Sport

Kjo është deklarata e Mourinhos pasi Roma u bë horë nga ekipi të cilin në muajin gusht e kishte mposhtur Prishtina

Autori: Gazeta inFokus 22:20 | 21 October 2021

Skuadra e Romës e ka pësuar humbjen më të thellë prej që Jose Mourinho e mori drejtimin e romakëve, shkruan Gazeta inFokus.

Roma është mposhtur në udhëtim nga Bodo/Glimt me rezultat 6-1, në takimin e vlefshëm për xhiron e tretë të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës.

Pas ndeshjes ka folur trajneri i romakëve, Jose Mourinho, i cili ka thënë se përgjegjësia për këtë humbje është e tij.

-Advertisement-

“Përgjegjësia është imja, që kam vendosur të luaj me këtë ekip. Kisha qëllime të mira, doja t’u jepja mundësinë njerëzve që punojnë shumë për të luajtur, bëra rotacion dhe u thashë lojtarëve që luajnë gjithmonë se duhej të pushonin. Fusha ishte e vështirë, por humbëm kundër një ekipi që kishte më shumë cilësi se ne”, tha fillimisht Mourinho.

Me pas tekniku portugez foli për rrezikun e madh që ka një trajner kur bënë rotacione të shumta në ekip.

“Nëse do të mund të luaja gjithmonë me të njëjtët, do ta bëja. Sidoqoftë, ky është një rrezik i madh, ekziston një ndryshim i madh në cilësi midis një grupi lojtarësh dhe një grupi tjetër, vendosa që në këtë fazë ishte e drejtë të bëheshin këto ndryshime. Unë e di që disa lojtarë kanë limite, nuk është asgjë e re, por prisja një përgjigje tjetër. Përgjegjësia është imja”, theksoi ai.

Tutje strategu portugez tha se nuk e ka fshehur asnjëherë që ka një skuadër me shumë limite.

“Kam folur me lojtarët dhe kam qenë i sinqertë me ta, përpiqem të flas. Nuk e kam fshehur asnjëherë që jemi një skuadër me shumë limite, një gjë janë 12-13 lojtarët dhe tjetër gjë pjesa tjetër”, vazhdoi trajneri i Romës.

Për fund Mourinho pati disa fjalë edhe për gazetarët.

“Tani askush nga ju nuk do të më thotë pse luajnë gjithmonë të njëjtin formacion”, ka deklaruar portugezi.

Pas kësaj disfate, Roma zbret në pozitën e dytë në Grupin C me 6 pikë, kurse Bodo/Glimt kalon në vendin e parë me 7 sosh.

Ndryshe, skuadra e Prishtinës gjatë muajit gusht e kishte mposhtur në ‘Fadil Vokrri’ ekipin e Bodo/Glimt me rezultat 2-1, por në duelin kthyese në Norvegji kishte pësuar humbje me shifrat 2-0 dhe ishte eliminuar nga parakualifikimet e Ligës së Konferencës./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC
-Advertisement-

Të tjera