Lajme

Kompania e sigurimeve e padit vozitësin pa patentë-shofer

Autori: Gazeta inFokus 15:20 | 03 October 2018

Kompania e sigurimeve ” Kosova e Re ” kërkon kthimin e borxhit për aksidentin e shkaktuar nga vozitësi pa patentë shofer.

Në dhjetor të viti 2010 në Mitrovicë kishte ndodhur një aksident i komunikacionit në të cilin ishin përfshirë dy automjete.

Sipas padisë aksidenti kishte ndodhur me fajin e drejtuesit Valon Hyseni.

-Advertisement-

Vetura e të paditurit Hyseni kishte qenë e siguruar me policë valide të sigurimit nga autopërgjegjësia ndaj personave të tretë e cila ishte lëshuar nga KS “Kosova e Re”.

Por bazuar në padi Hyseni kishte drejtuar automjetin pa patentë shofer.

Ndërsa nga aksidenti në të cilin ishte përfshirë edhe një tjetër veturë kishte pasur dëme materiale dhe jomateriale.

Hyseni kishte arritur marrëveshje me të dëmtuarin e automjetit tjetër në shumë prej 829 euro.

Kjo shumë e parave ishte paguar në emër të të autorizuarit të paditësve në nëntor të vitit 2011.

Kurse sipas padisë paditësi në prill 2016 i ka dërguar të paditurit Valon Hyseni ftesë për pagesën e dëmit – regresit në shumën e lartëcekur, mirëpo i padituri nuk ishte paraqitur asnjëherë.

“Duke marr parasysh se i siguruari Valon Hyseni kishte shkaktuar aksident trafiku duke vozitur pa patentëshofer në bazë të Ligjit për Sigurimin e detyruar të automjeteve dhe të LMD-së shoferi është i detyruar të paguaj shumën e cekur më lartë”, thuhet në padi.

Pala paditëse në këtë rast KS “Kosova e Re” përmes padisë dhe kërkesëpadisë nga pala e paditur Valon Hyseni, kërkon t`ia kompensoj mjetet në emër të borxhit – regresit shumën prej 829 euro me kamat 12% deri në pagesën definitive të mjeteve, në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë se aktgjykimit, duke përfshire edhe të gjitha shpenzimet e procedurës.

Kurse në seancën e mbajtur sot në Gjykatën e Mitrovicës përfaqësuesja e palës paditëse Arta Lubeniqi deklaroi se mbetej në tërësi pranë padisë duke shtuar se i kishin dërguar njoftim në drejtim të paditurit në prill të 2016 ku kishin kërkuar që të paraqitej pranë zyrës së paditëses që të bëjë pagesën e regresit por i njëjti nuk ishte paraqitur asnjëherë.

Kurse pas administrimit të provave u dha fjala përfundimtare nga përfaqësuesja e palës paditëse Arta Lubeniqi.

Pas kësaj gjyqtari i këtij rasti Naim Meholli njoftoi se gjykimi në këtë çështje ka përfunduar në tërësi, ndërsa vendimi do të ju dorëzohet palëve me afatin e paraparë ligjor.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të katërt "Banka e Vitit 2024 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera