligjit për Prokurim Publik procedurat e negociuara aplikohet në rrethana të veçanta ku autoriteti kontraktues fton dhe këshillohet me operatorët ekonomik të zgjedhur nga ai për t’i negociuar kushtet e kontratës me njërin ose më shumë prej tyre.

Ndërsa procedurë e hapur nënkupton procedurat e prokurimit që i lejojnë çdo operatori të interesuar ekonomik të paraqet tender e ti hyj garës për të fituar atë.
Kështu vlera e përgjithshme këtyre tenderëve doli të ishte goxha e lartë, që shtonte dyshimet për keqpërdorim eventual. Punët e kryera ishin nga më të ndryshmet në dikasterin e infrastrukturës por edhe ofrim shërbimesh.

LEXO EDHE: Nuk ndalen në Ministrinë e Liburn Aliut, vazhdojnë të japin para pa tender të hapur

Të gjitha këto kontrata ishin konsideruar me vlera të mesme edhe pse në to ka edhe shuma tejet të mëdha. Në fakt vlerat e këtyre tenderëve në ministrinë e drejtuar nga Liburn Aliu variojnë nga 15 mijë euro në mbi gjysme milion euro./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine

Të tjera