Lajme

Kjo është gjendja e shtatores së Fehmi Aganit

Autori: Gazeta inFokus 14:16 | 09 February 2018

Dëmtimet të cilat i ka pësuar shtatorja e Fehmi Aganit, e cila gjendet në Kampusin Universitar, përballë Fakultetit Filologjik, po i vërejnë edhe kalimtarët e rastit. Edhe më parë për këtë shtatore është raportuar mbi gjendjen e saj, si mungesa e pllakës së emrit pastaj dëmtimin e pllakave përreth shtatores si dhe hedhjen e mbeturinave, përcjell KulPlus.

Janë pikërisht qytetarët të cilët kanë përcjellë fotografi të kësaj shtatore në një gjendje jo të mirë, fotografi këto që i kanë përcjellë nëpër medie. “Në prag të jubileut të pavarësisë, berllogu, shkatërrimi dhe harresa kanë mbuluar memorialin që do të duhej të nderohej. Një prej strategëve më të merituar për këtë pavarësi. Ne e kemi lënë atë në harresë, duke e bërë pasqyrë të turpit për atë qe i kemi bërë shtetit për këto 10 vjet”, është shprehur gazetari Arben Ahmeti duke ndarë shqetësimin e qytetarëve.

Për gjendjen e shtatores për media më parë pati biseduar edhe skulptori i kësaj shtatoreje Luan Mullliqi i cili ishte brengosur më shumë për hapësirën përreth saj me pllaka të thyera e mbeturina.
“Nuk jam i kënaqur me mirëmbajtjen e kësaj shtatoreje ashtu si shumë shtatoreve tjera. Ajo çfarë mua më pengon më shumë është hapësira përreth, ajo duhet të mirëmbahet”, ishte shprehur Mulliqi për shtatoren, përgjegjës për mirëmbajtjen e të cilës është Universiteti i Prishtinës.

-Advertisement-

Fehmi Agani u lind në vitin 1932, studioi për filozofi, ishte profesor dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ishte redaktor në gazetën “Rilindja” dhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai u vra nga forcat serbe në afërsi të Lipjanit më 6 maj 1999, pas përpjekjeve për të dalë nga Kosova në Maqedoni.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI
-Advertisement-

Të tjera