Klubet e Superligës së Kosovës japin shembull, vaksinohen thuajse të gjitha
Autori: Erion Maliqaj
17:45 | 21 September 2021
Pandemia botërore ‘Covid-19’ vazhdon të shkaktojë probleme të mëdha në të gjitha sferat e në veçanti dëmtime të mëdha ka pasur edhe futbolli, shkruan Gazeta inFokus.
Gjithandej botës popullsia po vaksinohet çdo ditë e më shumë, për ta parandaluar përhapjen e mëtejme të këtij virusi vdekjeprurës.
Vaksinimi që disa muaj ka nisur edhe në Republikën e Kosovës.
Hezitimi për ta marrë vaksinën anti-covid në vendin tonë në fillim ishte mjaft i madh, por javëve të fundit numri i qytetarëve që kërkojnë të vaksinohen ka shkuar duke u rritur mjaft shumë.
Vaksinën anti-covid tashmë e kanë marrë shumica e futbollistëve që luajnë në Superligën e Kosovës.
Prej 10 klubeve të elitës së futbollit kosovar, shumica prej tyre tashmë janë vaksinuar, duke përfshirë lojtarët dhe të gjithë pjesëtarët e klubit.
Vaksinimin me kohë e kanë kryer klubi i Gjilanit dhe ai i Dukagjinit të Klinës.
Te dy këto klube lajmin për vaksinimin e terë pjesëtarëve të klubit e kanë bërë të ditur përmes njoftimeve në faqet zyrtare në rrjetin social facebook.
“Gati për kampionat. Skuadra tashmë është vaksinuar e tëra.Vaksinimi është detyrë qytetare dhe vetëm përmes vaksinimit mund të mbrojmë vetën, familjen dhe vendin! #Bashkëiadalim#Vaksinohu”, thuhet në njoftimin e klubit të Gjilanit të postuar me 16 gusht.
“COVID-19, doza e dytë e vaksinimit. Skuadra tashmë është vaksinuar e tëra! Vaksinimi është detyrë e secilit prej nesh dhe vetëm përmes saj mund të mbrojmë vetën, bashkëlojtarët dhe familjen! #Bashkëiadalim #Vaksinohu”, shkruhet në postimin e klubit të Dukagjinit të publikuar me 6 shtator.
Vaksinimin me kohë dhe me të dy dozat e kanë kryer edhe stafi dhe futbollistët e skuadrës së Llapit.
Lajmin për Gazetën inFokus e ka konfirmuar trajneri i ekipit nga Podujeva, Tahir Batatina.
“Unë në mënyrë të organizuar e kam kryer këtë proces. Në fillim te fazës përgatitore të gjithë futbollistët, stafin e kom organizuar dhe jemi vaksinuar të gjithë. Tash i kemi marr dy dozat e vaksinimit dhe jemi të qetë në këtë drejtim si skuadër”, deklaroi Batatina.
Klubi i Dritës nuk ka marrë iniciativë që në mënyrë të organizuar t’i vaksinoj stafin dhe lojtarët, por pjesa më e madhe e tyre tashmë janë vaksinuar.
“Një iniciativë nga klubi për t’u vaksinuar nuk është marrë, sepse disa prej lojtarëve i kanë caktuar terminët në qytetet e tyre, dhe disa tashmë janë vaksinuar me dozën e parë dhe janë në pritje të dozave të dyta në qytetet nga vijnë. Por në momentin që do ta kemi pauzën e kombëtareve në muajin tetor do të caktojmë terminet në mënyrë që të vaksinohen të gjithë pjesëtarët e klubit”, deklaroi drejtori sportiv i klubit të Dritës, Valon Zymberi, për Gazetën inFokus.
Stafi dhe të gjithë lojtarët e ekipit të Ballkanit e kanë marrë dozën e parë të vaksinës.
Kështu ka bërë të ditur për inFokusin, Idriz Hajrizi, zyrtar te klubi i Ballkanit.
“Me dozën e parë janë vaksinuar 100% e futbollistëve dhe stafit, ndërsa me dozën e dytë janë mbi 50% të vaksinuar, kurse të tjerët janë në pritje derisa të ju vjen data e vaksinimit me dozën e dytë”, deklaroi Hajrizi.
Edhe te klubi i Ulpianës të gjithë e kanë marrë dozën e parë të vaksinës, kurse dozën e dytë pritet ta marrin në ditët në vazhdim.
“Sa u përket vaksinimit të lojtarëve te klubit tonë, gjysma e tyre janë tashmë te vaksinuar me dy doza, kurse pjesa tjetër në muajin tetor e marrin edhe dozën e dytë te vaksinës kundër Covid-19. Klubi ua ka siguruar terminin të gjithë lojtarëve, mirëpo një pjesë e futbollistëve kanë qenë në atë kohë te vaksinuar me dozën e parë, kurse pjesa e tjetër janë vaksinuar në sallën e sporteve “BetterLife” në Lipjan”, ka deklaruar për Gazetën inFokus, Granit Duriqi, zëdhënës i klubit të Ulpianës.
Drejtori sportiv i klubit të Feronikelit, Artan Berisha, për Gazetën inFokus ka thënë se nuk kanë bërë organizim të vaksinimit.
Kjo pasi sipas tij sistemi i vaksinimit nuk e lejon një gjë të tillë, ngase secili lojtarë duhet të vaksinohet në qytetin nga vjen.
“Duke pasur parasysh situatën pandemike, ne kemi kërkuar nga i gjithë stafi dhe futbollistët që të vaksinohen, pasi që lojtarët vijnë nga qytete te ndryshme dhe sistemi i lejon të vaksinohen vetëm në ato qytete. Për këtë arsye ne nuk kemi mundur të bëjmë vaksinim te organizuar. Por sipas bisedave te fundit, shumica e stafit dhe futbollistëve janë te vaksinuar, ose presin për dozën e dytë”, deklaroi Artan Berisha.
Te Drenica me dozën e parë janë vaksinuar të gjithë, kurse te klubi i Malishevës vaksinimin sipas dëshirës e kanë kryer pjesa më e madhe e stafit dhe futbollistëve.
“I gjithë stafi dhe klubi i Drenicës tashmë janë vaksinuar se paku me dozën e parë, kurse me dozën e dytë pritet te vaksinohen në ditët në vazhdim”, i kanë thënë Gazetës inFokus nga klubi i Drenicës.
“Klubi i Malishevës nuk ka bërë organizim për ti vaksinuar stafin dhe futbollistët, por sipas dëshirës tashmë një pjesë e madhe e tyre janë vaksinuar”, kanë deklaruar për inFokusit nga klubi i Malishevës.
Gazeta inFokus nuk ka marrë përgjigje nga klubi i Prishtinës deri në publikimin e artikullit.
Pavarësisht insistimit nga Gazeta për të marrë një përgjigje rreth vaksinimit të klubit kryeqytetas një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Në vendin tonë, e as në shtetet tjera evropiane vaksinimi akoma nuk është bërë detyrim, por në shumicën e vendeve tashmë ka ndalesa të ndryshme për ata që nuk janë vaksinuar.
Për t’i shikuar ndeshjet e Superligës së Kosovës lejohet vetëm 5% e kapacitetit të stadiumit, si dhe duhet që shikuesit të jetë të vaksinuar ose të kenë test negativ në 72 orët e fundit.
Deri më tani në Republikën e Kosovës me dozën e parë janë vaksinuar 740,026 mijë qytetarë, kurse me të dy dozat janë vaksinuar 453,760 persona./Gazeta inFokus/

T� tjera
-
Djali i Arlinda Zekajt merr pjesë në varrimin e nënës
Arlinda Zekajt i është dhënë lamtumira e fundit në varrezat e fshatit Radac. ...
-
Kryeprokurori i Shtetit ricakton tri lëndë penale në rastin e Arlinda Zekajt
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka nxjerrë tri vendime për ricaktimi...
-
KRU “Prishtina” njofton për intervenime në disa zona
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se ekipet e mirëmbaj...
-
Dita e 15-të e tubimit në Tiranë – Protestuesit grumbullohen para Ministrisë së Arsimit, forcat e rendit dhe autoboti qëndrojnë gati
Në Tiranë mbahet dita e 15-të e protestës së studentëve, ku disa prej tyre ka...
-
Arlinda Zekajt i jepet lamtumira e fundit, lot e mërzi në varrimin e saj
Pasditen e së martës, Arlinda Zekajt i është dhënë lamtumira e fundit. Ajo p...
-
Ceremonia e varrimit të Arlinda Zekajt, imami i fshatit në lotë: Duhet ta presim djalin, po e sjellin policia
Në Pejë po mbahet ceremonia e varrimit të Arlinda Zekajt e cila u vra ditë më...
-
Humb jetën një person në Istog, u lëndua në vendin e punës
Këtë të martë, rreth orës 08:40, Policia është njoftuar për një rast në fshat...
-
Zhvendosja e ETC-së në lokacionin e ri në Pejë – hapja më 28 tetor 2026
ETC Pejë zhvendoset në ambientet e reja në Europe City Mall Qendra Tregta...
-
“Arlinda kërkoi ndihmë, shteti e braktisi”: QIKA kërkon dorëheqjen e Donika Gërvallës
Organizata QIKA ka mbajtur një tjetër aksion simbolik pas rastit të vrasjes s...
-
Jeton Sylaj sillet në Gjykatë – injoron pyetjet e gazetarëve që e pyesin nëse vɾa*sja e Arlindës ishte e planifikuar
Bashkëshorti i Arlinda Zekajt e cila u vra nga ana e kunatit të saj, Jeton Sy...
-
Kurti pas takimit me përfaqësuesit nga Lugina: Fitorja juaj është dyfish historike
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të martën përfaqësuesit shqipt...
-
Ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt del para gjykatës
Jeton Sylaj, ish-bashkëshorti i së ndjerës Arlinda Zekajt, ka dalë para gjyka...
































