Lajme

KGJK-ja emëron nënkryetarin e Gjykatës Komerciale, shpall konkurs për gjyqtarë

Autori: Gazeta inFokus 11:18 | 29 August 2024

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) sot ka mbajtur mbledhjen e 331 me radhë në të cilën janë marrë disa vendime. Me tetë vota për, një kundër dhe dy abstenime, Fatmir Krasniqi është përzgjedhur dhe emëruar Gjyqtar Mbikëqyrës në Gjykatën Themelore të Prizrenit, dega në Dragash.

Përveç kësaj, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, gjyqtari Hasan Kryeziu është caktuar nënkryetar i Gjykatës Komerciale. Po ashtu, KGJK-ja miratoi shpalljen e konkursit për 21 pozita të lira për gjyqtarë në gjykatat themelore të Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë konkurs, anëtarët e KGJK-së kanë themeluar Komisionin për rekrutimin e gjyqtarëve në gjykatat themelore si dhe komisionin për rishqyrtim të ankesave të kandidatëve.

-Advertisement-

Anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, gjyqtari Artan Abazi potencoi se në konkursin e shpallur për pozitën e gjyqtarit mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash ka aplikuar vetëm kandidati Fatmir Krasniqi. Ai tregoi se komisioni ka vlerësuar se ky i fundit ka plotësuar kushtet dhe rekomandohet që të vlerësohet nga të gjithë anëtarët e KGJK-së.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës me datën 30 maj 2024 ka marrë vendim dhe ka shpallur konkurs të brendshëm për pozitën e gjyqtarit mbikëqyrës të gjykatës Themelore në Prizren, dega në Dragash…Lidhur me këtë pozitë ka aplikuar vetëm një kandidat nga Gjykata Themelore në Prizren dhe ky kandidat ka qenë Fatmir Krasniqi. Komisioni i ka respektuar procedurat për intervistim, e ka ftuar kandidatin për intervistim. Pas vlerësimit të intervistës, respektivisht përgjigjeve të tij ka ardhur në përfundim dhe ka bërë vlerësimin sipas pikëve të cekura në procesverbal…Komisioni ka ardhur në përfundim që pas mbledhje së pikëve nga secili anëtar i komisionit, kandidati i ka mbledhur 79.03 pikë dhe me këtë rast i ka arritur pikët e mjaftueshme për t’u rekomanduar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës për t’u emëruar në këtë pozitë të mbikëqyrësit të degës të Gjykatës në Dragash…Komisioni ka ardhur në përfundim që i njëjti i ka plotësuar kushtet dhe rekomandohet që të vlerësohet nga të gjithë anëtarët e KGJK-së dhe të zgjedhet dhe të vendoset ndryshe”, tha Abazi.

Ndërkaq, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj pas procesit të votimit tha se nga nëntë pjesëmarrës në votim, tetë prej tyre votuan pro përzgjedhjes dhe emërimit të Krasniqit për këtë pozitë, derisa një votë ishte kundër.

Gjithashtu Zogaj njoftoi se pas hedhjes në votim për pozitën e nënkryetarit të Gjykatës Komerciale, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, është miratuar që gjyqtari në Gjykatën Komerciale, Hasan Kryeziu të caktohet nënkryetar në këtë institucion.

“Shqyrtimi i propozimit të kryetarit të Gjykatës Komerciale për nënkryetarin e Gjykatës, e kemi propozimin…E hedh në votim propozimin e kryetarit të Gjykatës Komerciale për nënkryetarin e Gjykatës. Propozim është që zotri Hasan Kryeziu gjyqtar në Gjykatën Komerciale të caktohet nënkryetar i Gjykatës Komerciale…Kundër dhe abstenim nuk ka, miratohet”, tha Zogaj.

Ndër të tjera, në mbledhjen 331-të të KGJK-së, Zogaj tha se u bë miratimi i shpalljes së konkursit për 21 pozita të lira për gjyqtar në gjykatat themelore të Republikës së Kosovës.

“Kemi gjithsej 21 pozita të lira për të cilat është shpallë konkursi për gjyqtarë në nivel të gjykatave të shkallës së parë në Republikën e Kosovës…Sot do të dekretohen 31 gjyqtarë të propozuar nga KGJK-ja në presidencë dhe realisht nuk kemi pengesa për pozitat vakante…Miratohet shpallja e konkursit”, tregoi Zogaj.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova
-Advertisement-

Të tjera