Lajme

BE i kërkon Polonisë të pezullojë reformat gjyqësore

Autori: Gazeta inFokus 07:51 | 20 July 2017

Komisioni Evropian i bëri thirrje Polonisë të pezullojë reformat kontroverse gjyqësore, të cilat, sipas tij, “do të kenë ndikim të madh negativ” në pavarësinë e gjyqësorit.

Në të kundërtën, paralajmëroi KE, Polonia do të përballet me sanksione të paprecedente, nisur nga java e ardhshme.

“Do t’i përgatisim me shpejtësi procedurat për shkelje të ligjit të Bashkimit Evropian”, tha nënpresidenti i parë i Komisionit Evropian, Frans Timmermans, pas një takimi të Komisionit në Bruksel.

-Advertisement-

Qëkur ka fituar zgjedhjet në vitin 2015, Partia për Ligj dhe Drejtësi e Polonisë ka bërë përpjekje të rrisë ndikimin e qeverisë mbi gjykata dhe prokurori, ashtu si edhe në media.

Javën e kaluar, Parlamenti, i cili kontrollohet nga Partia për Ligj dhe Drejtësi, ka miratuar reformat gjyqësore që opozita dhe të tjerët i shohin si kërcënim të ndarjes së pushteteve.

Legjislacioni do t’i japë ministrit të Drejtësisë, të emëruar politikisht, kompetencë për të emëruar shefat e gjykatave të Polonisë.

Përveç kësaj, Parlamenti do të zgjedhë anëtarët e Këshillit Kombëtar të Gjyqësorit, roli i të cilit është të mbrojë pavarësinë e gjykatave.

Partia për Ligj dhe Drejtësi po ashtu ka paraqitur një projektligj në Parlament, që do të vinte nën kontroll të pushtetit ekzekutiv Gjykatën Supreme, e cila mbikëqyr gjykatat më të ulëta.

“Këto ligje rrisin ndjeshëm kërcënimet sistematike mbi sundimin e ligjit,” paralajmëroi Timmermans./REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?
-Advertisement-

Të tjera