Sport

Këshilltari i FIBA-së: Keni kohë deri më 2 nëntor

Autori: Gazeta inFokus 16:56 | 21 September 2017

“FIBA dëshiron që Kosova ndeshjet si nikoqire t’i luaj para shikuesve të vet. Në fakt me aprovimin e sistemit të ri të garave për ekipe nacionale qëllimi është që ekipet nacionale t’i sjellim sa më shpesh në shtëpi. Pra ky është qëllimi kryesor. Andaj ne duam që Përfaqësuesja e Kosovës të luaj në shtëpi, sepse e meriton një gjë të tillë pas suksesit historik të arritur në parakualifikimet evropiane për Kupën e Botës ‘Kina 2019’”, këto ishin fjalët hyrëse në konferencën për media të organizuar sot në zyre të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), të Lubomir Kotleba-s, këshilltarit të Sekretarit Gjeneral të FIBA-s, i cili ka qëndruar në Prishtinë për dy ditë radhazi.

Vizita e Kotleba-s ishte paralajmëruar një muaj më parë nga FIBA pas sigurimit të një vendi të Përfaqësueses së Kosovës në kualifikimet evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.

Në shkresën e dërguar nga FIBA në FBK shkruhej qartë se kjo vizitë ka të bëjë me përgatitjet më të mira të mundshme për ndeshjet e muajit nëntor, duke filluar nga vlerësimi i palestrës të cilën FBK e ka paraqitur në plaftormë. Dhe FIBA kishte vendosur që kjo të bëhet nëpërmjet një vizite inspektuese dhe në bazë të informatave që FBK i ka ofruar, palestra nuk mund të miratohet nëse nuk i përmbush të gjitha kriteret e nevojshme.

-Advertisement-

Dhe vizita e Kotleba-s ka shërbyer për të qartësuar nëse palestra e paraqitur në platformë mund të shfrytëzohet ose nëse mund të bëjmë përjashtim për ta shfrytëzuar atë dhe nëse masat mund të ndërmerren në mënyrë që palestra të miratohet.

Aktualisht palestra në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë nuk i ka më shumë se 2,100 ulëse gjithsej, ndërsa kapaciteti i kërkuar nga FIBA është 3,000 ulëse.

Kotleba ka arritur të mërkurën në Prishtinë dhe me këtë rast së bashku me kryetarin e FBK-së, Erolld Belegu, u.d. Sekretaren e Përgjithshme, Elvira Dushku, drejtorin e Departamentit të Sporteve të Kosovës (DSK), Ibër Alaj dhe me personat e tjerë përgjegjës për siguri, për menaxhim të palestrës dhe organizim të ndeshjeve si vendas e kanë inspektuar palestrën në Prishtinë.

Lubomir Kotleba, Këshilltar i Sekretarit Gjeneral të FIBA-s:

“Ideja e FIBA-s është që palestrat ku do të luhen ndeshjet për kualifikime të jenë të njëjta, do të thotë fusha të duket e njëjtë, si dhe kapaciteti të jetë prej 3,000 ulëse. Në platformë ju e keni paraqitur kapacitetin prej 2,100 ulëseve dhe kjo nuk është e mjaftueshme dhe e pranushme për FIBA-n. Në vizitën inspektuese të bërë të mërkurën na është paraqitur projekti nga Ministria e Sportit me 2,813 ulëse, dhe nëse kjo realizohet, atëherë FIBA do ta pranoj së bashku me përmirësimin e ndriçimit, dhe disa gjërave të tjera më të vogla. Por e tërë kjo punë duhet të kryhet jo më larg se tri javë përpara ndeshjes së parë, që do të thotë ju do të luani me Lituaninë më 23 Nëntor dhe punimet në palestër duhet të përfundojnë më së largu deri më 2 Nëntor dhe e tërë kjo duhet të dëshmohet në FIBA. Andaj unë kërkoj nga Qeveria e Kosovës, ashtu siç e ka përkrahur Federatën deri më tani ta vazhdoj ta bëjë këtë edhe më fuqishëm, pasi FBK e ka bërë një punë të mrekullueshme me sigurimin e një vendi në kualifikime, duke befasuar kështu pothuajse gjithë Evropën, por edhe mua personalisht. Kjo është vizita e katërt e imja në Kosovë, e para ishte në vitin 2008 dhe sa herë kam ardhur këtu kam vërejtur përparim në punët e federatës, ndërsa kësaj radhe pata rastin të shoh një zyre që rrallëherë e shoh nëpër vendet e rajonit, por edhe në Evropë, derisa e përgëzoj edhe kryetarin Belegu për përzgjedhjen e stafit të ri, me plot energji për punë. Por ajo çfarë dua të theksoj është se ndonëse në njërën nga vizitat e mia nga zyrtarët qeveritarë të asaj kohe është premtuar se do të punohet në ndërtimin e një palestre të re, kjo nuk është bërë, andaj uroj dhe shpresoj se në vizitëm time të ardhshme do ta kem rastin ta shoh palestrën e re, sepse besoj se Kosova e meriton një palestër të re dhe moderne në kryeqytet” .

Në konferencë ishte i pranishëm edhe numri një i FBK-së, Erolld Belegu, i cili ndër të tjera ka thënë:

“Ne patëm rastin që së bashku me Kotleba-n dhe me stafin e FBK-së, por edhe me drejtorin e DSK-së, Ibër Alaj të inspektojmë palestrën, pastaj edhe të bisedojmë në detaje për të gjitha këto punë që presim t’i bëjmë në ditët dhe javët në vazhdim. Shpresoj, por edhe besoj shumë se gjithçka do të kryhet me kohë dhe se Lituaninë do ta presim në shtëpi me 2,800 shikues në palestër. Kjo është sa i përket aspektit të përgatitjes së palestrës, derisa në anën tjetër ne si Federatë jemi duke punuar që në aspektin profesional, Përfaqësuesja A t’i ketë të gjitha kushtet e duhura për paraqitje sa më të mira në kualifikimet evropiane për Kupën e Botës ‘Kina 2019’”.

Duhet theksuar se Kosova në kualifikimet evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019” bën gara në Grupin C së bashku me Lituaninë, Hungarinë dhe Polininë. Ndeshjen e parë Përfaqësuesja jonë do ta luaj si nikoqire më 23 Nëntor kundër Lituanisë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
BKT Kosova hap degën më te re në qytetin e Suharekës
-Advertisement-

Të tjera