Lajme

Këto janë detyrat që e presin Qeverinë e re

Autori: Gazeta inFokus 18:55 | 19 July 2017

Pavarësisht që debatet për atë se kush do të mund ta formojë Qeverinë e re të Kosovës vazhdojnë ende, ekzekutivin e ardhshëm të vendit, kushdo qoftë që e formon atë, e pret një listë e gjatë e detyrave, të cilat konsiderohet se janë me prioritet, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Sipas tyre, ratifikimi nga legjislativi i ri i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, i cili i hapë rrugë liberalizimit të vizave për Kosovën, do të jetë detyra e parë, e cila nuk mund të shmanget në çfarëdo mënyre.

Albert Krasniqi, analist i Institutit Demokratik të Kosovës, thotë se prioritetet e Qeverisë së ardhshme do të përcaktohen varësisht se nga kush do të krijohet Qeveria, nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën i njohur si koalicioni PAN, i cili ka fituar 39 ulëse në Kuvendin e Kosovës, apo nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar 32 ulëse.

-Advertisement-

Prioritetet e subjekteve politike, sipas tij, janë të ndryshme, por kushdo që do ta krijojë Qeverinë, do të ballafaqohet të paktën me tri çështje që konsiderohen prioritete.

“Pavarësisht orientimeve të tyre ideologjike apo programore, është që të kalohet sa më shpejtë Marrëveshja për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit e Zi. Pastaj, do të duhej të bëhej sundimi i ligjit, përmes të cilit luftohet korrupsioni dhe që ndërlidhet me investimet e huaja në Kosovë dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Një prioritet i tretë, do të duhej të ishte reforma në shëndetësi, investimet më të mëdha, qoftë në infrastrukturë, në objekte, në ofrimin e më shumë shërbimeve për qytetarët e Kosovës”, thotë Krasniqi për REL.

Mendim të përafërt ka edhe njohësi i çështjeve politike, Emrush Ujkani. Duke folur për Radion Evropa e Lirë ai thotë se prioritetet me të cilat do të ballafaqohet Qeveria e re, janë obligime ndërkombëtare, por edhe të brendshme.

“Ratifikimi i Marrëveshjes për kufirin me malin e Zi, në këtë format apo në ndonjë tjetër, duhet përfundimisht ta ketë një përgjigje. E dyta do të jetë çështja e bashkëpunimit me mekanizmat ndërkombëtarë për të mundësuar funksionalizimin e Gjykatës Speciale. Natyrisht, si çështje e brendshme, institucionit të kryeministrit dhe Qeverisë së re do t’i bie që ta shtyjë përpara, aq sa është e mundur, gjendjen ekonomike dhe zhvillimin ekonomik, që ta kthejë në njëfarë forme besimin e Qeverisë tek qytetarët. Mendoj që kohët e fundit, besimi në Qeveri ka qenë goxha në nivel të ulët”, thotë Ujkani.

Megjithatë, Krasniqi shpreh mendimin se Qeveria e re do të përballet edhe me, siç thotë ai, detyra të tjera, të cilat janë të pashmangshme.

“Krijimi i Asociacionit (të komunave me shumicë serbe) dhe një sërë kërkesash tjera, të cilat do të jenë të pashmangshme”, vlerëson Krasniqi.

Ujkani, thekson se vazhdimi i dialogut me Serbinë, do të jetë i pashmangshëm për Qeverinë e re.

“Për të dhënë një kontribut të mjaftueshëm, për t’i kontribuuar stabilitetit rajonal, dialogu me Serbinë është detyrë që duhet të vazhdojë edhe më tutje. Natyrisht që Kosova, obligimet e karakterit ndërkombëtar, nuk është se i ka të reja. Do të jetë edhe lufta për ta fuqizuar sundimin e ligjit dhe për ta pavarësuar gjyqësorin në ndërmarrjen e veprimeve të veta”.

Për formimin e Qeverisë, janë të domosdoshme të paktën 61 vota të deputetëve. Deri më tash asnjë nga subjektet politike që kanë fituar ulëset në Kuvendin e Kosovës, nuk kanë prezantuar ndonjë koalicion, i cili ua garanton shumicën parlamentare, gjë që do tu mundësonte edhe krijimin e Qeverisë së re.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNICEF-i global boton artikull për rezultatet e partneritetit me Devolli Corporation: U fuqizuan gratë, përfituan familjet
-Advertisement-

Të tjera