Klinikat operojnë me “rezervat e fundit” të gjakut
Autori: Gazeta inFokus 17:43 | 22 August 2023
Përkundër vapës së madhe mesditën e 21 gushtit, Nezir Gerbeshi priste para Qendrës së Transfuzionit të Gjakut në Prishtinë, për të dhuruar gjak.
Pensionisti 64-vjeçar ka dhuruar gjak plot 128 herë gjatë jetës së tij.
Shumë herë është ofruar vetë, por në shumë raste është ftuar edhe nga autoritetet shëndetësore.
“Mbi 40 herë më kanë ftuar këta të qendrës, sidomos për trombocite. Sot kam ardhur sepse kam dëgjuar se ka mungesë të gjakut këtu në transfuzion”, rrëfeu ai për Radion Evropa e Lirë.
Po atë ditë, në Klinikën e Ortopedisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, REL-i bisedoi edhe me Hajdin Podvoricën, i cili sapo kishte dhuruar gjak për një familjar të vetin.
“Më thanë se duhet të vij këtu dhe të jap gjak se nuk ka”, tha 51-vjeçari.
Zyrtarë të Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut (QKKTGJ) e konfirmojnë këtë mungesë, duke thënë se aktualisht po operojnë me “rezervat e fundit”.
“Deri te mungesat e llojeve të grupeve të gjakut ka ardhur pas kërkesave të mëdha nga klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, sidomos nga Klinika Emergjente”, thotë për Radion Evropa e Lirë Albana Gashi, zyrtare për promovimin e dhurimit të gjakut në QKKTGJ.
Sipas saj, mungesa e një numri më të madh të dhuruesve të gjakut ka ndikuar, po ashtu, që të mos ketë sasi të bollshme.
Mungesat theksohen shpesh gjatë muajve të verës, kur qytetarët – dhurues potencialë të gjakut – janë në pushime, ndërsa aktivitetet në ambiente të jashtme janë më intensive.
Por, disa mjekë thonë se ky sezon është ndër më të rëndët.
Merita Morina-Bujupi, doktoreshë në QKKTGJ, thotë se shumë raste të rënda shëndetësore që janë trajtuar në QKUK, janë shkaktuar nga aksidentet në trafik apo qitjet me armë.
Shumica prej tyre kanë pasur nevojë për gjak.
“Kemi pasur raste urgjente, të cilat kanë kërkuar doza të mëdha të gjakut. Një rast mund të nisë me 2, 3 apo 4 doza [dhe të përfundojë] me 30 apo 40”, thotë Morina-Bujupi.
Sasia e dozave varion – mund të shkojë deri në 300-400 mililitra.
Në QKKTGJ nuk tregojnë se sa doza do ta stabilizonin gjendjen, apo sa janë të nevojshme mesatarisht në një vit, por thonë se vazhdimisht organizojnë aktivitete për grumbullimin e gjakut.
Aty pohojnë se numri i dhuruesve është në rritje nga viti në vit, por theksojnë se edhe kërkesat janë të mëdha.
“Gjaku ma ka shpëtuar jetën”
Njazi Sherifi, brenda dhjetë ditësh, ka marrë tetë doza gjaku.
I shtrirë në Klinikën e Gastroenterologjisë të QKUK-së, ai thotë se familjarët e tij nuk kanë mundur të dhurojnë gjak dhe se dozat që i janë dashur, ia ka siguruar spitali.
“Fillimisht kam marrë tri doza, pastaj edhe tri, e kështu me radhë. Tash po ndihem më mirë. Gjaku që kam marrë, ma ka shpëtuar jetën… Unë kështu mendoj”, thotë Sherifi, i cili vjen nga komuna e Ferizajt.
Autoritetet shëndetësore thonë se dozat më të mëdha të gjakut i thith Klinika Emergjente e QKUK-së.
Sipas një raporti që ka siguruar REL-i prej tyre, në këtë klinikë, gjatë gjithë muajit korrik deri më 21 gusht, janë trajtuar 1.213 raste. Shumica prej tyre kanë pasur nevojë për një ose disa doza gjaku.
Si sigurohen dozat e gjakut?
Rreth 90 për qind e nevojave të pacientëve për gjak në institucionet publike shëndetësore të Kosovës plotësohen nga dhuruesit vullnetarë të gjakut, përkatësisht nga QKKTGJ-ja, ndërsa pjesën tjetër e mbulojnë familjarët e pacientëve.
Dhurimi i një doze gjaku zgjat rreth 15 minuta. Sipas mjekëve, burrat dhe gratë në moshë jofertile mund të dhurojnë gjak çdo tre muaj, ndërsa gratë në moshë fertile mund të dhurojnë dy herë në vit.
Përveç gjakut, mund të dhurohen edhe përbërës të veçantë të tij, si për shembull trombocite.
Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që të gjitha dhurimet e gjakut, të kontrollohen për infeksione përpara se të përdoren.
“Transfuzioni i gjakut shpëton jetë dhe përmirëson shëndetin… Sigurimi i gjakut të sigurt dhe adekuat duhet të jetë pjesë integrale e politikës dhe infrastrukturës kombëtare të kujdesit shëndetësor të çdo vendi”, thekson OBSH-ja./rel
Të tjera
-
Pushteti kërkon që intervistimi i Kurtit nga Specialja të bëhet sipas propozimeve të tyre, Haxhiu: Nuk ka asnjë arsye që prokurorët të refuzojnë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar të hënën se nëse Prokur...
-
KQZ merr vendim: Nuk certifikohet Lista Serbe
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke mbajtur mbledhjen e rregullt për çe...
-
Alban Rraci mbledh mbështetësit e LDK-së në Klinë: Bashkë për ndryshim dhe fitore me 9 shkurt
Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Klinë, Alban Rraci dhe ...
-
Lajçak e bën bilancin: Kam shpresuar për më shumë progres në dialog, por mesazhi për Kosovën e Serbinë është i qartë
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak k...
-
Vuçiq për protestën masive kundër tij: U mbajt një tubim jashtëzakonisht i madh në Beograd
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, këtë herë ka pranuar se në Beograd është m...
-
Pritjet për të hyrë në Kosovë deri në 40 minuta
Pritjet për të hyrë në Kosova nga pika kufitare e Muçibabës po vijojnë deri n...
-
Deklarohen të pafajshëm 22 të akuzuarit për mashtrim me “Call Center”
Në seancën fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë deklar...
-
Gjendet pa shenja jete një 61-vjeçar në Pogradec
Një person i moshës 61-vjeçare është gjetur pa shenja jete në banesën e tij, ...
-
Protestë masive në Beograd kundër presidentit serb
Dhjetëra mijëra veta u mblodhën të dielën në një shesh qendror në Beograd duk...
-
Hill thotë se s’ka paralajmërime për sanksione ndaj NIS’it në Serbi, a i gënjeu Vuçiq serbët për të krijuar panik?
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka...
-
Tajani për vizitë në Kosovë, viziton kontigjentin italian të KFOR-it
Kryediplomati italian, Antonio Tajani, ka ardhur për vizitë në Kosovë për të ...
-
Kremlini hedh poshtë raportimet e mediave turke se gruaja e Assadit kërkoi divorc dhe largim nga Moska
Kremlini hodhi poshtë të hënën raportet e mediave turke që sugjeronin se Asma...